2015-07-02 16:25:00

Enciklika ‘Lëvduar qofsh’, një vështrim nga bota islamike. Një terren i ri i përbashkët.


Papa: Enciklika “Lëvduar qofsh” shikuar nga myslimanët, ka krijuar një terren të përbashkët.
“Në enciklikën ‘Lëvduar qofsh’ Papa Françesku ka krijuar një terren të përbashkët, në nivelin shpirtëror, ndërmjet ithtarëve të të gjitha feve”. Këtë nënvizon Abdullah Hamidaddin, duke folur për Enciklikën e Papa Françeskut ‘Lëvduar qofsh’, në një ndërhyrje të tij botuar më 28 qershor në faqe të internetit të “Al-Arabiya” e ribotuar në gazetën e Vatikanit L’Osservatore Romano’ të 2 korrikut.
“Kur fillova leximin e enciklikës, mendova e ‘ më dukej vetja si të ishe në shtëpi, por në një tjetër lloj shtëpie’. Ende jam duke kërkuar kristalizimin e  domethënies, po ishte qartë – shkruan Hamidaddin në të përditshmen e Selisë së Shenjtë – se nuk bëhej fjalë për një thirrje për zbatim të ligjeve fetare. Këtu Papa është duke diskutuar për çështje që kanë të bëjnë me qeniet njerëzore, me shtesën e një përmase shpirtërore. 
Dhe e bënë shpirtëror kërkimin tonë për gjetjen e zgjidhjeve ndaj problemeve kryesore që e mundojnë njerëzimin. Idetë e shprehura në enciklikën ‘Lëvduar qofsh’ nuk janë një risi, as një ekskluzivitet i Papës. Por kërkimi shpirtëror që u është dhënë atyre, është burim frymëzimi, së paku për mua, edhe në raste në të cilat nuk jam dakord me te, si për shembull mbi kontrollin e lindjeve. Më ka pëlqyer përçapja, mënyra me të cilën spiritualiteti është inkorporuar në jetën time, pa asnjë përmendje të legjislacionit. Enciklika ka nxit shumë polemika e debate, e do të vazhdojë të bëjë në Vende e në komunitete me një trashëgimi katolike apo të krishterë. Tani, kujdesi për botën tonë, feja në drejtësinë shoqërore, empatia me shqetësimet për të varfrit e të shtypurit, përveç se kanë pasoja në fushën teknologjike, nuk janë çështje të lehta. Janë të ndërlikuara e thellësisht të gërshetuara me pushtete e me interesa. Pastaj nuk janë çështje në pritje për t’u njohur e nxjerr në pah nga një autoritet fetar. Spiritualizimi i këtyre problemeve mund të ketë një ndikim në shquarjen dhe aktualizimin e zgjidhjeve.
Ne jemi qenie racionale, e vërtetë mund t’i diskutojmë shqetësimet që ka njerëzimi duke analizuar kostot-beneficet; por jemi edhe qenie morale e këndej mund të diskutojmë për vështirësitë e tjetrit dhe për detyrimin që kanë ata që janë më mirë ndaj atyre që janë më pak të privilegjuar. E pikërisht këtu qëndron autoriteti fetar, i cili është përherë i rëndësishëm, sepse u shton (jep) përmasën shpirtërore diskutimeve mbi qenien njerëzore dhe mirëqenien e njerëzimit.
Papa, sipas mendimit tim, ka folur si racionalist, duke paraqitur konkluzionet në të cilat arriti mbi bazën e mendimit të tij racional, por ka folur edhe si moralist duke nënvizuar detyrimet që kemi ndaj tjetrit e ndaj tokës në të cilën jetojmë. Mëtej, ka folur edhe si autoritet fetar duke ngulur këmbë mbi faktin se çështjet e mëdha të jetës sonë duhet të jenë pjesë e pandashme e udhëtimit tonë shpirtëror. E thotë se t’i hapesh zemrat tona ndaj Zotit nuk është vetëm çështje rituali, por është edhe çështje empatie, përkujdesimi dhe ruajtjeje të atyre bekimeve me cilat Zoti na ka pajisur.
Si mysliman e gjej deklaratën e tij jashtëzakonisht ngushëlluese. Nuk ka rëndësi nëse e bashkë ndan me mua fenë time. As nuk ka rëndësi nëse jam dakord me të gjitha konkluzionet e tij. Ajo që ka rëndësi për mua është se Papa ka krijuar një terren të ri të përbashkët, në nivelin shpirtëror, ndërmjet ithtarëve të të gjitha feve.
Mendoj se enciklika e Papës është një prej atyre përpjekjeve që do të duhej të kremtohej e të përqafohej nga njerëzit e të gjitha formave të besimit, e madje deri edhe nga ata që nuk besojnë”.








All the contents on this site are copyrighted ©.