2015-06-18 14:15:00

“Lëvduar qofsh”: solidariteti, zgjidhje për ekologjinë


Ekologjia e gjithanshme të bëhet paradigma e re e drejtësisë, sepse natyra nuk është një “kornizë e thjeshtë” e jetës njerëzore: ky, thelbi i Enciklikës së re të Papës Françesku, publikuar sot. Quhet “Lëvduar qofsh” e flet për kujdesin ndaj kësaj shtëpie të përbashkët, që është bota ku jetojmë. Titulli i referohet “Këngës së Krijesave” të shën Françeskut të Asizit. Enciklika ndahet në gjashtë kapituj, në të cilat përfshihen edhe reflektimet e Konferencave Ipeshkvnore të të gjithë botës, të cilave Papa ua dërgoi tekstin para botimit. Në fund, dy lutje për mbrojtjen e Gjithësisë së krijuar nga Zoti, njëra ndërfetare e tjetra e krishterë.

         Në fjalët e mendimet e enciklikës, tingëllon, i përtërirë, lavdi i shën Françeskut drejtuar Hyjit, shkruar në italishten vulgare umbre të kohës: “Lëvduar qofsh, o Zoti im, për motrën tonë, Tokën nënë”. Teksti i parë poetik në historinë e letërsisë italiane, i shërben Papës aktual me të njëjtin emër si Varfanjaku i Asizit, për të shpjeguar rëndësinë e një ekologjie të gjithanshme, paradigmë e re drejtësie, që i konsideron të pandashëm shqetësimin për natyrën, barazinë për të varfërit, angazhimin në shoqëri, por edhe gëzimin e paqen e brendshme. Planeti ynë i keqtrajtuar e i plaçkitur kërkon atë, që Ati i Shenjtë e quan “kthesë ekologjike”, në mënyrë që njeriu të marrë përsipër përgjegjësinë e mbrojtjes së shtëpisë së përbashkët. Impenjim, që përfshin edhe çrrënjosjen e mjerimit, kujdesin për të varfërit, mundësinë e barabartë në përdorimin e burimeve natyrore.

         Teksti i Enciklikës hap dialogun me të gjithë, katolikë e jo, besimtarë e jo, sepse flet për një solidaritet universal, i drejtohet, siç shkruan Papa, “çdo njeriu, që banon në këtë planet”. Ati i Shenjtë përmend sidomos kontributin e Patriarkut ortodoks Bartolomeu, por edhe atë të shkencës e të marrëdhënieve të saj me fenë, për të përfunduar me një thirrje të fuqishme:

         “U drejtoj të gjithëve një thirrje urgjente për të përtërirë dialogun mbi mënyrën me të cilën po ndërtojmë të ardhmen e botës. Kemi nevojë për një ballafaqim, që të na bashkojë të gjithëve, sepse sfida ambientale që përjetojmë dhe rrënjët e saj njerëzore na prekin e na takojnë të gjithëve. Lëvizja ekologjike botërore ka përshkuar tashmë një rrugë të gjatë e të pasur e, u ka dhënë jetë bashkimeve të shumta të qytetarëve, të cilat kanë favorizuar ndërgjegjësimin. Fatkeqësisht, shumë përpjekje për gjetjen e zgjidhjeve konkrete ndaj krizës ambientale shkojnë shpesh huq, jo vetëm për shkak të refuzimit të pushtetarëve, por edhe për shkak të çinteresimit të të tjerëve. Qëndrimet, që pengojnë rrugëzgjidhjet, edhe ndër besimtarë, shkojnë nga mohimi i problemit tek indiferenca, nga dorëzimi para problemit tek besimi i verbër në zgjidhjet teknike. Kemi nevojë për një solidaritet të ri universal”. 








All the contents on this site are copyrighted ©.