2015-06-24 13:30:00

Ipeshkvijtë amerikanë: liri, për të dëshmuar fenë


Liria fetare është më e rëndësishmja, dhuratë e Zotit “e vulosur në zemrën e çdo njeriu, themelore për dinjitetin njerëzor”. Fjalët janë të kryetarit të Komisionit për lirinë fetare në Konferencën Ipeshkvnore të SHBA-ve, imzot William Lori, i cili hapi të dielën, në Baltimorë, fushatën vjetore për lirinë fetare “Fortnight for Freedom” (Dy javë për lirinë).

Gjithnjë e më e vështirë për të krishterët të dëshmojnë lirisht fenë

         “Liri për të dëshmuar” është tema e këtij edicioni të katërt, përqendruar në të drejtën e katolikëve amerikanë për t’i shërbyer së mirës së përbashkët, sipas besojmës së tyre. Parim ky, i vënë gjithnjë e më shumë në shënjestër edhe nga ligjet e fundit amerikane. Reforma aktuale shëndetësore, për shembull, u imponon punëdhënësve të mbulojnë edhe shpenzimet për shërbime e për ilaçe, që s’përputhen me mësimet e Kishës Katolike. Institucionet fetare, siç denoncoi imzot Lori në një meshë, ku morën pjesë rreth njëmijë vetë, rrezikojnë sot të humbasin lirinë për të kryer misionin e tyre e për të mbrojtur familjen. Mund të mos jesh dakord me mësimet e Kishës, nënvizoi ai, por tjetër gjë është t’i pengosh katolikët ligjërisht të praktikojnë fenë e tyre.

Dy javë mobilizim

         Fushata nisi për herë të parë në vitin 2012, e çdo vit, fillon më 21 qershor, në festën liturgjike të shën Gjon Fisherit e të shën Tomas Morit, pajtor i politikanëve. Përfundon më 4 korrik, në festën e Pavarësisë. Gjatë këtyre dy javëve zhvillohen lutje, reflektime, katekizëm e manifestime, me ndihmën e materialit të bollshëm informativ për të mobilizuar bashkësinë katolike e për të tërhequr vëmendjen e opinionit publik ndaj kësaj teme të rëndësishme. 








All the contents on this site are copyrighted ©.