Me 19 qershor Kisha përkujton Shën Romualdin abat. Një mëngjes shtatori të vitit
978 Venediku u zgjua në gjendje alarmi. Ishte zhdukur dozhi! Pjetro Orselo, që i printe
Republikës detare që prej dy vjetësh, kishte ikur natën. Ishte nisur drejt një kuvendi
të largët ndër shpatet e Pirenjeve. Shoqërohej nga një grup i vogël, në të cilin bënte
pjesë edhe Romualdi, murg, bir i dukës Sergjo të Ravenës. Pse po ikte kaq me ngut
dozhi? Orselo qe ulur në fronin e Dozhit të Venedikut pas vrasjes së paraardhësit,
Pjetër Kandianit VI. Nuk dihet mirë në se kishte të bënte me këtë krim, por perandori
Otoni II ishte betuar se do të hakmerrej. E atëherë ai vendosi të ikte, duke flijuar
vetveten, për t’ia kursyer popullit të vet rreziqet, luftërat e brendshme e sulmet
e jashtme.
Si arritën në kuvendin e largët, Romualdi e ndihmoi ish-dozhin, të cilin Kisha e nderon
si shenjt që nga viti 1731, deri sa vdiq si murg i thjeshtë, në vitin 987-88. Pas
vdekjes së Orselos, Romualdi u kthye në Ravenë, por nuk u ndalua në kuvendin e Shën
Apolinarit në Klase, që ishte kuvendi i tij i parë. Madje nuk u ndalua asgjëkundi.
Pas një konflikti të përgjakshëm në të cilin ishte përzierë fisi i tij, u bë murg,
së bashku me të atin e nisi të jetojë në vende të mënjanuara, duke bërë pendesë, duke
u lutur e duke medituar. Por shpesh herë e kërkonin për të ndërmjetësuar, në raste
mosmarrëveshjesh kishtare e politike, sepse njihej mirë në familjet më të mëdha të
kohës. Ai e pranonte ndërmjetësinë si detyrë, por sapo nisej, nuk mendonte gjë tjetër,
veçse të kthehej një orë e më parë në ishujt e vegjël të deltës padane, në shkëmbinjtë
e Apenineve e në brigjet istriane, vise që i ndërronte vazhdimisht, në kërkim të vetmisë,
pa e gjetur kurrë plotësisht.
Arrinte gjithnjë dikush që kishte nevojë për Romualdin, që kërkonte Romualdin. Disa
murgjër duan të ndërtojnë një murgade? Ai i ndihmon. Pastaj ndihmon ca të tjerë e
pastaj ngre murgade në të katër anët e Italisë. Gjithnjë të vogla, të fshehura, sepse
nuk mund t’i duronte kuvendet e mëdha, aq më pak murgjit që s’kishin asgjë të përbashkët
me jetën murgare.
Ndeshej vazhdimisht me ata që i përkisnin Kishës me emër, por jo me vepra, me ata
që e predikonin Ungjillin, por jetonin në kundërshtim me të, me ata që flisnin për
dashuri, në sa i frynin zjarrit të urrejtjes. Arriti deri atje, sa të grindej keqas
me një abat, i cili e kishte blerë me para postin e lartë. E sherri u ndez aq, sa
ta zinte për gryke.
Gjithnjë kërkues ndaj vetes e ndaj të tjerëve e gjithnjë me plane të reja, siç ishte
plani i parealizuar që të kryesonte ekspedita misionare në Veri të Evropës, në vitin
1012 zbuloi mrekullinë e Apenineve kazentiense, Arezzo-n, dhe ngriti aty, në lartësinë
1098 metra, një eremitazh të vogël. Treqind metra më poshtë ndërtoi një kuvend.
Lindi kështu Kamaldoli, qendër urate e kulture edhe në shekullin XXI. Ndërtoi, krijoi
grupe të reja njerëzish që bashkëjetonin në paqe, mësoi, më shumë me biseda se me
predikime. U nis e arriti vazhdimisht për diku, prej dikah. Ngriti një kuvend të ri
në Val di Kastro, ku edhe vdiq si vetmitar i thjeshtë, në një qelë të vogël, mbi një
tog me kashtë. Por shtegtari i madh nuk do të ndalej as këtu. Do ‘të udhëtonte’ akoma.
Dy murgjër të Shën Apolinarit në Klase, i mbartën fshehurazi reliket e tij e i çuan
në Jesi. Por një vit më pas Shenjti do të niste një rrugë të re, drejt Kishës kamaldoleze
të Shën Vlashit e Fabianit, ku pushon në paqe. Kisha e nderon si shenjt që nga viti
1595, me vendim të papës Klementi VIII.
All the contents on this site are copyrighted ©. |