2015-06-24 17:16:00

24 qershor, festa e lindjes së shën Gjon Pagëzuesit


Sot, Kisha Katolike kremton festën e lindjes së shën Gjon Pagëzuesit, Pararendësit të Jezu Krishtit, Mesisë. Me përjashtim të shën Marisë, është i vetmi shenjt, të cilit i kujtohet lindja, përveç ditës së vdekjes, që bie më 29 gusht.

         Janë Ungjijtë, që na tregojnë se ishte bir i Zakarisë dhe Elizabetës, të cilët e lindën në moshë të shtyrë. Pikërisht, kur Elizabeta ishte në muajin e gjashtë të shtatzanisë, Zoja shkoi tek ajo për vizitë dhe i thuri Zotit lavdet, që kanë mbetur edhe sot në një nga himnet më të bukura të historisë, në “Magnificat”-in(Zemra ime e madhëron Zotin) e njohur për mrekullitë, që Hyji po bënte për ta shpëtuar njerëzimin.

         Shën Gjoni, emri i të cilit në hebraishte do të thotë “Zoti është i volitshëm”, pra është aty ku nevojitet, lindi në Ain Karim, 7 km larg Jeruzalemit.

         I vetëdijshëm për misionin, që i ishte besuar, në moshë madhore, u tërhoq në shkretëtirë, për të jetuar si oshënar, i veshur vetëm me lëkurë deveje, me një rryp në brez, i ushqyer me mjaltë të egër dhe me karkaleca. Në vitin e 15-të të perandorisë së Tiberit (28-29 para Krishtit) filloi të shpallte përgjatë lumit Jordan, ardhjen e shpejtë të mbretërisë mesianike, duke i nxitur njerëzit të ndryshonin e të pendoheshin. Të shumtë ishin ata, që vinin për ta dëgjuar, nga e gjithë Judea, nga Jeruzalemi e nga viset përreth Jordanit. Në shenjë pastrimi nga mëkatet e rilindjeje në një jetë të re, shën Gjoni i zhyste njerëzit në lumë për pagëzimin e pendesës e për shlyerjen e mëkateve. Që këndej, emri shën Gjon Pagëzuesi.

         Ungjijtë i japin shumë rëndësi, duke e ndërthurur vazhdimisht jetën e predikimet e tij me veprën e Jezu Krishtit. Profet i fundit e apostull i parë, shën Gjoni e shkriu dhe e dhuroi jetën për misionin e tij. Iu pre koka, prandaj nderohet nga Kisha si martir. Edhe ai, si shumë të tjerë, u flijua për tekat e të pushtetshmëve të kohës. Gjithkush e di kërkesën e Salomesë, bijës së Herodiadës, që i kërkoi Herodit t’i falte kokën e shën Gjon Pagëzuesit, pas vallëzimit që i pëlqeu aq shumë pushtetarit të kohës. Që gjithsesi, nuk arriti ta pengojë kultin e shenjtit, i cili nderohet kudo edhe sot. Në Shqipëri, emrin e tij e mban Shëngjini (apo Shëngjoni), por në festë ishin edhe Hoti, Fushë Derveni, e Fushë Mamurrasi, si edhe dy famulli kushtuar atij në Kosovë.








All the contents on this site are copyrighted ©.