2015-06-16 15:02:00

Më 16 qershor kalendari përkujton shën Gjulitën e Kuirikun, martirë


Gjulita, grua e pasur dhe fisnike,ishte me prejardhje nga Cezarea e Kapadokia, vdiq martire po në këto vende rreth vitit 304. Perandorët Diokleciani e Maksimiani patën botuar një edikt me të cilin të krishterëve u mohohej çfarëdolloj mbrojtjeje ligjore. Një njeri i pashpirt nga Cesarea përfitoi, duke i uzurpuar Gjulitës pjesën më të madhe të pasurisë së saj. Kjo ngriti një kauzë formale kundër uzurpatorit; por njeriu i shkathtë protestoi se ajo nuk mund të reagonte në mënyrë ligjore sepse ishte e krishterë, e këndej ligji nuk lejonte asnjë nismë ligjore kujtdo që refuzonte adhurimin e hyjnive të perandorisë.

Gjykatësi në përkim me ediktit deklaronte natyrisht se Gjulita do të kishte përfituar nga mbrojtja e ligjit vetëm e vetëm duke u kushtuar flijime hyjnive . Mirëpo Gjulita, për të qëndruar besnike në fenë e saj, u deklarua e gatshme dhe e vendosur të hiqte dorë nga gjithçka, edhe nga nderi e madje edhe nga vet jeta. Para këtij rrëfimi të fortë të fesë në Krishtin, gjykatësi menjëherë ia mohoi Gjulitës çfarëdo mbrojtje ligjore e madje e mori në pyetje mbi fenë e krishterë e për te filloi udha e persekutimit të tmerrshëm.

Gjulita e Kuiriku, nënë e bir, janë dy figura që lidhen në mënyrë të pazgjidhshme me njëra-tjetrën. Kuiriku është një ndër fëmijët e pafajshëm që mbyti Herodi në Betlehem, duke dashur të zhdukte Krishtin Fëmijë. Kur nisi masakra kundër foshnjave të pafajshme me urdhër të Herdoit, Julita (Gjulita), vejushë e re, e bukur dhe shumë e pasur, për ta shpëtuar të birin e vetëm që kishte, Kuirikun, iku nga Betlehemi. Por u kap në afërsi të Tarsit dhe iu nënshtrua torturave më mizore, për të mohuar Krishtin Zot. Për këtë kriminelët herodianë përdoren të birin: e kapën foshnjën nga njëra këmbë dhe e mbajtën pezull, në pritje që e ëma të mohonte fenë e krishterë. Por me që ajo vijoi ta pohonte fenë në Krishtin pa asnjë lëkundje, e lëshuan foshnjën, që ra përdhé tek këmbët e Julitës me kokën e copëtuar. Trutë e birit të vetëm spërkatën petkat e nënës, së cilës më pas iu pré koka. Ngjarja ndodhi rreth vitit 304 pas Krishtit.

Kuiriku është një nga martirët më të njohur të lashtësisë së krishterë, kulti i të cilit u përhap kudo. E dëshmojnë këtë kishat që iu kushtuan në Siri, Palestinë, Ponto, Itali, Francë, Spanjë e vise të tjera. Devocioni për nënën dhe birin është shumë i përhapur në kishat sllave të traditës bizantine. Ikonografia i paraqet gjithnjë së bashku.








All the contents on this site are copyrighted ©.