2015-06-22 16:00:00

Françesku takohet me familjarët: “Kthim në shtëpi”


“I lumtur për pritjen që i bënë me rastin e “kthimit në shtëpi”, në viset ku e pati zanafillën familja e tij”.  Me këto ndjenja Papa Françesku e vizitoi Kishën torineze të Shën Terezës ku, më 1907, vunë kurorë babagjyshi, Giovanni e nënëbabja, Rosa Vasallo e ku, më 1908, u pagëzua i ati, Mario. Gjest, shkruhet në një notë të Sallës vatikanase të Shtypit që, pak muaj para Sinodit, Papa deshi ta bënte për të ripohuar vlerën e familjes. Në Kishën, ku lindi familja e të parëve të tij, lexojmë, u lut posaçërisht për familjet e për suksesin e Sinodit. Nuk harroi ta puthte Gurrën e Pagëzimit, ku i ati, Mario,  mori sakramentin e parë të krishterë.

Në notë pohohet edhe se Papa është tejet i kënaqur për mikpritjen e ngrohtë, që i bëri Torino në të gjitha takimet, mikpritje, e cila  i kapërceu shumë herë  shpresat e Françeskut. Vizita në Torino, vijon nota, ishte për Bergoglion “kthim në shtëpi”, atje ku shkelte vazhdimisht, sa herë vinte në Itali nga  Buenos Ajres. E këtë radhë, i ardhur nga Roma, e përfundoi vizitën me takimin në kryeipeshkvinë e Torinos me 6 kushërinj të afërt e familjet tyre, gjithsej, 30 veta, me të cilët, pohon nota, u shtrua në një sofër familjare, menjëherë pas Meshës, kremtuar me familjen e tij, për familjet e mbarë botës. 








All the contents on this site are copyrighted ©.