2015-06-25 16:24:00

Françesku: të shtohet miqësia katoliko-hebre për paqen në botë


Pesëdhjetë vjet dialog e shumë hapa përpara. Kjo është udha e marrëdhënieve ndërmjet Kishës Katolike e hebrenjve, nënvizuar nga Papa Françesku gjatë takimit me delegacionin e “B’nai B’rith International”, organizatë hebraike e angazhuar në fushën e shërbimeve shoqërore. Atyre, Ati i Shenjtë u vuri në dukje se katolikët e hebrenjtë duhet të punojnë e të luten së bashku për paqen në botë:

         “Mendoj në veçanti, për Tokën Shenjte e Lindjen e Mesme, që kërkojnë angazhim të guximshëm për paqen: ajo, jo vetëm duhet dëshiruar, por duhet kërkuar e ndërtuar me durim e këmbëngulje, me pjesëmarrjen e të gjithëve, veçanërisht të besimtarëve”.

         Ati i Shenjtë foli për besimin dhe vlerësimin, që i lidhin katolikët me hebrenjtë, në bashkëpunimin për të mirën e njerëzimit:

         “Respekti për jetën e për gjithësinë, dinjiteti njerëzor, drejtësia, solidariteti mund të na shohin të bashkuar për zhvillimin e shoqërisë dhe për sigurimin e një ardhmërie të pasur me shpresë për brezat, që do të vijnë”.

         Papa Françesku kujtoi më pas shën Gjonin XXIII, i cili shpëtoi shumë hebrenj gjatë Luftës II Botërore e deshi një dokument konciliar për këtë temë. Pastaj shën Gjon Palin II, i cili bëri gjeste historike si vizita në Aushvic e në Tempullin e Madh të Romës. Ati i Shenjtë uroi që në vitin e 50-vjetorit të Deklaratës konciliare “Nostra Aetate”, “gur kilometrik në rrugën e njohjes së ndërsjellë dhe të vlerësimit ndërmjet hebrenjve e katolikëve”, miqësia ndërmjet dy feve të shtohet gjithnjë e më shumë e të sjellë fryte të bollshme për bashkësitë e për krejt familjen njerëzore.








All the contents on this site are copyrighted ©.