Kisha ndërton ura, por nuk lejon të kolonizohet nga mendimet e forta të radhës:
kështu tha mes tjerash Papa Françesku në fjalimin drejtuar Komunitetit të Akademisë
Papnore Kishtare që përgatit meshtarët për shërbimin diplomatik të Vatikanit. Selia
e Shenjtë – u kujtoi Papa meshtarëve që do ta përfaqësojnë në botë – “ është seli
e Ipeshkvit të Romës, seli e Kishës të cilën e kryeson në dashuri, që nuk ulet në
krenarinë e kotë të “vetvetes” por mbështetet “mbi guximin e përditshëm të përvujtërisë
e të përuljes së Mësuesit të vet. Autoriteti i vërtetë i Kishës së Romës është dashuria
e Krishtit”:
“Kjo është forca e vetme që e bënë të përgjithshme, pra universale e të besueshme
për njerëzit dhe për botën; kjo është zemra e së vërtetës, e cila nuk ngreh mure të
ndarjeve e të përjashtimeve, por bëhet urë që ndërton bashkimin dhe thërret në unitet
mbarë njerëzimin; kjo është fuqia sekrete e saj, dashuria e Krishtit që ushqen shpresën
e saj të qëndrueshme, të pamposhtur edhe para humbjeve kalimtare”.
Papa Françesku i ftoj priftërinjtë diplomatë të ardhshëm të “mos lejojnë të rreshkën,
të ashpërsohen, të shterohen” apo të “zbrazën nga cinizmi”, por ta kultivojnë përherë
memorien e Jezusit:
“Nuk jeni të thirrur të jeni funksionarë të lartë të një Shteti, të një kaste më të
lartë e të vetë-mbrojtur dhe të pëlqyer nëpër sallone mondane, por jeni të ftuar të
jeni rojtarë të një së vërtete që i mbështet thellësisht ata që e propozojnë, e jo
përkundrazi”.
Misioni i përfaqësuesve të Selisë së Shenjtë pra, është ai i të qenurit “ura”, duke
e mundur “superioritetin e vështrimit personal që pengon depërtimin dhe arritjen deri
tek thelbi i realitetit, duke mposhtur pretendimin e dijës së mjaftueshme” dhe duke
kapërcyer “skemat personale të njohurisë, të kuptimit, duke tejkaluar parametrat personale
të kulturës, të njohurive personale në fushën kishtare”. Këndej Papa shtoi:
“Shërbimi në të cilin do të thirreni, kërkon mbrojtjen e lirisë së Selisë Apostolike,
e cila për të mos e tradhtuar misionin e vet para Hyjit dhe për të mirën e vërtetë
të njerëzve nuk mund të lejojë të bie në rrjetin e logjikave të rrymave të ndryshme,
të marrëveshjeve të paracaktuara, nuk mund të bie rob i ndarjeve ndërmjet fraksioneve
e shoqatave, nuk mund t’u nënshtrohet pushteteve politike e të kolonizohet nga mendimet
e forta të radhës apo nga hegjemonia e rremë e opinionit mbizotërues (mainstream)”.
Përfaqësuesit papnor do të zhvillojnë këtë mision në të gjitha kontinentet:
“Në Evropë, nevojitet një zgjim; në Afrikë, ndjehet etja për pajtim; në Amerikën Latine,
uria për ushqimin fizik e atë të brendshëm; në Amerikën e Veriut, vërejmë një përpjekje
për rizbulimin e rrënjëve të identitetit që nuk mund të përcaktohet duke u nisur nga
përjashtimi e mënjanimi; në Azi e Oqeani, shënohet një tharmëtim në diasporë dhe sfida
e dialogut me kultura të shumta stërgjyshore”.
Së fundit, Papa i ftoi diplomatët e ardhshëm të Selisë së Shenjtë të jenë “bari të
vërtetë” shpirtëror e të kenë guximin për t’i kapërcyer “ kufijtë e sigurisë së asaj
që dihet e njihet dhe t’i hedhin rrjetat e peshkimit në zona më pak të njohura, pa
u adaptuar e pa mësuar me ngrënien e peshkut të parapërgatitur nga të tjerët”.
All the contents on this site are copyrighted ©. |