2015-06-28 11:59:00

Më 28 qershor kalendari Kishtar përkujton Shën Ireneun e Lionit, ipeshkëv e martir


Ireneu, që në shqip do të thotë Paqësor, njeri i paqes me emër e me vepra, është figurë me rëndësi të dorës së parë në historinë e Kishës. Me origjinë nga Azia, i lindur në Smirnë, në vitin 177 u nis nga Galileja për t’u ulur në fronin ipeshkëvnor të Lionit, duke zënë vendin e ipeshkvit martir Potinit, pak kohë pasi qe dërguar në Romë për të sqaruar disa çështje doktrinore. Kur arriti në vend, gjysma e priftërinjve dhe e besimtarëve të Kishës, së cilës do t’i printe, ishin martirizuar. Mbeti i vetmi ipeshkëv për të gjithë Galinë. Ai, grek, mësoi shumë shpejt gjuhën e barbarëve, për të ungjillëzuar popullsitë keltike e gjermanike. E atje ku nuk arrinte zëri i tij, arrinte fjala e shkruar. Në pesë librat e Ireneut kundër herezive, ndjehet jo vetëm forca e apologjistit të madh, por edhe ëmbëlsia e bariut të mirë, të shqetësuar për ndonjë nga delet e humbura, të cilën bën çmos ta rikthejë në vath.
E pikërisht për këtë figurë madhore foli Papa Benedikti XVI 28 mars 2007 në Sheshin e Shën Pjetrit në Vatikan për audiencën e përgjithshme.
“Feja që përmbahet në Ungjill nuk është privilegj i pak intelektualëve, por mund të kuptohet e të pranohet nga të gjithë njerëzit përmes predikimit të ipeshkvijve, pasardhës të Apostujve, duke nisur nga Papa”. “Tradita apostolike është publike, jo private apo sekrete. Për Ireneun nuk ka kurrfarë dyshimi se përmbajtja e fesë së krishterë që transmetohet nga Kisha është ajo e marrë prej apostujve e prej Jezusit, Birit të Zotit. Nuk ekziston mësim tjetër përpos këtij. Prandaj, kush dëshiron ta njohë doktrinën e vërtetë mjafton ta njohë traditën që vjen prej apostujve e fenë që iu është kumtuar njerëzve. Tradita e feja – kështu thoshte Ireneu – kanë mbërrijë deri tek ne përmes pasardhësve të ipeshkvijve”. Kështu Papa Jozef Ratcinger iu drejtua mëse 20 mijë besimtarëve të pranishëm më 28 mars 2007 në Sheshin e Shën Pjetrit në Vatikan për audiencën e përgjithshme, duke folur mbi unicitetin,  universalitetin dhe frymëzimin hyjnor të krishterimit, ashtu siç është mbrojtur e transmetuar nga Shën Ireneu ipeshkëv i Lionit, qysh në vitin 200 pas Krishtit, në kohën e herezisë gnostike.
Duke kujtuar cilësitë e ipeshkvit të lashtë francez, Ireneut, Papa Benedikti XVI e quajti “kampion të luftës kundër herezive” dhe prelat të aftë për të ripohuar “konceptin e pastër të traditës apostolike”
Papa Ratcinger citoi edhe fjalët që i pati përdorur Ireneu për t’i kundërshtuar heretikët: “Kisha, megjithëse e shpërndarë në mbarë botën, e ruan me kujdes fenë e apostujve, sikur të banonte në një shtëpi të vetme e të përbashkët. Në të njëjtën mënyrë, beson në këtë të vërtetë, si të kishte një shpirt të vetëm e një zemër të vetme. Në përkim të plotë, këtë të vërtetë e shpall, e mëson dhe e transmeton si të kishte një gojë të vetme”, duke pasur mirë parasysh se tradita apostolike është “e frymëzuar nga Shpirti Shenjtë”. 








All the contents on this site are copyrighted ©.