2015-07-03 12:46:00

Parolin: Papa në Amerikën Latine, kontinent i shpresës


Fillon, të dielën e ardhshme, shtegtimi i Papës Françesku në Amerikën Latine: tre vende: Ekuador, Bolivi e Paraguai, shtatë zhvendosje me avion, 22 fjalime, mijëra e mijëra njerëz, në pritje gazmore. Vizita e Papës në Amerikën Latine, shtegtimi i nëntë ndërkombëtar i papnisë, nga 5 deri më 13 korrik, ka një temë të vetme: gëzimin e kumtimit të Ungjillit, e është plot me shpresa për të sotmen e të ardhmen, siç  e shpjegon Sekretari i Shtetit papnor, kardinali Pietro Parolin, intervistuar nga Qendra Televizive e Vatikanit:

Përgjigje: - Besoj se për ta kuptuar rëndësinë e këtij shtegtimi,  më i gjati i Papnisë, duket të kujtojmë fjalët e vetë Papës, shqiptuar më 12 dhjetorin e kaluar, në solemnitetin e Zojës së Guadalupes. Papa e quajti Amerikën Latine, kontinentin e shpresës, sepse, pohoi, prej tij priten modele të reja zhvillimi, që  bashkojnë traditën e krishterë me progresin civil; drejtësinë e barazinë, me pajtimin; zhvillimin shkencor e teknologjik, me urtinë njerëzore; vuajtjen frymëzuese me gëzimin e shpresën. Kjo është pak a shumë fizionomia e Amerikës Latine e edhe e tre vendeve, që do të vizitojë Ati i Shenjtë.

Pyetje: - Dokumenti i Aparesidës ka përkim të dukshëm me shërbesën papnore të Françeskut. Kujtojmë parinë e hirit, të mëshirës, guximit apostolik…. Ç’rol luan e mund të luajë kjo pjesë e botës në Kishë e ç’nxitje mund t’i japë politikës botërore?

Përgjigje: - Po, Kontinenti latino-amerikan është kontinent në lëvizje, plot me shndërrime, me ndryshime në nivelin kulturor, ekonomik e politik. Vitet  e fundit kanë qenë pozitive, me pakësimin e ndjeshëm të mjerimit e kalimin e njerëzve të shtresave të varfëra, në ato të mesme. Nga ana tjetër, janë theksuar proceset e urbanizimit, me krijimin e qytetve vigane të Amerikës Latine si dhe proceset e globalizimit e të shekullarizimit, që ndjehen edhe në këtë pjesë të botës, ndonëse nuk janë të njëllojta me ato të botës perëndimore. Në skena të tilla, Kisha ka zgjedhur rrugën e kthesës baritore, rrugën e veprimtarisë misionare, të angazhimit misionar e, në këtë kuptim, mund të bëhet paradigmatike  për shumë vise të tjera të botës. E do të thosha se ky është kontributi i saj, që e shikojmë edhe në shërbesën e Papës, shërbesë që i ka rrënjët pikërisht tek Aparesida dhe i propozohet mbarë Kishës universale. Në këndvështrimin politik, Amerika Latine mund të shikohet si laborator i mirëfilltë, ku po kërkohen e po provohen modele të reja pjesëmarrjeje e përfaqësimi, forma, të cilat u japin zë edhe shtresave të popullsisë që deri më sot, ndoshta, nuk dëgjoheshin fare. Kërkohet një rrugë origjinale e demokracisë, që i ka mirë parasysh veçoritë e këtyre vendeve e që përpiqet t’i përfshijë të gjithë: kërkohen pluralizmi, liritë themlore, respekti për të drejtat e njeriut.  

Pyetje: - Në Ekuador Kisha luan rol themelor në formin e shoqërisë civile, posaçërisht si ndërgjegje kritike, përballë përpjekjeve për ta minuar institucionin e familjes dhe shenjtërinë e jetës. Cilat janë vështirësitë, që ndesh sot Kisha ekuadoriane e çfarë pret nga ky udhëtim?

Përgjigje: - Kisha në përgjithësi, vijon të ketë rol profetik përballë atyre, që Papa i quan “kolonizime idelogjike”. Domethënë, përpjekje për të imponuar modele, që nuk përkojnë me traditën e vendit e që prekin pikërisht familjen dhe jetën. Atëhere Kisha duhet të vijojë ta predikojë Ungjillin, lajm i mirë edhe për mbrojtjen e familjes e të jetës. Kisha, duke theksuar kuptimin e laicitetit të vërtetë, kërkon vetëm mundësi për ta ushtruar lirisht misionin e saj, duke dhënë ndihmesën për të mirën e shoqërisë, për debatin demokratik, për promovimin e njeriut e, sidomos, të grupeve më të ligshta.

Pyetje: - Në Bolivi Papën do ta presë presidenti Evo Morales, me të cilin Françesku ka disa përkime. Kujtojmë, për shembull, vëmendjen për të varfërit, në rrethana botërore, ku sundon financa; pastaj, kujdesin për ambientin… Besoj se do të jetë rast i përshtatshëm për të rikujtuar përgjegjësitë e bashkësisë ndërkombëtare?

Përgjigje: - Papa i ka shprehur mendimet e tij në shumë fjalime e, posaçërisht, në Enciklikën e fundit “Laudato si’”. E ka ftuar njerëzimin  ta mbrojë shtëpinë e përbashkët, të luftojë për drejtësi shoqërore, të kërkojë paqe e të respektojë të drejtat e të gjithëve, sidomos të më të varfërve. Pastaj edhe identitetin kulturor të çdo vendi, kundër prirjes së globalizimit për të sheshuar gjithçka e për t’i  përdorur si mall tregu edhe marrëdhëniet shoqërore.

Pyetje - Së fundi, etapa e tretë e shtegtimit, është Paraguai ku Papa, siç kanë theksuar ipeshkvijtë, dëshiron ta shoqërojë popullin në trevjeçarin kushtuar Ungjillëzimit  të familjes. Dmth, është familja në qendër të vëmendjes?

Përgjigje: - Në këtë rast është pikërisht familja në qendër. E Papa dëshiron ta shoqërojë Kishën e Paraguait në këtë trevjeçar, në qendër të të cilit është familja, që respekton natyrën e familjes latino-amerikane, domethënë, vlerat e saj: frymën e bashkimit e të solidaritetit, familjet e mëdha,  me shumë fëmijë, që e bëjnë këtë vend, më të riun në botë. Prej këndej, edhe mbrojtja e jetës nga lindja në perëndimin e saj të natyrshëm. Sigurisht nuk mungojnë edhe vështirësitë, ndjehet varfëria, papunësia që lëndon jetën normale e përdorimi i drogës, që e destabilizon shumë familjen. Përballë kësaj situate, Papa dëshiron të jetë pranë njerëzve, pranë familjeve, posaçërisht atyre, që vuajnë për ndonjërin prej këtyre shkaqeve e dëshiron t’i inkurajojë të ecin përpara.








All the contents on this site are copyrighted ©.