2015-06-26 14:09:00

Filadelfia 2015: familjet nuk ndihmohen, por janë pasuria më e madhe


“Dashuria është misioni ynë. Familja të jetojë plotësisht”: kjo është tema e Takimit VIII Botëror të Familjeve, që do të mbahet në Filadelfia të SHBA-ve, nga 22 deri më 27 shtator. Papa Françesku do të jetë i pranishëm më 26 e 27, për mbylljen. Dje, në Sallën e Shtypit të Vatikanit, u paraqit programi i Takimit dhe u fol për rolin e rëndësishëm të familjes në shoqëri, për të cilën është pasuri themelore, pavarësisht se nuk ndihmohet e nuk mbrohet si duhet. Në Filadelfia do të vihen në dukje rezultatet e disa kërkimeve shkencore, përmes të cilave tregohet qartë ndikimi pozitiv i familjeve. Ndërkaq, kryeipeshkvi i Filadelfias, imzot Charles Chaput përvijoi ditët e Takimit:

Programi

         "Ngjarjet e Filadelfias ndahen në dy pjesë: së pari, Kongresi botëror i familjeve, që do të mbahet nga 22 deri më 25 shtator, në Qendrën e Kuvendeve të Pensilvanisë. Presim 15 mijë delegatë nga e gjithë bota. Kongresi është rast bashkimi për të gjithë ata (katolikë ose jo), që besojnë se familja është guri i këndit i shoqërisë; është çast për të ripohuar lidhjet më intime e rëndësinë e saj në jetën e secilit. Pjesa e dytë ka të bëjë me vizitën e Papës në Filadelfia, që do të zhvillohet të shtunën e të dielën, pra më 26 e 27 shtator, kur Ati i Shenjtë do të marrë pjesë në ngjarjet përmbyllëse të Takimit VIII Botëror të Familjeve”.

         Deri tani, në këtë Takim janë regjistruar 11.800 pjesëmarrës, prej të cilëve, mëse njëmijë, për Kogresin e Rinisë, ku përfshihen fëmijë e të rinj nga mosha 6 deri në 17 vjeç. Aktualisht, përfaqësohen mëse 100 kombe nga të pesë kontinentet, me SHBA-të në vendin e parë, të ndjekur nga Kanadaja, Vietnami, Republika Domenikane dhe Nigeria. Janë mobilizuar rreth njëmijë vullnetarë, prej të cilëve, rreth dyzet e kapërcejnë moshën 80-vjeçare. Ka nga ata, që kanë vënë në dispozicion shtëpinë e tyre për të pritur pjesëmarrësit. Nuk janë fiksuar akoma të gjitha takimet, sepse akoma nuk është bërë i njohur programi i plotë i udhëtimit të Papës Françesku, i cili do të publikohet së shpejti, siç tha drejtori i Sallës së Shtypit, atë Federiko Lombardi. Ndërkaq, kreu i Këshillit Papnor për Familjen, imzot Vincenzo Paglia, vuri në dukje universalitetin e Takimit:

Universaliteti i Takimit të familjeve

         “Në përfundim të të gjitha kremtimeve, Papa do t’i dorëzojë secilit nga pesë qyteteve të botës – e saktësisht, Havanës (Amerikë), Marsiljes (Evropë), Hanoit (Azi), Sidnejt (Australi) dhe Kinshasës (Afrikë) – 200 mijë kopje të Ungjillit sipas Lukës, nënshkruar nga vetë Ati i Shenjtë. Këta ungjij do të nisen nga Filadelfia për familjet e periferive të këtyre qyteteve të mëdha, për të dëshmuar universalitetin e kësaj nisme, sepse Ungjilli i familjes bëhet kështu, edhe libri i çdo shtëpie”.

         U nënvizua më tej, se ky Takim i familjeve të të gjithë botës i paraprin Sinodit për familjen, që do të mbahet në tetor në Vatikan. Vetëm para pak ditësh u paraqit “Instrumentum laboris”, pra, vijat e përgjithshme mbi të cilat do të reflektohet në Sinod. E meqë në të flitet për personat me orientim homoseksual, nuk mund të mungonte pyetja e gazetarëve për praninë e tyre në Takimin e Filadelfias. Ja përgjigjja e Ipeshkvit ndihmës të Filadelfias, imzot John J. McIntyre, i cili paralajmëroi se pedagogu Ron Belgau, ndër promovuesit e nismës “Miqësi shpirtërore”, do të mbajë një fjalim për këtë argument:

Prania e homoseksualëve

"Ai do të thotë si e ka pranuar orientimin e tij seksual dhe si ka arritur, pas reflektimit, të përqafojë mësimet e Krishtit e të Kishës; do të flasë pastaj, edhe e ëma, duke paraqitur perspektivën e saj prej nëne e duke treguar si e kanë pranuar në familje orientimin seksual të të birit”.

         Konferenca për shtyp u mbyll me dëshminë e një çifti, që feston 50-vjetorin e martesës, shenjë e dashurisë, që i qëndron kohës edhe në këtë botë, që duket sikur bën ç’është e mundur për t’i mbajtur njerëzit të ndarë.








All the contents on this site are copyrighted ©.