2015-07-03 14:27:00

Kardinali Parolin: një etikë të re për të ruajtur natyrën


“Në Enciklikën Lëvduar qofsh Papa Françesku këshillon e kërkon zhvillimin e një etike autentike. Toka e klima janë të mira të përbashkëta, frytet janë për të gjithë”. Kështu pohoi mes tjerash sekretari i Shtetit të Vatikanit, kardinali Pietro Parolin, duke folur në konferencën mbi temën: “Personi e planeti në plan të parë: një imperativ për të ndryshuar drejtimin e politikave të zhvillimit”, që po mbahet këtyre ditëve në Romë, nën organizimin e Këshillit Papnor për Drejtësi e Paqe së bashku me organizatat jo qeveritare katolike.
“Më duket se Enciklika e Papës na jep udhëzime shumë konkrete mbi atë mund të bëjmë për ta ruajtur, mbrojtur e zhvilluar në mënyrë të respektueshme, pra të drejtë, ambientin, ‘shtëpinë tonë të përbashkët’. E kjo, sipas meje, shkon përtej të gjitha diskutimeve, sepse është një gjë shumë serioze, e ajo që mua më duket vërtetë shumë e rëndësishme është se: çdonjëri prej nesh mund të jap kontributin e vet specifik për këtë qëllim. Prandaj, të fillojmë ta zbatojmë atë që Papa në enciklikën Lëvduar qofsh na tregon e kërkon. Sot ndjehet nevoja e një etike të re në marrëdhëniet ndërkombëtare, për t’i kufizuar dëmet e mbinxehjes tokësore dhe për t’i zhdukur pabarazitë e përdorimit të të mirave e burimeve, prandaj është e domosdoshme që edhe çdo qytetar i “shtëpisë së përbashkët” t’i ndryshoj gjestet e vogla në jetën e përditshme personale”.
“Enciklika është e rëndësishme, tha kardinal Parolin, sepse besoj se prek e trajton njërën prej temave themelore të kohës sonë e të së ardhmes sonë. Prandaj unë gëzohem që jam këtu për të dhënë një ndihmë të vogël për përhapjen e këtij dokumenti papnor”.








All the contents on this site are copyrighted ©.