2015-06-27 18:16:00

Françesku Patriarkanës ekumenike: nuk pushoj së luturi për bashkimin


 “Nuk pushoj kurrë së luturi Zotin,  që një ditë të marrim pjesë së bashku në Sofrën eukaristike”. Është pohimi i Papës në fjalimin drejtuar, sot paradite, delegacionit të Patriarkanës ekumenike të Kostandinopojës, me rastin e vizitës tradicionale në Romë, për festën e Shenjtorëve Pjetër e Pal. Françesku nënvizoi impenjimin e përbashkët me Patrikun Bartolomeu për temën e ambientit, duke kujtuar edhe botimin e kohëve të fundit të Enciklikës së tij, “Lëvduar qofsh”. Me rastin e festës, Patriku ortodoks Bartolomeu i dërgoi Papës një mesazh urimi.

Papa Françesku nënvizoi posaçërisht lidhjen e thellë, që i bashkon Kishat motra të Romës e të Kostandinopojës, duke rikujtuar vizitën në Patriarkanën ekumenike, me rastin e festës së Shën Andreut, nëntorin e kaluar.

Nuk pushoj kurrë së luturi për unitetin

Përqafimi i paqes shkëmbyer me Bartolomeun I, tha Papa, ishte shenjë e dukshme e dashurisë vëllazërore, që na frymëzon në udhën e pajtimit. E kjo do të na krijojë kushtet që një ditë të marrim pjesë së bashku në Sofrën eukaristike:

“Arritja në këtë cak, drejt të cilit po ecim me besim e shpresë, përbën një nga shqetësimet e mia kryesore, për të cilin nuk pushoj kurrë s’e luturi Zotin. Uroj edhe që të shtohen gjithnjë më shumë rastet e takimit, të shkëmbimit e të bashkëpunimit ndërmjet besimtarëve katolikë e ortodoksë, në mënyrë që, duke thelluar njohjen dhe nderimin reciprok, të kapërcehet çdo paragjykim e moskuptim i trashëguar nga një periudhë tepër e gjatë ndarjeje e të përballohen, në vërtetësi, por me frymë vëllazërore, vështirësitë, që vijojnë ende të krijojnë pengesa”.

Nuk duhet humbur guximi përballë vështirësive në dialog

Papa inkurajoi punën e Komisionit të përbërë ndërkombëtar për dialogun teologjik të Kishës katolike me Kishën ortodokse:

“Problemet, që mund të ndeshen gjatë dialogut teologjik, nuk duhet të çojnë në humbjen e guximit, ose në  nënshtrim. Shqyrtimi i vëmendshëm i mënyrës si  lidhet në jetën e Kishës parimi i sinodalitetit dhe i shërbimit të atij, që prin, do të japë kontribut domethënës në përparimin e marrëdhënieve ndërmjet Kishave tona”.

Françesku siguroi se lutet për Sinodin e ardhshëm pan-ortodoks dhe kërkoi lutje për Sinodin kushtuar familjes, në Vatikan, në të cilin, shtoi, presim pjesëmarrjen e një Delegati vëllazëror të Patriarkanës ekumenike. Së fundi, Papa kujtoi angazhimin e përbashkët me Patrikun Bartolomeu, në mbrojtje të ambientit, vulosur nga prania, në paraqitjen e Enciklikës “Laudato si’”, e metropolitit të Pergamos, Zizioulas, që i drejtoi Papës edhe përshëndetjen e rastit,  gjatë audiencës së sotme.

Mesazhi i Patrikut Bartolomeu

Me këtë rast, Patriku Bartolomeu i dërgoi Papës një mesazh urimi, përmes të cilit vinte në dukje se gëzohet shumë duke i parë Kishën e Romës e të Kostandinopojës të bashkuara në përkujtimin e Shenjtorëve të përbashkët,  dhe se i inkurajon të dyja palët të angazhohen për ta kapërcyer çdo pengesë në udhën e dialogut e për t’i dhënë dëshminë e përbashkët të Ungjillit njeriut bashkëkohor. Bartolomeu përsëriti edhe vlerësimin e tij për Enciklikën “Lëvduar qofsh”, duke vënë theksin mbi nevojën urgjente të mbrojtjes së ambientit natyror, të kërcënuar nga lakmia njerëzore.








All the contents on this site are copyrighted ©.