2015-06-23 14:06:00

Të ecim përpara në besnikëri ndaj Ungjillit e në shërbim të popullit. Kjo u ripohua nga asambleje kishtare


Menjëherë pas përfundimit të punimeve treditore të Asamblesë së Kishës katolike të Shqipërisë, mbajtur në Shkodër nga 18 deri më 20 qershor, me dom Gjergj Metën përshkojmë përmbajtjen e çasteve vëllazërore që u jetuan në mënyrë korale e të përzemërt nga e tërë Kisha e përfaqësuar nga ipeshkvijtë, meshtarët, rregulltarë, rregulltare e besimtarët laikë. Tema e Asamblesë kishtare ishte: Gëzimi Ungjilli dje-sot-nesër: Kisha katolike në Shqipëri

Dashuria për Kishën e Krishtit nga ana e të gjithëve; Përzemërsia e respekti në fjalime, analiza, diskutime e propozime; motivimi për të ecur përpara me një hov të ri e të përtërirë; durimi e dëshira për të dëgjuar fjalën e të gjithëve e nga të gjithë; prania e ipeshkvijve, të cilët dëgjuan me vëmendje të pranishmit; bindja se askush nuk mund të punojë vetëm, i shkëputur, i izoluar nga Trupi Mistik i Krishtit, Kisha, janë vetëm disa elemente që karakterizuan Asamblenë e përmendur të Kishës katolike në Shqipëri, po më hollësisht të ndjekim bisedën e dom David Gjugjës me dom Gjergj Metën....

Dita e parë e Asamblesë kombëtare të Kishës katolike në Shqipëri

Asambleja kombëtare e Kishës Katolike nisi punimet e saj pasditen e datës 18 qershor 2015 me himnin lutje drejtuar Shpirtit Shenjt ‘Veni cerator spiritus’. Drejtimin e punimeve të pjesës së parë e udhëhoqi françeskani Atë Gazmend Tinaj O.F.M.  

Ar ipeshkvi i Shkodër-Pultit Imzot Angelo Massafra në fjalën e tij përshëndetëse shprehu gëzimin për këtë Asamble kishtare të Shqipërisë. Ai falënderoi Zotin për meshtarët dhe të gjithë ata që kanë punuar e sakrifikuar jetën e tyre për Ungjillin gjatë periudhës komuniste. Një falënderim u shkon edhe atyre që kanë shërbyer në Kishë në këto vite arbërore pas rënies së komunizmit në Shqipëri. Dëshira për të analizuar dhe për të ecur përpara në besnikërinë ndaj Ungjillit është qëllimi i kësaj asambleje. Arqipeshkëvi i Shkodrës falënderoi edhe dy Nuncat Apostolikë, Kardinalin Ivan Dias dhe të ndjerin Imzot Giovanni Bullaitis. Po ashtu u propozua edhe dërgimi i një letre përshëndetjeje për Papën Françesku dhe për Kardinalin Diaz.

Më tej fjalën e mori Nunci Apostolik në Shqipëri, Imzot  Ramiro Molinar Ingles, i cili menjëherë tha se ndjejmë afërsinë e Papës Françesku. Ai bëri një përshkrim historik të trevave shqiptare që janë orvatur në shekuj ndërmjet lindjes dhe perëndimit, bizantit dhe kishës latine. Sidomos gjatë kohës së pushtimit otoman të krishterëve shqiptarë iu është dashur të ruajnë besimin ndërmjet shumë vështirësish. Kleri katolik në traditën shqiptare ka dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm në fushën fetare kulturore dhe politike - theksoi Nunci. Regjimi komunist përkon me vite të tmerrshme për Kishën, me përndjekje e martirizim që arrin kulmin e saj më vitin 1967. Vitet e lirisë pas komunizmit janë shumë të rëndësishme për ringritjen e Kishës. Gjon Pali II me vizitën e tij në vitin 1993 rithemelon hierarkinë katolike shqiptare. Një Kishë e përndjekur, martire, por edhe e lavdishme. Krishti është jetuar këtu qysh në shekujt e parë - theksoi Nunci Apostolik. Rithemelimi i hierarkisë e rilidh Kishën e Shqipërisë me traditën e saj apostolike. Një falënderim u shkon Kishave që janë treguar të gatshme në misionaritetin e tyre.

Vizita e Papës Françesku, një vizite historike, ka treguar gjithë afërsinë e këtij Pape për Shqipërinë. Papa na fton të dalim tashmë jashtë Kishave për t'ua treguar Krishtin atyre që janë jashtë. Është jeta pastorale ajo që na kërkohet. Po ashtu ekumenizmi është një fakt shumë i rëndësishëm. T'u afrohemi atyre që janë të varfër e të mënjanuar. Të shikojmë drejt të ardhmes me shpresë. E ardhmja nuk varet nga ne, sepse po të ishte kështu do të ishte një e ardhme e errët - vazhdoi Nunci - ajo është në duart e Shpirtit Shenjtë. Duhet me zbulua forma të reja, stile jetese të reja, ja ky është Ungjillëzimi i ri. Katekeza dhe të rinjtë janë një sfidë e madhe për të ardhmen - përfundoi Nunci në përshëndetjen e tij.

Imzot Agustini mori fjalën për të shpjeguar punimet e asamblesë dhe programin e saj. Ungjillëzimi i ri është një rimendim i veprimit misionar - shpjegoi Imzot Avgustini, ipeshkëv i Sapës. Është një përmbledhje e re mes ungjillit dhe jetës. Ungjillëzim i ri në aeropagët e rinj: bota e komunikimit të ri.

Imzot Rrok Mirdita mbajti fjalimin e parë rreth jetës së Kishës në Shqipëri dje dhe sot. Në ligjëratën e tij ai hodhi një vështrim gjithëpërfshirës ku u prekën tre etapa kryesore: Etapa e parë 1991-1993 që përkon me fillimet pas rënies së komunizmit deri në vizitën e Papës Gjon Pali II më 25 prill 1993; Etapa e dytë 1993-2000 e cila përkon me shugurimin e meshtarëve të parë shqiptarë në Katedralen e Shkodrës me datë 29 qershor 2000; dhe periudha e fundit 2000- shtator 2014 me vizitën e Papës Françesku.

Marksizmi ateist - tha Imzot Mirdita - jo vetëm nuk e kishte vënë në gjumë Kishën, por përkundrazi ajo ishte më e gjallë se kurrë. Fillimi i ri ishte një shprehje lirie së cilës iu gëzuan të gjithë. Meshtarët e vjetër nuk ngurruan aspak por filluan misionin e tyre menjëherë. Ne të tjerët stafetën e kemi marrë nga duart e atyre që e kanë mbrojtur me gjakun e martirëve. Një dëshmi personale vitit 1991 kur erdha për herë të parë. Në Shkrel pashë, kur shkova të them meshë, se Kisha në Shqipëri, nuk kishte vdekur, por ishte e gjallë. Teksa shihja ato rrëke njerëzish ngjyra-ngjyra që vinin për meshë u krijua një imazh që më ka shoqëruar për shumë kohë - vazhdoi Arqipeshkëvi i Tiranës. Hyji ua ka shpërblyer atyre qe kanë vuajtur. Ç'befasi u ka përgatitur Hyji atyre fëmijëve e të rinjve që jetojnë sot gëzimin e fesë së marrë prej atyre që kanë vuajtur. Angazhimi ynë është besnikëri ndaj Hyjit dhe atyre që na kanë dëshmuar bukurinë e fesë nëpërmjet martirizimit. Gjatë kësaj periudhe janë ndërtuar strukturat bazë për ungjillëzimin. Janë bërë struktura të cilat nuk janë të përsosura, por që kanë nevojë të përsosen. Më tej Imzot Mirdita foli për Kishën duke nisur nga përvoja e tij baritore si Arqipeshkëv i Tiranës qysh nga emërimi i tij në dhjetor të vitit 1992 e deri më sot. Janë bërë hapa gjigande. Katedralja dhe kompleksi i Arqipeshkëvisë së bashku me kisha, vepra të tjera shkollore e qendra sociale është kurorëzimi i një pune të gjatë e të madhe. Më pas ai foli për organizimin e Kishës në dy Motropoli në vitin 2005.

Arqipeshkëvi foli edhe për pluralizmin fetar dhe dialogun. Feja nuk mund te kthehet në një ideologji. Ajo është zbulim i lirë i Hyjit dhe pranim i lirë i njeriut. Në këtë liri qëndron dinjiteti i njeriut. Askush nuk mund të detyrojë askënd të besojë. Liria e religjionit është një liri themelore. Pluralizmi fetar nuk na shqetëson. Ajo është e hapur për bashkëpunim. Shkollat tona janë të hapura për të gjithë, të krishterë e myslimanë, e po ashtu ndërmjet krerëve fetarë ka bashkëpunim.

Në vitin 2000 u bënë shugurimet e para. Meshtarët shqiptarë ndonjëherë ndoshta nuk janë vlerësuar aq sa duhet, por janë lënë në vendet e dyta. Askush nuk i njeh nevojat e shpirtit shqiptar si ata. Meshtarët shqiptarë, kleri vendas duhet të mësojnë gjithashtu edhe përvujtërinë. Për të ardhmen duhet të pyesim veten: A jemi kujdesuar sa duhet për të ushqyer zemrën e të rinjve dhe dëshirën e tyre për meshtarë? A i është kushtuar sa duhet vëmendje formimit të klerit? Gjithnjë në lidhje me të ardhmen Imzot Mirdita foli për laikët. Në përmbyllje një fjalë për laikët. Pa popullin e Hyjit ne do të ishim endacak...në mënyrë të veçantë të rinjtë kanë pyetje që ne kemi për detyrë të përgjigjemi.  

Pas Imzot Mirditës, Imzot George Frendo, Ipeshkëv Ndihmës i Tiranës, foli për Porosinë Apostolike të Palit VI Evangelii nuntiandi. Qëllimi i ungjillizmit është pikërisht ky kthim i brendshëm. Ungjillizimi nuk mund të identifikohet me dialogun. Ungjillizimi dhe kultura: kisha në dialog dhe e aftë të dialogojë me kulturën dhe me kulturat. Aktualiteti i kulturës ne botën e mediatizuar është i rëndësishëm që kisha të mund të mos rrijë jashtë. Imzot Frendo pyeti veten dhe të gjithë të pranishmit në Kisha katolike në Shqipëri a është në sintoni me gjuhë e kulturës së sotshme për një ungjillëzim të ri?

Pas tij fjalën e mori Znj.sha Elona Mehmetaj e cila foli për angazhimin e Karitasit shqiptar duke u ndalur në mënyrë të veçantë në sektorin e shëndetësisë dhe në atë social në mënyrë të veçantë sektorin e trafikimit. Gjatë prezantimit të punës së Karitasit pati disa linja të përgjithshme, por mungoi një vështrim retropsektiv qysh nga fillimet e Karitasit në Shqipëri duke vënë theksin vetëm në vitet e fundit (2008 e deri sot) e sidomos munguan shifra dhe statistika.

Më pas pati ndërhyrje nga salla të cilat theksuan nevojën e lutjes për ungjillëzimin e sidomos nevojën e angazhimit social të kishës ndaj skllavërive të reja. Por gjithashtu u kujtua se angazhimi social i Kishës nuk mund të reduktohet vetëm me veprimtarinë e Karitasit, por duhet të ishte më gjithpërfshirës.

Dita e dytë e asamblesë

Nga ana e Imzot Lucjan Avgustinit u lexua një letër e ardhur nga motrat klarise dhe karmelitane në përshëndetje të asamblesë kombëtare të Kishës në Shqipëri. Motrat, ndërsa i urojnë punë të mbarë asamblesë, garantojnë lutjet e tyre për punimet. Kisha në Shqipëri shihet nga këto motra të jetës kundruese si agimi i një dite që nuk perëndon kurrë. Motrat shprehin bashkimin e tyre me të gjithë asamblenë.

Z. Lugj Mila drejtoi takimin e sotshëm paradite. Don Lorenzo Rossetti ishte folësi i parë i kësaj dite. Ai foli për Porosinë Apostolike të Papës Françesku Envangelii gaudium një shenjë në një periudhë të re. Po asistojmë në largimi përfundimtar nga sistemi i shoqërisë së krishterë. Gëzimi i ungjillit dhe Evangeli nuntiandi janë në vazhdimësi me njëra tjetrën. Evangelii gaudium është për të krishterët katolikë një nxitje për një kishë që nuk rri e mbyllur, por që del jashtë. Qëllimi i tekstit është për të nxitur një lëvizje reformuese të Kishës në sensin misionar.

Evagelii gaudium sjell një risi në faktin që Kisha identifikohet plotësisht me misionin. Kisha është mision. Kisha duhet të jetë në dalje e nuk mund të qëndrojë brenda në kishë. Kisha në dalje merr nismën dhe iniciativë për të takuar dhe festuar bashke me njerëzit.

Kisha në Shqipëri duhet të jetë një Kishë më festuese se në këtë mënyrë rrezaton Ungjillin. Kërkohet nga Papa një kthim baritor. Kërkohen bashkësi komunionale. Tundimet e vepruesve baritore: dembelia, pesimizmi, karrierizmi. Kërkohet thjeshtësi, varfëri e sidomos kujdes ndaj vendeve periferike. Jo luftës midis nesh - ndonjëherë ka luftë midis nesh: thashetheme, rivalitete. Të flasim me parrezi e të kërkojmë falje. "Flisni me parrezi e dëgjoni me përvujtëri" - na porosit Papa Françesku.

Individualizmi, kriza e identitetit dhe mungesa e entuziazmit janë karakteristikë të shumë operatorëve baritorë sot. Për meshtarin homelia është momenti kur fjala e Zotit i flet më parë personalisht meshtarit e më pas të tjerëve. Buka e fjalës të thyhet e të ndahet gjithmonë. Predikimi është i lidhur ngushtë me kultin e të vërtetës.

Dimensioni shoqëror i ungjillëzimit zë kapitullin e katërt. Nuk mund të ndahet doktrina e kishës nga mendimi i saj social. Dinjiteti dhe vëllazëria janë dy fjalë kyçe për këtë kapitull. Paqja shoqërore dhe dialogu shoqëror.

Në kapitullin e pestë kërkohet një misitikë e misionit. Shikimi i Zotit në të gjitha gjërat - ubi caro umana ibi caro Christi.

Pas relacionit pati ndërhyrje. U pyet relatori se si mund të jetë më konkrete për Kishën shqiptare kjo porosi apostolike e Papës. Çfarë do të thotë dialog shoqëror këtu në Shqipëri? Nga salla në më shumë se një ndërhyrje u kërkua edhe konkretësi për realitetin shqiptar. Lumen Gentium mund të jetë esenca ndërsa Evangelii gaudium forma e ungjillizimit. Gëzimi i ungjillit në një shoqëri te korruptuar, punëtorëve...çfarë shprese mund tu japim në këtë ambient?  - pyeti dikush nga të pranishmit në sallë.

Sipas rendit të ditës Komisioni i Katekezës do të paraqiste punën e bërë.

Në fillim foli Imzot Lucjan Avgustini (...) e më pas folën disa anëtarë të këtij komisioni.

Znj.sha Angjelina Gjeka bëri një historik të katekezës në Shqipëri dje dhe sot. Në paraqitjen e saj, ndërsa riktheu në kujtesën e të gjithëve ato vitet e para të lirisë fetare në Shqipëri, Angjelina në fund theksoi në formën e një provokimi nevojën e angazhimit të laikëve në katekezë si një element i domosdoshëm për të ardhmen e Kishës. Sidomos ajo vuri në fokus përgatitjen sa më të mirë të katekistëve laikë për këtë gjë.

Më pas Don Enzo Zago flet për pyetësorin e shpërndarë për të cilin janë përgjigjur shumë pak famulli.  Nga pyetësor kanë dalë në pah disa probleme: Cektësia e të rinjve përballë propozimeve të katekezës; mungesa e pjesëmarrjes dhe bashkëpunimit të prindërve; mos frekuentimi im ëshë nga ana e fëmijëve të katekizmit dhe nga ana e katekistëve.

Megjithatë nga të dhënat ka shpresa së paku për pjesmarrjen e të rinjve të paskrezmimit nëpër famulli. Të dhënat janë inkurajuese. Dëshirohet një shkollë formimi për katekistët. Dhe ka një nevojë e cila ndahet nga të gjithë, hartimi i një teksti katekeze të përbashkët dhe të inkulturar për të gjithë Shqipërinë.

Në ndërhyrjet nga publiku u theksua nevoja e një katekizmi të përbashkët, një katekizmi të inkulturuar e sidomos mbi metodat e dhënies së katekizmit.

Në fillim të pasdites foli edhe Don Bledar Huba për këtë argument. (…)

Pasditja nën drejtimin e Motër Teuta Bukës vazhdoi me Komisionin për Familjen, rininë, laikët dhe thirrjet e drejtuar nga Imzot Ottavio Vitale 

Në fjalën e tij Imzot Vitale theksoi se Familja është vendi i parë në të cilin personat provojnë jetën njerëzore dhe përmasën shoqërore të marrëdhënieve. Është themeli i shoqërisë. Familja e krishterë, pastaj, duke qenë e themeluar mbi sakramentin e martesës është manifestim i bashkimit që është në Hyjin, midis Atit e Birit e Shpirtit. Pa pjesëmarrjen aktive të familjes nuk mund të çohen përpara në mënyrë të efektshme itineraret e periudhës në krishterim të fëmijëve dhe të të rinjve, as nuk mund të realizohet baritorja rinore dhe as vetë baritorja e thirrjeve.

Më pas ishte edhe dëshmia e një çifti të martuarisht Natale dhe Diana. Familja shqiptare, dikur ishte e tëra tradicionale dhe patriarkale, e cila mbështetej në një bashkësi të gjerë njerëzish.  Edhe familja shqiptare, siç ndodh në mbarë shoqërinë botërore, është përfshirë tashmë nga krizat e pakthyeshme që çojnë drejt Divorcit. Familjet po shpërbëhen dita ditës. Ka filluar të bjerë në sy se si dëshira për emancipim, emancipim i kuptuar mbrapsht, po e çon familjen në zhveshjen e atyre vlerave që përcaktohen nga të jetuarit në bashkësi.

“Familja është një vend tek i cili dashuria nuk vdes kurrë, nuk mbaron kurrë. Kjo është familja e menduar nga Hyji. Nëse kjo dashuri vdes nuk është më familja që ne mendojmë. Në kohë ajo do të ndërrojë shije, do të marrë të tjera ngjyra, por është një dashuri që duhet të zgjasë.

Natale dhe Diana kërkuan në fakt më shumë afërsi të meshtarëve dhe njerëzve të shuguruar ndaj familjes.

Pas Natale-s dhe Dianës fjalën e morën komisioni për të rinjtë. Motër Rita (…) foli për kontekstin aktual në të cilin jetojnë të rinjë shqiptarë dhe sa ky kontekst i mbrujtur me individualizëm dhe konsumizëm ndikon në jetën dhe formimin e tyre. Dy të rinj Vilsoni dhe (…) paraqitën pyetësorin që kishin përgatitur me të rinjtë dhe përgjigjet e tyre në të cilat binin në sy entuziazmi për besimin, por në të njëjtën kohë edhe nevoja që ata kanë dhe kërkesa e tyre që të ndjenin më shumë afërsinë e meshtarëve dhe të motrave në jetën e famullive të tyre. Një aspekt tjetër i rëndësishëm ishte edhe baritorja e Universiteteve për të cilën foli motër Rita.

Dita e tretë e punimeve

Paraditja e ditës së tretë të punimeve u moderua nga Don Marjan Gega. I ishte lënë dy komisioneve të tjera, ai i Klerit dhe jetës së Kushtuar dhe ai i Edukimit dhe mediave, të udhëhequra respektivisht nga Imzot Angelo Massafra dhe Imzot Cristoforo Palmieri.

Komisioni i Klerit dhe jetës së kushtuar u përfaqësua nga Motër Marjeta (…) e cila lexoi relacionin e Atë Giovanni Peragine, presidenti i KSHEL-it i cili nuk ishte i pranishëm, dhe don Gjergj Meta i cili foli për pyetësorin për klerin.

Në fillim Imzot Cristoforo Palmieri prezantoi dy folësit. Në relacionin e tij të lexuar nga Motër Marjeta, Atë Peragine, ka zbërthyer, duke iu referuar realitetit shqiptar të rregulltarëve dhe rregulltareve fjalët e Ungjillit sipas Mateut “ shkoni, bëjini nxënës të mi të gjithë popujt dhe mësojini të zbatojnë gjithçka ju kam urdhëruar”. Në këtë relacion ai del me disa pika orientuese. Së pari: një përfshirje gjithnjë e më aktive e laikëve në jetën e Kishës dhe të bashkësive tona; së dyti një bashkëpunim më i madh mes instituteve rregulltare; së treti dimensionet e strukturave dhe përkormëria në stilin tonë të jetës.

Një kishë në dalje kërkon edhe nga ana e rregulltarëve që t’i binden urdhrit të Zotërisë “…shkoni”. Për të bërë këtë Atë Peragine tregon dy stile jete: Stili i eklezialitetit: të veprojmë si Kishë dhe jo si individë dhe Stili i afërsisë: të njohim, të informohemi dhe të jetojmë kontekstin.

 Vazhdon: Të mos mbyllemi në vetvete, të mos lejojmë të na merret fryma prej problemeve të vogla të shtëpisë dhe të mos mbetemi robër të problemeve tona. Por të dalim prej vetvetes, t’i lirojmë bashkësitë tona nga një stil jete, nga një mënyrë e organizimit dhe administrimit të jetës sonë si bashkësi të vjetra dhe tashmë pa shpirt, ku gjithçka zgjidhet në zbatimin formal të orareve dhe të rregullës.” Për të bërë këtë lind nevoja e një shërbimi të autoritetit më të bashkëndarë, në vëmendjen e individëve dhe për të mirën e përbashkët. Gjithashtu, dëshirohet një shoshitje më bashkësiore e vendimeve. Përballë sfidave të reja që paraqiten ka nevojë për persona të rinj në shpirt. Është e nevojshme të mendojmë për bashkësi më të hapura në mënyrë që të bashkëndahet edhe përjashta përvoja e brendshme. Jo vetëm bashkësia, por krejt jeta bashkësiore është për Kishën dhe në shërbim të saj. Le ta dëshmojmë nëpërmjet një bashkëndarjeje më të hapur bukurinë e jetës sonë bashkësiore.

Më pas foli Don Gjergj Meta për situatën e klerit. Nga pyetësori i shpërndarë për jetën e klerit se si ata shohin të kaluarën të tashmen dhe të ardhmen e Kishës në Shqipëri në lidhje me punët e bëra, shërbesën e fjalës, formimin meshtarak dhe përvojat e reja të ungjillëzimit, del se ndër ato pak meshtarë që janë përgjigjur (15 në 160), ka një pozitivitet në analizën e së shkuarës, por dëshirë për të bërë më mirë për të ardhmen.

Meshtarët kanë dëshirë të provohen forma të reja ungjillëzimi e po ashtu kërkojnë nga ana e ipeshkvijve më shumë kolegjialitet e më shumë bashkëpunim për një pastorale të përbashkët. Neglizhenca e meshtarëve që nuk i janë përgjigjur pyetësorit ka një arsyet e veta që duhen sigurisht parë me vëmendje. Përveç mungesës së komunikimit në kohë, mund të jetë edhe fakti që ndoshta nuk kemi dëshirë të flasim shumë për veten e të vihemi në diskutim.

Megjithatë të gjithë ndjejnë nevojën e një përfshirje më të madhe në jetën e shoqërisë dhe një parrezi (sinqeritet) në dimensionin profetik të Kishës sidomos në çështjet sociale.

Në ndërhyrjet nga salla u theksua nevoja e një dëshmie më të madhe të meshtarëve në jetën e Kishës e gjithashtu edhe angazhimi i laikëve në jetën e Kishës më shumë.

Në pjesën e dytë të paradites u paraqit komisioni i fundit për Edukimin dhe mediat. Në fillim Imzot Massafra presidenti i komisionit, paraqiti folësit. Në një pjesë të parë folën Atë Viktor Demaj, Dom Nikë Ukgjini dhe më pas dom Prekë Lazraj. Ata paraqitën respektivisht një shikim retrospektiv të historisë së shtypit në Kishën Katolike në Shqipëri, situatën e shtypit aktual dhe punën e  Radio Marisë. Më pas Imzot Massafra bëri disa propozime për të ardhmen. Në mënyrë të veçantë u theksua nevoja e përsëritur e një organi shtypi kombëtar si dhe e një portal online në mënyrë që të informohemi sa më shumë për jetën e Kishës dhe të shoqërisë.

Në pjesën e fundit Motër Teuta Buka bëri një analizë të shkëlqyer të situatës së edukimit dhe sfidat e këtij edukimi në Shqipëri. Shkollat katolike janë një fetë e madhe e arsimit privat në vend edhe pse janë pak në krahasim me arsimin kompleksiv. Megjithatë numri i nxënësve është shumë i madh në shkollat katolike dhe ka një kërkesë të vazhdueshme. Motra foli vetëm për edukimin formal duke thënë gjithashtu se numrat janë më të mëdhenj akoma nëse përfshijmë edhe edukimin informal që ndodh nëpër qendrat tona.

Tavolina e rrumbullakët me presidentët e komisioneve dhe me dy relatorët kryesorë u udhëhoq nga Dom Gjergj Meta. U la ende vend për diskutime nga salla në mënyrë që të dilnin ende çështje të rëndësishme. U konstatua se kjo asamble ishte e rëndësishme në mos tjetër për faktin që u gjendëm bashkë e folëm për disa çështje që na shqetësojnë. Klima e përzemërt dhe parrezia në mënyrën e të folurit kanë qenë karakteristikë. Është një hap i parë ky – u theksua nga Don Robert Kola –por një hap i rëndësishëm. Nga salla pati ende ndërhyrje sa i përket çështjes delikate të përgatitjes për martesë dhe për sakramentet. U theksua kriza e martesës si një krizë besimi në fakt e kështu del nevoja e ecjeve të mirëfillta dhe itinerareve për formimin me sakramentet e fillimit të krishterë: pagëzimi, krezmimi dhe kungimi.

Një çështje  e rëndësishme ishte edhe mbështetja që ndjejnë se kanë nevojë misionarët në zonën e Jugut të Shqipërisë. Një motër nga Babica në Vlorë theksoi nevojën e madhe të komunikimit me realitetet katolike të veriut të Shqipërisë. Po ashtu edhe ndonjë misionar tjetër këmbënguli në kërkimin e formave se si Jugu duhet të ndihmohet e të mos lihet në vetminë e tij.

Në fund Imzot Massafra dhe Imzot Avgustini përfunduan duke falënderuar të gjithë pjesëmarrësit dhe ata që kishin punuar për këto tre ditë asambleje kombëtare e para pas 25 vjetësh liri fetare në Shqipëri.








All the contents on this site are copyrighted ©.