2015-06-25 17:40:00

Kalkutë: më të varfrit ndër varfër përshëndesin motrën Nirmala


Mase 3 mijë njerëz nga mbarë bota e nga çdo shtresë shoqërore morën pjesë dje në funeralin e Motrës Nirmala Joshi, Eprores së parë të Përgjithshme të Motrave Misionare të Dashurisë, pas së Lumes Nënë Terezë. Vdekja e rregulltare, më 23 qershorin e kaluar – njofton agjencia AsiaNews – mblodhi në shtëpinë amë të Motrave të Nënë Terezës në Kalkutë politikanë e liderë fetarë, funksionarë të qeverisë e “më të varfrit ndër varfër”, të cilët ishin dhe janë në qendër të misionit e të shërbimit të Motrave të së Lumes Nënë Terezë, e edhe të motrës Joshi. Ceremoninë e kremtimit të salikimeve e kryesoi kardinali Telesphore Toppo, kryeipeshkëv i Ranchi (Jharkjand), së bashku me kryeipeshkvin e Kalkutës, izmot Albert D’Souza, e imzot Salvatore Lobo, ipeshkëv i Baruipur. Kremtimi i Meshës së dritës, që zgjati dy orë, u shoqërua nga lutje e himne, të kënduara nga Misionaret e Dashurisë.
83 vjeçari B. Collins, shoqëruar nga një motër rregulltare e Misionareve të Dashurisë për t’i dhënë përshëndetjen e fundit motrës Nirmala, tregon me buzëqeshje në fytyrë: “Ishte gjithmonë një ndihmë e madhe dhe plot buzëqeshje. Si mund të qaj? Ka jetuar një jetë të plotë e ka bërë pjesën e vet të mirë në dobi dhe për mirën e njerëzimit”. Burri i moshuar është nën kujdesin plot dashuri të motrave në shtëpinë e parë ‘Nirmal Hriday’ të themeluar nga Nënë Tereza për të sëmurë e të braktisur, për ata që gjenden në pragun e vdekjes. Dëshiron të vendos një kurorë me lule. “Motër Nirmala iku – shpjegon -, por shpresoj që simotrat e saj ta çojnë përpara punën e bërë deri më tani për të varfrit siç jam unë”.
Gjatë funeralit motër Pema, Eprorja aktuale e Misionareve të Dashurisë, e përshkroi motrën Nirmala si një mishërim të atij guximit e përdëllimit për varfrit që shpalli e kërkoi nga ne Nënë Tereza. “Motër Nirmala përhapi mesazhin e dashurisë e të përdëllimit – tha motër Pema – me të gjithë ata njerëz që takonte. Nuk kishte manipulime, nuk kishte pretendime. Çdonjërit i kushtoi kohën e hapësirën e duhur për t’i kuptuar shqetësimet e vuajtjet e tyre”. “Motrës Nirmala  përherë i buzëqeshte fytyra. Mund ta kemi humbur fizikisht, por ajo vazhdon të jetojë përmes ideologjisë e filozofisë së saj”.
Gjatë 12 vjetëve të udhëheqjes së Urdhrit të Misionareve të Dashurisë, themeluar nga Nënë Tereza në vitin 1950 në Kalkutë, motër Nirmala ka vizituar shumë Vende të botës, duke hapur shtëpi të reja e mbledhur gjithnjë më shumë njerëz pranë Misionareve të Dashurisë, të cilat tani kanë mase 4.500 motra rregulltare që veprojnë në 133 kombe të ndryshme anë e mbarë botës, në shërbim të më të varfëve ndër varfër.








All the contents on this site are copyrighted ©.