2015-06-15 13:53:00

Papa: e padenjë që në Lindjen e Mesme njerëzit të vlejnë më pak se nafta


Thirrje e fuqishme, që bota t’i hapë sytë e t’i shikojë, më në fund, vuajtjet e të krishterëve të persekutuar në Lindjen e Mesme. Papa Françesku shfrytëzoi rastin e audiencës me Roaco (Bashkimi i Veprave të Ndihmës për Kishat Lindore), për të denoncuar se në shumë troje sot jeta e njerëzve vlen më pak se nafta e armët!

Roaco (Bashkimi i Veprave të Ndihmës për Kishat Lindore) është  në Vatikan ku, që sot deri më 17 qershor, do të zhvillojë punimet e  mbledhjes plenare vjetore. Mbledhja filloi pikërisht sot, me audiencën tek Papa Françesku, që i priti përfaqësuesit e veprave të ndryshme të ndihmës, posaçërisht aktive në favor të Kishave katolike lindore. Ashtu si në vitet e mëparshme, njofton një komunikatë e Kongregatës për Kishat lindore, një seancë do t’i kushtohet situatës në Siri, duke përfshirë edhe  situatën në Irak.

E pikërisht për situatën në vendet e Lindjes së Mesme foli Papa, duke e quajtur të palejueshme sjelljen e atyre që me fjalë shpallin paqen, me vepra mbjellin vetëm vdekjen.

U nis nga një kujtim, audienca e Françeskut me Roaco. Papa kujtoi se herën e fundit u takua me organizmin, që ndihmon Kishat lindore, pikërisht nësa përgatitej të shtegtonte në Turqi e të organizonte Lutjen për paqen, në Vatikan. Të gjithë, nënvizoi, patëm dëshirë që fara e pajtimit të prodhonte më shumë fryte.

Nga takimi me Roaco, Papa ftoi t’u çohet shikimi i Krishtit të krishterëve të persekutuar.  Kujtoi se jeta e mijëra njerëzve peshon më pak se nafta; bëri thirrje për t’i ndihmuar bashkësitë e krishtera të Etiopisië e Eritresë, e quajti kombin armen, ruajtës të fesë e të martirizimit.

Françesku e përfundoi fjalimin me një lutje prekëse, duke u mbështetur mbi një  himn të Shën Efremit kushtuar Ngjalljes së Krishtit:

“Pranoje, o Mbret, dhuratën tonë, e na jep shëlbimin tënd! Paqëtoji trojet e shkretuara, rindërtoji kishat e djegura, që kur të vijë paqja e madhe, të mund të të thurim një kurorë madhështore me lule, të mbledhura nga të katër anët, që të kurorëzohet Zoti i  Paqes”.








All the contents on this site are copyrighted ©.