2015-06-28 16:15:00

Me Kishën, nga Roma në Botë


Romë:

Sot, në Bazilikën e Mëshirës Hyjnore, në qendër të Romës, duke nisur nga ora 9.00, u kremtua një Meshë, organizuar nga Ambasada e Bolivisë pranë Selisë së Shenjtë, kushtuar shtegtimit të ardhshëm të Papës në vendin latino-amerikan. Me këtë rast në Bazilikë u vendosën pesë shtatore të Zojës, Pajtore të disa zonave të vendit, ardhur nga Bolivia. Në përfundim të kremtimit, pjesëmarrësit u nisën drej Sheshit të Shën Pjetrit, për të marrë pjesë në lutjen e Engjëllit të Tënzot me Papën. Në Shesh qe caktuar një vend i posaçëm për diplomatët, autoritetet boliviane e italiane, si edhe për autoritetet e Selisë së Shenjtë. Së fundi, festa, gjithnjë e pranishme të dielave në Sheshin e Shën Pjetrit. Disa grupe valltarësh, pasi dhanë shfaqje një copë herë të mirë në Shesh, u nisën, gjithnjë duke vallëzuar, nëpër Rrugën e Pajtimit, deri në Kastel Sant’ Angelo. Ishin 450 valltarë, të organizuar në 15 grupe. Ngjarja festive përfundoi rreth orës 14.00.

Faqja multimediale vatikanase e Internetit www.news.va, mbush katër vjet

E nisi jetën më 29 qershor 2011, ditë e 60 vjetorit të shugurimit meshtarak të Benediktit XVI, asokohe në krye të Kishës katolike. Faqja përmbledh  artikuj e video kushtuar shërbesës papnore  dhe veprimtarisë së dikastereve të Vatikanit e të Kuries Romake, por edhe ngjarjeve më të rëndësishme ndërkombëtare ose situatave më të spikatura të Kishave të veçanta, kudo në botë.  Faqen e re e pati hapur për herë të parë vetë Benedikti XVI, gjatë lutjeve mbrëmësore të Solemnitetit të Shën Pjetrit e Shën Palit, që do të kremtohet përsëri pikërisht nesër. Nesër, pra Roma, është në festë për Pajtorët e vet. E nga Kastel Sant’Angelo do të shpërthejnë përsëri  fishekzjarret, shoqëruar me muzikë, duke krijuar ujëvara dritash e duke pikturuar lule magjepsëse xixash në qiellin blu të Romës. 

Marshim për gjithësinë

Marshim me temë “Një tokë. Një familje njerëzore”. Organizohet nga Focsiv (Federata e Organizmave Kristiane të Shërbimit)  me propozimin e Fushatës OurVoice (Zëri ynë), drejtuar nga GreenFaith. Pjesëmarrësit në marshim, ishin të pranishëm në Sheshin e Shën Pjetrit gjatë Engjëllit të Tënzot, për ta përshëndetur Papën me rastin e botimit të Enciklikës “Lëvduar qofsh”, kushtuar kujdesit ndaj shtëpisë së përbashkët, e edhe për t’u kujtuar qeverive se duhet të angazhohen seriozisht në Konferencën e ardhshme të Parisit për ndryshimet klimaterike dhe ambientin.

Ngjarja u paraqit në një konferencë shtypi, mbajtur më 26 qershor, në Sallën Markoni të Radio Vatikanit.

Papa Françesku shqetësohet përsëri për familjen

Kur familja shthuret e zbrazet nga dashuria bashkëshortore, shpërbërja shembet mbi kokën e fëmijëve. Janë fjalët e Papës, shqiptuar në audiencën e përgjithshme të së mërkurës, mbajtur në Sheshin e Shën Pjetrit.

Duke vijuar katekizmin kushtuar familjes, Françesku reflektoi përsëri për plagët, që hapen në bashkëjetesën familjare, kur në gjirin e saj, anëtarët i bëjnë keq njëri-tjetrit. Më pas, si porositi të shoqërohen familjet në situatat e ashtuquajtura të parregullta, që  fëmijët të mos merren peng herë nga ati, herë nga mëma, vërejti se ka edhe raste, në të cilat ndarja është e pashmangshme:

“Nganjëherë, madje, mund të bëhet edhe moralisht e nevojshme, kur është fjala për ta shpëtuar bashkëshortin më të ligshtë, ose fëmijët më të vegjël, nga rreziku i thellimit të plagëve, të hapura nga prepotenca e dhuna, nga poshtërimi e shfrytëzimi, nga tëhuajtja e indiferenca”.

Gjithnjë gjatë audiencës së përgjithshme Papa u takua me pjesëmarrësit në kuvëndimin budisto-katolik, që vijon në Castel Gandolfo, pranë qendrës ndërkombëtare të Fokolarëve. Foli për farët e paqes e të vëllazërisë, Papa, në këtë takim shumë të thjeshtë, por edhe shumë prekës, gjatë të cilit budistë e të krishterë mundën ta takojnë personalisht Françeskun. Duke i falënderuar për këtë çast kaq të përzemërt, Papa kujtoi se në këto çaste vërtet të dhimbshme, që po jetojmë, gjeste të tilla ta ngrohin zemrën. Farë të paqes, të vëllazërimit e të miqësisë, i quajti fjalët e folura si gjatë kuvëndimit, me temë “Vuajtje, çlirim e vëllazërim”, ashtu edhe gjatë takimit në Vatikan.

SHBA: Filadelfia

 Vlojnë përgatitjet për takimin botëror të familjeve, që do të mbahet më 22 shtatorin e ardhshëm, në Filadelfia. Tri ditë lutjesh, ballafaqimesh, takimesh e diskutimesh. Pastaj, takimi me Papën, më 26 e 27. Priten rreth 1 milionë e gjysëm vizitorë, ardhur nga më se 150 vende të ndryshme të botës. Në këtë atmosferë përgatitjeje, të enjten e kaluar, në Romë u mbajt takimi i organizatorëve të ngjarjes së madhe me shtypin. Tema  Takimit VIII botëror të familjeve: “Dashuria, misioni ynë. Familja është plotësisht e gjallë”.

Sinodi: Instrumentum laboris

Sfidat, thirrja dhe misioni i familjes: janë këto vijat udhëheqëse të Instrumentum Laboris për Sinodin e 14-të të Përgjithshëm të Zakonshëm kushtuar familjes, që do të mbahet tetorin e ardhshëm, në Vatikan. Dokumenti i punës, botuar të martën e kaluar, përmban Relatio Synodi, apo tekstin e plotë përfundimtar të Sinodit të mëparshëm mbi familjen, mbajtur në vitin 2014, duke përfshirë edhe përmbledhjen e përgjigjeve dhënë pyetësorit, propozuar të gjitha kishave të botës gjatë vitit, nga Sekretaria sinodale.

Angazhimi i Kishë kundër shpërdorimeve

Pranë Universitetit Papnor Gregorian u mbajt, këto ditë, Konferenca kushtuar temës “Mbrojtja e të miturve, përçapje shpirtërore e teologjike”, organizuar nga Qendra për mbrojtjen e të miturve prej këtij Universiteti. Në kuvëndim morën pjesë përfaqësues nga Konferencat ipeshkvnore të gjuhës angleze, të cilët diskutuan rreth angazhimit për parandalimin e shpërdorimeve seksuale mbi të miturit.

Torino

Në festën e Shën Gjon Pagëzuesit, Pajtor i Torinos, të mërkurën, 24 qershor, pas 67 ditësh, me një Meshë të kremtuar në katedrale, kryesuar nga kryeipeshkvi i qytetit, imzot Cesare Nosiglia, përfundoi ekspozimi i Sindonës. 67 ditë, gjatë të cilave para Sindonës kaluan, e u gjunjëzuan, njerëz të thjeshtë e personalitete të botës së politikës, të kulturës, të spektaklit e të sportit. Çaste të paharrueshme këto, për të gjithë, para   pëlhurës të linjtë, mbi të cilën është vulosur fytyra e vuajtur e Njeriut të Kryqëzuar. Ngjarja historike arriti kulmin me vizitën, e gjunjëzimin para Sindonës, të Papës.

 E gjunjëzimi i Françeskut para Sindonës, të dielën e kaluar, tregoi se pëlhura e linjtë është  domethënëse për mbarë Kishën, për fenë e për të gjithë njerëzit, burra e gra që, duke përshkuar rrugën e jetës, vijojnë të kërkojnë kuptimin e saj, të kërkojnë dashurinë, të kërkojnë një shikim të mëshirshëm e dy krahë, që dinë të rrokin, kur jeta t’i mbyll të gjitha shtigjet. Dy duar të mëshirshme, që hapin dyer, kur duken të mbyllura përgjithmonë. Këtë na e kujton vazhdimisht Papa Françesku, e këtë kuptim ka edhe Sindona që, në thjeshtësinë e heshtjen e saj, mbetet shenjë ndihme shpirtërore për të gjithë njerëzit, simbol i mëshirës.








All the contents on this site are copyrighted ©.