2015-06-24 14:41:00

Papa Françesku: shthurja e familjes peshon rëndë mbi fëmijët


Kur familja shthuret e zbrazet nga dashuria bashkëshortore, shpërbërja shembet mbi kokën e fëmijëve. Janë fjalët e Papës, shqiptuar në audiencën e sotme të përgjithshme, mbajtur në Sheshin e Shën Pjetrit, në një qiell të çuditshëm veror, herë me re e me erë, e  herë me diell përvëlues.

Duke vijuar katekizmin kushtuar familjes, Françesku reflektoi sot për plagët, që hapen në bashkëjetesën familjare, kur në gjirin e familjes, anëtarët i bëjnë keq njëri-tjetrit. Më pas porositi të shoqërohen familjet në situatat e ashtuquajtura të parregullta, që  fëmijët të mos merren peng herë nga ati, herë nga mëma.

Të gjitha plagët e familjes ndikojnë mbi fëmijët

Në familje gjithçka është e lidhur ngushtë, gjithçka bëhet së bashku. Kur shpirti i familjes plagoset në ndonjë pikë, sëmundja u ngjitet të gjithëve. Papa Françesku kujtoi se të  gjitha plagët e të gjitha braktisjet e etërve e të mëmave, hapin plagë edhe në korpin e në shpirtin e fëmijëve:

“Kur një burrë a një grua, që  u zotuan të jenë një trup i vetëm e një shpirt i vetëm e të formojnë një familje të vetme,  nisin të mendojnë vetëm për  të ruajtur lirinë e tyre, për të mbrojtur interesat e tyre, një sjellje e tillë hap plagë të thella në zemrën e në jetën e fëmijëve. Shpesh herë fëmijët shkojnë e  fshihen në ndonjë skutë, për të qarë në vetmi”.

Lëndim i dashurisë

Duke u nisur nga fragmenti i Ungjillit të Mateut, në të cilin Jezusi i porosit të rriturit të mos i shkandullojnë të miturit, Papa reflektoi për faktin se në asnjë histori familjare nuk mungojnë çastet, në të cilat ndjenjat më të bukura e më delikate, fyhen nga sjellja e anëtarëve të saj. Fliten fjalë, bëhen punë, lejohen lëshime që, shtoi Papa, në vend që të shprehin dashuri, shprehin të kundërtën, madje shpesh edhe e lëndojnë këtë ndjenjë, që duhet të jetë zemra e jetës në çdo familje:

“Kur këto plagë, që janë ende të shërueshme, lihen pas dore, mahisen edhe më keqas: shndërrohen në prepotencë, në armiqësi, në përbuzje e poshtërim. E kur arrihet në këtë pikë, mund të krijojnë edhe hendeqe të thella, që i ndajnë burrin e gruan e i shtyjnë ta kërkojnë gjetiu mirëkuptimin, ndihmën, ngushëllimin. Por shpesh këto lloj “mbështetjesh” nuk kanë të bëjnë fare me të mbarën e familjes".

Shthurja rëndon mbi fëmijët

Kur dashuria bashkëshortore zbehet e shuhet, vijoi të reflektojë Françesku,  në marrëdhëniet familjare nisin fyerjet, ndeshjet, që gjithnjë më shpesh peshojnë rëndë mbi fëmijët. Duke kujtuar lumin e fjalëve për ndjeshmërinë tonë, në dukje e evoluar, për analizat tona të rafinuara psikologjike,   bisedat pa fund kushtuar trazirave në sjellje, shëndetit psikik, mirëqenies së fëmijës, ankthit të prindërve e të fëmijëve, Papa bën pyetjen: “Thua jemi anestetizuar aq, sa të mos i shikojmë e as të mos i ndjejmë plagët e hapura në shpirtin e fëmijëve?”:

“Sa më shumë bëhen përpjekje për t’i shpërblyer dhimbjet e tyre me dhurata e ëmbëlsira, aq më shumë humbet kuptimi i plagëve më të dhimbshme e më të thella të shpirtit”.

Vendimet e gabuara dëmtojnë fëmijët

Duke shikuar familjet, në të cilat anëtarët e trajtojnë keq njëri-tjetrin, e edhe i bëjnë keq, deri në atë masë, sa të këpusin lidhjen e besnikërisë bashkëshortore, Françesku i fton të ndalen një çast e të mendojnë për barrën e rëndë, sa mali, që  shembet mbi shpirtin e fëmijës, kur familja  zgjedh rrugë të gabuara:

“Kur të rriturit nuk mendojnë më me kokë, kur secili kujdeset vetëm për vetveten, kur babai e nëna i bëjnë keq njëri-tjetrit, shpirti i fëmijës vuan, e shumë. Aq sa, herë-herë, të arrijë në dëshpërim. Fëmijës i hapen plagë, që lënë vraga të thella për gjithë jetën”.

Përballë dhunës e indiferencës, ndarja është pashmangshme

Nga ana tjetër, vëren Papa, ka edhe raste në të cilat ndarja është e pashmangshme:

“Nganjëherë, madje, mund të bëhet edhe moralisht e nevojshme, kur është fjala për ta shpëtuar bashkëshortin më të ligshtë, ose fëmijët më të vegjël, nga rreziku i thellimit të plagëve, të hapura nga prepotenca e dhuna, nga poshtërimi e shfrytëzimi, nga tëhuajtja e indiferenca”.

Nuk mungojnë edhe ata që, të mbështetur nga feja e nga dashuria për fëmijët, e dëshmojnë deri në fund besnikërinë e tyre ndaj një lidhjeje në të cilën besuan, edhe pse duket e këputur përgjithmonë e pa shpresë rikthimi në zanafillë. Por jo të gjithë  bashkëshortët e ndarë e ndjejnë këtë thirrje, jo të gjithë i përgjigjen, në vetmi, thirrjes që u drejton Zoti:

“Rreth nesh shikojmë familje të ndryshme, në situata të ashtuquajtura të parregullta - mua nuk më pëlqen fare kjo fjalë - e nisim e bëjmë një mori pyetjesh: ‘Si t’i ndihmojmë? Si mund të shoqërohen? Si t’i mbështesim, që fëmijët të mos jenë peng i atit a i nënës?’”.

Vizita baritore në Torino

Papa ftoi, për t’i dhënë përgjigjet e duhura gjithë këtyre pyetjeve, t’i kërkojmë Zotit një fe të fortë, që të mund ta shikojmë realitetin me sytë e Tij; e t’i kërkojmë edhe një dashuri të madhe, për t’iu afruar njerëzve me zemrën e Tij të mëshirshme.

Në përshëndetjet përfundimtare në gjuhë të ndryshme, mendimi i Atit të Shenjtë shkoi tek vizita baritore në Torino, me rastin e ekspozimit të Sindonës, në dyqindvjetorin e lindjes së Shën Gjon Boskos. Papa i falënderoi torinezët dhe piemontezët për pritjen e ngrohtë. E falënderoi edhe Kishën vendase, imzot Nosiglia-n, kryeipeshkëv i Torinos si dhe të gjithë ata, që ndihmuan për realizimin e vizitës:

“U ndjeva vërtet në shtëpi time, i pushtuar nga dashuria juaj e nga mikpritja juaj. Zoti ju bekoftë të gjithë, ju e qytetin tuaj të bukur”.

Më pas Papa përshëndeti, ndërmjet tjerëve, anëtarët e shoqatës “Fe e Dritë”, Grupin e përbërë të punës të Kishës katolike dhe Këshillit Ekumenik të Kishave, Federatën e bujqve italianë e edhe shtegtarët e Udhës Fracigjene, me veshjet e tyre tipike, që të kujtojnë shtegtimet  drejt shenjtëroreve të mëdha në shekuj. 








All the contents on this site are copyrighted ©.