Këshilli Papnor i Baritorisë për Emigrantët botoi Mesazhin me rastin e Ditës së ardhshme Botërore të Turizmit, që do të kremtohet më 27 shtator, me temë: “Një miliard turistë, një miliard mundësi”. Është një cak i arritur në vitin 2012, por numrat vijojnë të rriten aq, sa në vitin 2030 parashikohen më se dy miliardë turistë. Këtyre të dhënave u duhen shtuar edhe numrat jo të paktë të turizmit brenda vendit.
“Jemi në fazën e ndryshimeve. Ndryshon mënyra e shtegtimit, e, prej këndej, edhe përvoja e tij. Kush lëviz drejt vendeve të ndryshme, e bën këtë me dëshirën e takimit, të ballafaqimit, të fitimit të përvojës së re në një vend të ri. Turisti dëshiron gjithnjë më shumë takimin e drejtpërdrejtë me tjetrin aq sa, pak nga pak, vendin e konceptit klasik të turistit, po e zë gjithnjë më shumë fjala shtegtar. Lind kështu “qytetari i botës”, që nuk shkon vetëm ta vizitojë vendin, por edhe t’i përkasë; jo vetëm të shuajë kureshtjen, por edhe ta jetojë; jo vetëm ta analizojë, por edhe ta dojë”, shkruhet në tekstin, i cili kujtos se një miliard turistë, po të priten si duhet, mund të bëhen burim mirëqeniejeje dhe zhvillimi.
All the contents on this site are copyrighted ©. |