2015-06-16 18:28:00

Roaco: Siria e Iraku në punimet e ditës së parë


Me sesionin kushtuar Kishës në Siri e në në Irak, nisi sot në Vatikan dita e parë e punimeve të Asamblesë së 88-të Plenare të Roaco-s, Mbledhjes së Veprave në Ndihmë për Kishat Lindore. Presidenti i këtij organizmi, kardinali Leonardo Sandri, pasi kremtoi Meshën, paraqiti programin e ndërhyrjeve që do të përfundojnë nesër, duke u ndalur mbi udhëtimin që bëri majin e kaluar pranë komuniteteve fetare e rregulltare dhe në mesin e refugjatëve irakianë.

“Leni thuprën të varur në Sakresti e jini barinj të butë, plot përdëllim”. Kështu u shpreh kardinali Sandri duke cituar fjalët që Papa Françesku u drejtoi priftërinjve, ditë më parë, për të nxitur shpirtin dhe frymën e dashurisë që kërkohet nga të gjithë në takime me besimtarë të persekutuar e të vuajtur. Nëse e shikojmë Irakun, vërejmë se tensioni është i dukshëm, është i prekshëm, tregon kard. Sandri, si për shkak të avancimit të Isis e po kështu edhe për shkak të terrorizmit. Kardinali kujtoi të gjithë ata njerëz të pafajshëm që vuajnë nga lufta e dhuna e verbër, kujtoi shumë rregulltarë e meshtarë të zënë pengë, por edhe nisma të panumërta të solidaritetit e të ngushëllimit përmes të cilave, tha kardinali, Papa e Kisha në botë janë duke marrë pjesë në këtë tragjedi e janë të pranishëm pranë atyre që pësojnë e vuajnë padrejtësisht. Një situatë të ngjashme kemi edhe në Sirinë fqinje ku, siç tha Papa dje në audiencë me Roaco-n, jeta vlen më pak se nafta e se armët. “Prandaj lypet një përpjekje më e madhe “, tha Nunci apostolik në Damask, imzot Mario Zenari: “Mjerisht situata në Siri, prej vitesh – është viti tretë që marr pjesë në këtë mbledhje të Roaco-s – nuk përmirësohet, madje gjithnjë më tepër po keqësohet. Aty është një luftë kaq mizore, sa që duhet pritur gjithçka...Nga ne të gjithë kërkohet një punë jashtëzakonisht e madhe për të mbjell, do të thosha unë, elementin pozitiv të njerëzimit, kërkohet një mbështetje ekonomike e sidomos shpirtërore për këta vëllezër e motra tanë të krishterë e të feve tjera. Një ditë pranvera do të vijë e kjo shkretëtirë siriane do të lulëzojë”. Edhe Siria e ndjen afërsinë e Papës e të Kishës botërore, e janë vërtetë ilaç për popullsinë e martirizuar.








All the contents on this site are copyrighted ©.