2015-06-15 17:38:00

Një mrekulli e re e së Lumes Nënë Terezë mund ta çojë drejt shenjtërimit të shpejtë


Shërimi i pashpjegueshëm nga shkenca i një braziliani nga tumori malinj në tru, mund ta çojë të Lumen Nënën tonë Terezë drejt shenjtërimit. Ndoshta edhe shpejt. Gjatë Jubileut të Mëshirës. Lajmin, marrë prej gazetës italiane “La Stampa” e gjejmë në faqen e internetit “Vatican insider”.  

“Në Santos, shteti i San Paolos, shpjegohet, vijon procesi dioqezan mbi mrekullinë e re të supozuar. Kongregata e Selisë së Shenjtë për Çështjet e Shenjtorëve po mbledh provat e nevojshme dhe relacionet mjekësore, që dëshmojnë për zhdukjen e menjëhershme e shkencërisht të pashpjegueshme të kancerit, që tashmë kishte pushtuar pothuajse gjithë trurin e të sëmurit”, që i lutej së lumes shqiptare Nënë Terezë të ndërmjetësonte për hirin e shëndetit, pranë Hyjit.

Kujtojmë se kanë kaluar 12 vjet nga lumturimi i “apostulles të të varfëve”, kremtuar në Sheshin e Shën Pjetrit në Vatikan nga Gjon Pali II. Procesi kanonik kishtar që pati sjell deri në njohjen e virtyteve heroike dhe të mrekullisë së parë i nevojshëm për t’u shpall e Lume, qe hapur më pak se dy vjet pas vdekjes pikërisht në saje të përhapjes së famës së shenjtërisë që gëzonte Ganxhe Bojaxhiu që kur ishte gjallë.

Nënë Tereza, përveç veprës madhore, na ka lënë edhe një testament të një feje të patundur në Hyjin, të një shprese të pamposhtur dhe të dashurie bamirës të jashtëzakonshme.








All the contents on this site are copyrighted ©.