2015-06-19 14:29:00

Propozohet ditë lutjeje e përbashkët e krishterë për ambientin


“Rrallë kam parë një pritje kaq të madhe për një Enciklikë e, rrallë e kam parë Kishën universale kaq të bashkuar e të interesuar për të marrë përsipër përgjegjësi të përbashkëta ndaj Gjithësisë”. Ky qe komenti i drejtorit të Sallës së Shtypit të Vatikanit, atë Federiko Lombardi, në hapje të konferencës së djeshme për paraqitjen e Enciklikës së Papës Françesku “Lëvduar qofsh”. Folën kreu i Këshillit Papnor për Drejtësinë e Paqen, kardinali Peter Turkson, mitropoliti i Pergamos, John Zizioulas (përfaqësues i Patriarkatit Ekumenik dhe i Kishës Ortodokse), i cili propozoi që 1 shtatori të jetë një ditë e përbashkët lutjeje për ambientin, për të gjithë të krishterët.

          Dokumenti i ri papnor, nënvizoi kardinali Turkson, është shkruar në dialog me ipeshkvijtë e me Kishën Katolike në botë, hap dialogun me të gjithë pa përjashtim – besimtarë e jo, katolikë e jo - dhe propozon po dialogun si mënyrë për gjetjen e zgjidhjeve urgjente për ambientin. Sot, nënvizon Papa Françesku në Enciklikë, planeti ankohet:

         “…e dënesët e tij  bashkohen me ato të të gjithë njerëzve të braktisur udhëve të botës. Papa Françesku na fton t’i dëgjojmë, duke i nxitur të gjithë e secilin – individë, familje, fise, kombe e bashkësi ndërkombëtare – për të bërë ‘kthesë ekologjike’, sipas shprehjes së Shën Gjon Palit II. Fton, pra, për të  ndërruar rrugë, duke marrë mbi vete detyrën dhe angazhimin e fisëm të ‘kujdesit për shtëpinë e përbashkët’”.

         Por, Ati i Shenjtë nuk ndalet thjesht në vënien në pah të problemeve. Inkurajon zgjidhje, praktika të mira, bën thirrje për përgjegjësi në të gjitha nivelet dhe për një angazhim universal në favor të ambientit. Qëndrim, i miratuar katërcipërisht nga ortodoksët, të cilët, që nga viti 1989, kërkojnë një debat të hapur për Gjithësinë e krijuar nga Zoti. Mitropoliti i Pergamos, John Zizioulas, foli dje për aspektet teologjike, shpirtërore dhe ekumenike të Enciklikës. Të gjitha Krijesat, nënvizoi ai, janë plot me Zotin e njeriu është mbarështues i Krijimit e jo shfrytëzues i tij. Ruajtja e mbrojtja e ambientit, sipas mitropolitit, duhet të përfshijë të gjithë, pa ndarje e pa shikuar ndryshime. E duke paraqitur propozimin për lutjen e përbashkët të krishterë, mitropoliti ortodoks theksoi:

         “Enciklika e Papës është thirrje për bashkim, në lutjen për ambientin, në ndryshimin e zemrave e të mënyrave të jetesës, që të respektojmë çdo dhuratë të Zotit. Kësaj, ne i përgjigjemi me një ‘Amen’ nga thellësia e zemrës”.

         Më pas, themeluesi e drejtuesi i Institutit të Potsdamit, prof. John Schellnhuber, shpjegoi shkencërisht ndryshimin e klimës dhe përgjegjësitë e njeriut për efektin serë, duke u ndalur në perspektivat e vështira për të ardhmen. Ndërsa profesoresha Carolyn Woo, ish-dekane e Universitetit Notre Dame, nënvizoi sfidat që Enciklika u paraqet ekonomisë dhe tregtisë:

         “Papa është një ‘lider ekonomik largpamës’, sepse na nxit të investojmë në qëndrueshmërinë, e cila është biznesi më i mirë edhe për ndërmarrjet, na nxit të investojmë në afaristë, që shikojnë drejt së ardhmes, që janë progresistë, që e kuptojnë sa katastrofa e sa falimentime kemi shkaktuar. Duhet të kujtojmë se biznesi nuk është vetëm diçka ekonomike, është ndërmarrje njerëzore, që duhet bërë nga njerëzit e për njerëzit. Kjo do të thotë të ndryshojmë mënyrën e veprimit”.








All the contents on this site are copyrighted ©.