2015-06-21 17:46:00

Papa salezianëve: edukim emergjence për të rinjtë


Pasi drekoi në Kryeipeshkvi, Papa shkoi në Bazilikën e Zojës Ndihmëtare të Torinos, ku u takua me rreth 500 salezianë e Bija të Zojës Ndihmëtare (saleziane), ardhur nga Piemonti, Valle d’Aosta e Lituania. Takim prekës, me rastin e dyqindvjetorit të lindjes së Shën Gjon Boskos (1815-1888). Papa i fundit, që vizitoi Bazilikën, ishte Gjon Pali II, asokohe për të kremtuar njëqindvjetorin e vdekjes së Don Boskos.

Françesku arriti rreth orës 15.00 në Bazilikën e Zojës Ndihmëtare, pas lutjes private në Shenjtëroren e Zojës Ngushëlluese, tek këmbët e së cilës vuri një trëndafil të artë. Ishin të pranishëm disa meshtarë. Në sheshin para Bazilikës e prisnin të rinjtë e oratoreve. 

Takimin e hapi Rektori i Madh i salezianëve, don Angel Fernandez Artime, pasardhësi i dhjetë i Dom Boskos, duke theksuar:

“Të thuash Dom Bosko në Torino, do të thotë të kujtosh një prift, që e shkriu gjithë jetën për rininë, ardhur nga rrethinat e qytetit e nga udhët e Piemontit; të rinj të varfër, pa punë, pa dashuri, pa gëzim, feja e të cilëve qe shuar, sepse askush nuk u bënte katekizëm, nuk ua jepte Lajmin e Mirë të Ungjillit”.

 Mendova shumë për fjalët, që duhet t’ju thosha, pastaj edhe i shkrova”, kujtoi Papa, në fillim të takimit me salezianët. Por tani po më duken tepër formale. Po ia dorëzoj, prandaj, Rektorit të madh, të cilin e njoha në rrëfyestore:

“Jam shumë mirënjohës ndaj salezianëve. Bënë shumë për familjen time, që ishte tejet e lidhur me ta. Nënës sime e babait u vuri kurorë një salezian, misionar në Patagoni, i ardhur nga Lodi. Ai më ndihmoi shumë edhe mua për thirrjen meshtarake. Salezianët më formuan, prandaj jam shumë i lidhur me këtë urdhër, që më mësoi të jem i ndjeshëm. Edhe skuadra ime e zemrës në Argjentinë, skuadër me ngjyrat e Zojës, u themelua nga një salezian”.

Në vitet ‘800, kjo zonë e Italisë ishte antiklerikale, shtoi Françesku, e qyteti i Torinos ishte edhe demoniak, e megjithatë llogaritini sa shenjtorë dolën që këtu. Dom Bosko punoi me të rinjtë, vuri në rrezik deri shërbesën tij, sepse shumëkush nisi ta marrë nëpër gojë. Kisha, e varfëra, duhet të bëjë kthesë, duke nisur nga Papa e teposhtë, por nuk duhet të turpëroheni kurrë nga Shenjtja Kishë Amë, duke ndjekur shembullin e dom Boskos:

“Dom Bosko kishte tri dashuri të bardha: dashurinë për Zojën e Bekuar, për Eukaristinë, për Kishën. Dashuria për Papën nuk është vetëm për një njeri. Papa është kreu i Kishës, është përfaqësues i Dhëndrit të Kishës. Prej këndej, Dom Bosko qe gjithnjë besnik ndaj Kishës e përfaqësuesit të Dhëndrit të Saj”.

Pastaj Ati i Shenjtë u rikthye tek problemet e sotme të rinisë, që ka aq shumë nevojë për salezianët e karizmën e tyre:

“E sot, në Itali, 40% e të rinjve nga 25 vjeç e poshtë, nuk punojnë e as nuk studiojnë. Prej këndej, salezianët duhet ta bëjnë të vetën të njëjtën sfidë  të Dom Boskos, duke i udhëhequr këta të rinj. Dom Bosko i edukonte të rinjtë edhe përmes sportit, vijoi Françesku. Po sot, a i edukojnë salezianët të rinjtë në mjeshtri të urgjencës?”.

Këtë e theksoi fort Papa, pasuar nga ftesa për edukim emergjence. Edhe për pak kohë, por për t’u dhënë një mjeshtri praktike. Diçka, që të jetë burim pune.

Papa preku, kështu, thelbin e punës edukative të salezianëve, atë të formimit e të përgatitjes së të rinjve për jetën profesionale:

“Duhet një edukim sipas masës së krizës, për t’i dhënë atij 40% shi të të  rinjve të papunë, një mjeshtri praktike në sa më pak kohë”.

Fryma krijuese saleziane, shtoi Ati i Shenjtë, ta marrë në duart e veta këtë sfidë, sfidën e edukimit sipas masës së krizës. 

Duke iu drejtuar, pastaj, motrave saleziane, Papa kujtoi:

“Gruaja në Kishë, ka të njëjtën punë, që kishte Zoja e Bekuar me Apostujt në agun e Rrëshajëve. E Apostujt pa Marinë nuk mund të shkonin përpara. Kështu deshi Jezusi. Kur më thonë pse nuk ka asnjë grua në krye të ndonjë dikasteri, përgjigjem se ky është funksionalizëm”.

Duke shkuar, në përfundim, në oratorin e salezianëve, Papa u drejtoi një përshëndetje të shkurtër të pranishmëve:

“Një nga karakteristikat e oratorianit të vërtetë, nënvizoi, është gëzimi. Oratoriani me fytyrë të trishuar, me fytyrë të thartuar, nuk shkon! Gëzim, shumë gëzim! Me këtë gëzim ta kërkoni Jezusin, ta doni Jezusin, ta lejoni t’ju rikrijojë”.








All the contents on this site are copyrighted ©.