2015-06-19 18:11:00

Françesku: pa Fjalën e Zotit, bashkësitë e krishtera ligështohen


Për të kumtura Fjalën e Zotit, më parë duhet ta jetosh. Është një nga fragmentet e fjalimit të Papës, drejtuar pjesëmarrësve të Mbledhjes Plenare të Federatës Biblike Katolike, të cilët i priti në Vatikan. Ati i Shenjtë porositi që bashkësive të kishtare të mos u mungojë kurrë Fjala e Zotit, pa të cilën nisin të ligështohen. Teksti i fjalimit iu dorëzua kryetarit të ri të Federatës, kardinalit Luis Antonio Tagle që, në përshëndetjen e tij drejtuar Atit të Shenjtë, vuri theksin mbi urgjencën e kumtimit të Fjalës së Zotit  për të shëruar shpirtrat, për t’u kthyer shpresën e humbur shumë njerëzve, për t’u çuar të gjithëve mëshirën, dashurinë e shpresën:

“Duhet të punojmë në mënyrë që në zemër të veprimtarive të zakonshme të të gjitha bashkësive të krishtera, të jetë Fjala e Zotit, sepse, siç na kujton Shën Jeronimi,  të mos njohësh Shkrimin Shenjt, do të thotë të mos njohësh Krishtin. Në fjalimin, që i dërëzoi kardinalit Tagle, Papa rikujtoi  Kushtetutën dogmatike “Dei Verbum” dhe i ftoi të gjithë pjesëmarrësit në Plenaren e Federatës Biblike katolike ta thellojnë angazhimin baritor “për t’i dhënë gjithnjë vendin e parë Fjalës së Zoti në jetën kishtare”. Papa vëren, më tej, se mungesa e mbështetjes dhe e forcës së Fjalës së Zotit, çon në ligështimin e bashkësive të krishtera të traditës së lashtë dhe frenon rritjen shpirtërore dhe zellin misionar të Kishave të reja.

Të jetohet çdo ditë Fjala e Zotit

Papa pohoi me forcë se për ta kumtuar Fjalën e së Vërtetës, duhet ta jetojmë ne vetë të parët këtë Fjalë: ta dëgjojmë, ta kundrojmë, gati-gati ta prekim me duart tona. Prej këndej Françesku i ftoi biblistët të thellohen në studimin e Kushtetutës dogmatike mbi zbulesën hyjnore “Dei Verbum”, 50 vjet pas botimit të saj, duke rikujtuar se Shkrimi i Shenjtë duhet të jetë gjithnjë më shumë “burim i ungjillëzimit”. Prej këndej, nxitja për ta komunikuar gëzimin e Ungjillit deri në skajet më të largëta të tokës, posaçërisht atje ku Fjala e Zotit nuk është shpallur akoma ose, pasi u shpall, nuk u pranua si Fjala e shëlbimit.








All the contents on this site are copyrighted ©.