2015-06-22 13:28:00

Papa: kërkon falje për dhunën e krishterë kundër valdezëve


Papa e nisi ditën e dytë të vizitës baritore në Torino, me një takim historik: vizitën në Tempullin valdez. Ishte rast i jashtëzakonshëm për të kujtuar frytet e udhës ekumenike, pa harruar edhe vështirësitë. Për herë të parë në histori, një Papë shkel në pragun e një Tempulli valdez. Françesku e kapërceu këtë prag, e edhe kërkoi ndjesë për sjelljet aspak të krishtera në historinë e Kishës, kundër bashkësisë valdeze.

Por Papa kujtoi, në vijim, edhe lidhjen e fuqishme, që i bashkon katolikë e valdezë, pavarësisht nga ndryshimet:  “Një nga frytet  kryesore të lëvizjes ekumenike të këtyre viteve, vijoi Ati i Shenjtë, është rizbulimi i vëllazërisë, e cila i bashkon të gjithë ata, që besojnë në Jezu Krishtin. Është bashkim ende për udhë. Por ne, plot me besim në veprimin e Shpirtit Shenjt, shpresojmë se me lutje, me vijimin e kthesës vetjake e komunitare si edhe me ndihmën e teologëve, do të mund të bëhet bashkim i plotë e i dukshëm në vërtetësi e dashuri”.

Ndjesë për një histori grindjesh

Uniteti, fryt i Shpirtit Shenjt, nuk do të thotë  rrafshim. Për fat të keq, shtoi Papa, ka ndodhur e vijon të ndodhë që vëllezërit të mos i pranojnë ndryshimet e të nisin luftën njëri kundër tjetrit: Duke reflektuar mbi historinë e marrëdhënieve tona, nuk mund të bëjmë tjetër, veçse të trishtohemi përballë grindjeve e dhunës, në emër të fesë, e t’i kërkojmë Zotit të na japë hirin të pranojmë se të gjithë jemi mëkatarë, për të mundur, kështu, ta falim njëri-tjetrin”.

Pas  këtyre fjalëve, Papa kërkoi përvujtërisht falje, në emër të Kishës; “Nga ana e Kishës katolike, ju kërkoj falje për sjelljet jo të krishtera, madje edhe jo njerëzore kundër jush, në rrjedhë të historisë. Në emër të Zotit Jezu Krisht, na falni!”.

Punë e përbashkët për solidaritetin

Papa, pastaj, pohoi se katolikët e valdezët janë të thirrur të  ecin së bashku drejt burrave e grave të ditëve tona, që shpesh duken krejt të çkujdesur, plotësisht indiferentë, për t’u kumtuar Ungjillin. E fushat, në të cilat mund të bashkëpunohet ngushtësisht, veç asaj të ungjillëzimit, janë të shumta: “Një fushë tjetër, në të cilën mund të punojmë gjithnjë më të bashkuar, është ajo e shërbimit ndaj njerëzimit që vuan, ndaj të varfërve, të sëmurëve, emigrantëve”.

Ndryshimet që vijojnë ndërmjet katolikëve e valdezëve, nuk na pengojnë për të gjetur forma bashkëpunimi”: “Nëse ecim së bashku, Zoti do të na ndihmojë ta jetojmë këtë bashkim, i cili i paraprin çdo kundërshtimi”.

Kujtojmë se valdezët, të pranishëm në trojet italiane që në Mesjetë, në udhët e historisë së tyre të gjatë pësuan shumë persekutime e diskriminime nga pushtetet civile e fetare. Prej shekullit XVI e deri në gjysmën e atij XVII, u lejuan të predikojnë vetëm në një zonë të kufizuar, me emrin “Valli valdesi”. Këto toka të Piemontit për shekuj me radhë patën karakteristikat e një getoje të mirëfilltë. Papa hyri në Tempullin më të lashtë, të ndërtuar jashtë “Valli valdesi”, në Corso Vittorio Emanuele II, në Torino, pak vjet pas 1848-tës, kur valdezëve iu njohën të drejtat nga ana e Carl Albertit.








All the contents on this site are copyrighted ©.