2015-06-16 15:48:00

Emigrantët. Imzot Tomasi: mikpritja e BE-së të jetë e njëjtë


Evropa duhet t’u hapë dyert emigrantëve me politika të përshtatshme, duke shmangur ndikimet nga “presionet populiste të paarsyeshme”. Foli qartë dje, në emër të Selisë së Shenjtë, përfaqësuesi i Vatikanit në OKB-në e Gjenevës, imzot Silvano Maria Tomasi, i cili mori pjesë në mbledhjen e Këshillit të OKB-së për të drejtat e njeriut. Kundër rrymës së evropianëve të Kontinentit të Vjetër, që i nxisin masat t’u refuzojnë mikpritjen emigrantëve, që zbarkojnë në brigjet e Mesdheut, prelati kërkoi t’u jepet atyre të paktën një mundësi.

Të shpërndahen barabar

         Vëzhguesi i Vatikanit foli pa doreza. Jo vetëm duhet të përforcohen operacionet e kërkimit e të ndihmës për emigrantët në det, por duhet edhe t’u sigurohet të gjithëve e drejta për jetën. Imzot Tomasi u kërkoi qeverive evropiane të rishpërndajnë në mënyrë të barabartë të gjithë ata, që kanë të drejtë të qëndrojnë e të strehohen nga vendet e kontinentit, sepse refugjatë, ose njerëz, të cilët duhen mbrojtur. Këtu, prelati bëri thirrje të mos shkohet pas rrymave populiste, që i paraqesin emigrantët si rrezik për shoqërinë dhe u sugjeroi autoriteteve përkatëse të krijojnë kanale më të sigurta emigrimi, në të mirë të emigrantëve, por edhe të shoqërisë pritëse.

Mungon strategjia

         Imzot Tomasi denoncoi gjendjen aktuale të administrimit të flukseve. Pranoi se ka bujari të madhe ndaj refugjatëve apo azilantëve, por nënvizoi mungesën e një strategjie afatgjatë për emigracionin. Që nga fillimi i këtij viti 1800 emigrantë kanë gjetur vdekjen në Mesdhe; 25 mijë Rohingya e njerëz të tjerë nga Bangladeshi u detyruan të sillen pa strehë në det, të braktisur nga trafikantët, që i patën marrë për t’i çuar klandestinë në Tajlandë e Malajzi. Për të mos përmendur rreth 68 mijë fëmijë e të rinj nën moshën 18 vjeçare, ndaluar në kufirin amerikan ndërmjet tetorit 2013 e shtatorit 2014.

Të drejta-detyra të kuptueshme

         Fenomeni i emigracionit nuk duhet konsideruar në nivelin e emergjencës, por në nivelin strukturor. Imzot Tomasi propozoi që vendet pritëse t’u sqarojnë mirë emigrantëve – për shembull, përmes një Karte të drejtash e detyrash – mekanizmat e përshtatshme për pranimin e për integrimin e tyre shoqëror. Të drejtat dhe përgjegjësitë duhet të kuptohen mirë, nënvizoi. E ndërhyrja ndërkombëtare duhet të ndjehet edhe në vendet e origjinës, duke krijuar vende pune dinjitoze e cilësore, duke promovuar një sistem të barabartë financiar dhe ekonomik, duke përmirësuar hyrjen në tregun botëror, duke shkëmbyer teknologjitë dhe duke nxitur pjesëmarrjen e qëndrueshmërinë politike.

Media të mos përdorë gjuhë përçarëse

         Një nga mjetet e fuqishme, që prelati e pa të nevojshme ta verë në dukje, janë mediat. Ato ndikojnë në perceptimin e emigrantëve nga shoqëria e shpesh nxisin racizimin e diskrimiminim, apo shfrytëzimin e emigrantëve nga politikanë të paskrupullt. Kjo bie ndesh me statistikat në favor të emigrantëve, që dëshmojnë kontributin e tyre në ekonominë e në kulturën e vendit pritës. Imzot Tomasi propozoi përdorimin e një terminologjie të përbashkët, jo demogogjike, që të favorizojë integrimin e emigrantëve. “Emigrazioni dhe ndryshimet e klimës janë sfidat kryesore të shekullit XXI – nënvizoi përfaqësuesi i Selisë së Shenjtë. Është e nevojshme të përballohen shkaqet e një fenomeni kaq global. Koha kalon e sa më shumë të presim, aq më i lartë do të jetë çmimi, që do të na duhet të paguajmë. Promovimi dhe respektimi i të drejtave të emigrantëve dhe i dinjitetit të tyre siguron respektimin e plotë të të drejtave dhe të dinjitetit të gjithë anëtarëve të shoqërisë”. Prandaj, rruga e mikpritjes me norma e rregulla të pranuara nga të gjithë është në interesin e të gjithëve, përfundoi imzot Tomasi.








All the contents on this site are copyrighted ©.