2015-07-01 16:53:00

Papa Françesku: jam pranë popullit grek, t’i shpëtohet dinjiteti


Papa Françesku është afër familjeve të sprovuara rëndë nga kriza greke. Më parë dinjiteti i njerëzve, pastaj të tjerat! Papa Françesku flet në atmosferën e bisedimeve të ethshme, që vijojnë ndërmjet Greqisë dhe Bashkimit Evropian, me synim, shmangien e “default” (paaftësisë për të paguar)  të vendit helen, për t’i shprehur solidaritetin mbarë popullit e për të kujtuar rendin e përparësive.

“Lajmet, që vijnë nga Greqia, pohon në një deklaratë drejtori i Sallës vatikanase të Shtypit, atë Federico Lombardi, krijojnë shqetësim për situatën ekonomike e shoqërore të vendit. Ati i Shenjtë dëshiron që  mbarë populli helen ta ndjejë afërsinë e tij, duke menduar posaçërisht për familjet e vëna në një sprovë kaq të rëndë nga kriza njerëzore e shoqërore, tejet e  ndërlikuar dhe e ndjerë thellë”.

“Dinjiteti i njeriut, përfundon deklarata, duhet të mbetet në qendër të çdo diskutimi politik e teknik, ashtu si dhe në marrjen e vendimeve të përgjegjshme. Papa Françesku i fton të gjithë besimtarët të mblidhen në lutje, për të mirën e popullit të dashur grek”.








All the contents on this site are copyrighted ©.