2015-06-21 17:32:00

Lidhja e pakëputur e Françeskut me Torinon


 Françesku, Papa i ardhur “nga fundi i botës”, është edhe më torinezi e piemontezi, që njeh historia, që nga Piu V (aleksandrin), më 1500. Historia e familjes së tij përsërit atë të mijëra e mijëra familjeve e njerëzve, të nisur nga troje të ndryshme të Italisë, që u bënë një herë emigrantë, më pas argjentinas. Ndonëse nga larg, Jorge Bergoglio fëmijë, i ri, prift, ipeshkëv e pastaj edhe kardinal, vijoi ta ruante lidhjen me Torinon, ku kishte, e ka,  një gjysëm duzine me kushërinj të dytë, për të cilët do të kremtojë një meshë në Kishën e kryeipeshkvisë, do të mund të bisedojë, të dëgjojë të rejat, të takohet me fëmijët e tyre e me nipërit (në takimin e familjes do të jenë të pranishëm më se 30 kushërinj). E, siç e ka zakon, Papa, do të bëjë me ta edhe shaka, në dialektin piemontez, natyrisht.

Familja

Janë kushërinj të cilët Jorge, në rrjedhë vitesh, sa herë shtegtonte për në Itali, drejt Vatikanit, shkonte gjithnjë t’i takonte e të ndalej sadopak pranë tyre. E janë të njëjtët njerëz të cilët, që natën kur u zgjodh, e morën menjëherë me mend të parët, stilin që do të përshkonte papninë e Tij, njeriut me rroba kardinali qepur nga e motra; që shtegtonte me mjetet më pak të kushtueshme e lëvizte me metropolitanë. Ishin gjeste konkrete, që paralajmëronin stilin e papnisë së Bergoglios e vëmendjen e përqendruar mbi të varfërit, gjëra që tashmë nuk janë të panjohura për askënd.

Në vizitat e tij torineze, Bergoglio ka lënë edhe ndonjë shenjë. Kush e di nëse do ta kujtojnë në një restorant të njohur torinez, mbi një kodër, ku kushërinjtë e kishin çuar për të festuar sadopak së bashku. Duke parë në gishtin e tij unazën kardinalore, i zoti i restorantit e kishte tepruar me përkulje mirësjelljeje e gjeste nderimi. Rezulati, largimi i menjëhershëm nga ai vend. Sepse Bergolio, duke pasur në sy fytyrat e të varfërve, me të cilët drekonte të dielave në favelat argjentinase, nuk mund ta duronte vëmendjen e tepruar ndaj tij. Pas kësaj ngjarjeje, familjarëve iu desh të  zgjidhnin një “piola”, apo gjellëtore tipike piemonteze jashtë portës së qytetit. Vend i thjeshtë e, për më tepër, krejt i shkretë, ku mund të hahej e të bisedohej pa pasur nevojë për shumë nderime e përkulje, që ia prishnin krejtësisht humorin e takimit me kushërinjtë, e edhe oreksin, kardinalit “nga fundi i botës”.

Zakonisht gjatë këtyre vizitave torineze, Papa i ardhshëm Françesku e kalonte natën tek e kushërira, Karla e cila, pastaj, e çonte herë në Bardonecchia; herë në Shenjtëroren e Zojës së Luleve në Bra; herë në Becchi, në shtëpinë e Dom Boskos e, së fundi, edhe në fshatin ku kishte banuar i gjyshi. Një nga vizitat, që nuk mungonte kurrë, ishte ajo tek Zoja Ngushëlluese. E atje Papa shkon edhe këtë herë, i vetmi çast vërtet intim nga vizita dyditore torineze. Por kur nuk ishte ende Papë e vinte në qytet, me pamjen e një qytetari (gati) të thjeshtë, Bergolio e kishte zakon të shkonte e t’i takonte të afërmit një për një, në dyqanet e tyre.

Origjina

Familja e Papës Françesku, me origjinë është nga provinca e Astit: këtu   lindi i gjyshi, Giovanni Bergoglio, ndërsa e gjyshja, Roza Vasallo, ishte nga Langa e Epërme. Por duhet kujtuar se gjyshi e gjyshja qenë martuar në Torino, në gusht të vitit 1907, në kishën e Shën Terezës së Avilës. Çifti banoi përballë kishës, në n. 12 të rrugës së Shën Terezës së Avilës e, më pas, u  mbart në Rrugën Garibaldi 44. Në Shën Terezë u pagëzua i ati i Papës Françesku, në prill të vitit 1908. I vunë emrin Mario e, si u bë për shkollë, e çuan në filloren Sclopis, e njëjta ku mësoi edhe kardinali Martini. Në vitin 1918 familja u rikthye në Asti e, që këtu, më 31 janar 1929, siç e dokumenton Orsola Appendino, në librin “Gjyshja Rozë”, Giovanni, Rosa e Marioja i ri, u nisën për në Argjentinë, të nxitur nga vëllezërit e gjyshit të Papës, që kishin ngritur atje një  ndërrmarrje familjare.

Në Torinon e babait e të gjyshit, gjyshja Rozë ishte gjithnjë për Jorgen e vogël, figura më e rëndësishme. Prej këndej, Papa e kujton herë pas here në fjalimet e tij, duke përdorur edhe shprehje tipike piemonteze. Kur ishte ipeshkëv e kardinal, Françesku pati bërë shumë gërmime për të parët e tij e për gjuhën e tyre, gjithnjë me ndihmën e të kushërinjve. E pati shkelur me kënaqësi mbi gjurmët gjyshërve. Edhe sot, krejt papritmas e jashtë programit, shkoi në kishën e Shën Terezës, ku patën vënë kurorë gjyshi e gjyshja, Giovanni Bergoglio e Rosa Vassallo. E po në këtë kishë baroke, në vitin 1908, qe pagëzuar edhe i ati, Mario. Kisha, në një skaj  të Sheshit të Shën Karlit, tani është vend në shenjë, sepse i lidhur me historinë e familjes së Papës Françesku.  

 

 








All the contents on this site are copyrighted ©.