2015-06-15 14:14:00

Një datë e vetme, për Pashkët e vetme të Krishtit!


Prej kohe ndjehet fort, në të gjitha mjediset e krishtera, nevoja për t’i kremtuar Pashkët në një datë të vetme. E kjo, sepse dy data i ngatërrojnë besimtarët. E kujtoi Papa, gjatë takimit të tretë botëror të meshtarëve të lëvizjes karizmatike, mbajtur të shtunën e kaluar në Bazilikën e Shën Gjonit në Lateran.

Por nuk është hera e parë që Françesku e thekson çështjen e përkujtimit të përbashkët të Ditës, kur Krishti u ngjall! Foli për të edhe nëntorin e kaluar, nësa kthehej nga Turqia, duke treguar një ngjarje të jetuar nga ai vetë: “Ndërsa Kisha katolike përgatitej për kremtimin e Pashkëve, dëgjova një herë rreth një sofre, në Romë, një katolik lindor, që po thoshte: “Ah, jo, Krishti ynë ngjallet një muaj më vonë! Juaji ngjallet sot?”. E tjetrin që u përgjigj: “Krishti yt është edhe Krishti im!”.

Gjithnjë gjatë fluturimit të kthimit nga Stambolli, Papa pati kujtuar se propozimi për një datë të vetme qe bërë qysh në kohën e Palit VI, duke shpjeguar edhe se po të vijohet me kremtimin e Pashkëve “në përkim me hënën e parë të plotë”, ka rrezik që, me kalimin e viteve, stërnipat tanë ta kremtojnë Festën madhe në pikë të gushtit.

Po ç’do të thotë “hëna e parë e plotë” e pse të krishterët i kremtojnë Pashkët në data të ndryshme? E ndërlikuar, çështja, për t’u shpjeguar e për t’u zgjidhur shpejt e shpejt. Lidhet, së pari, me  skizmat në Kishë: me atë të Lindjes e atë të Perëndimit. E para, ndarja e katolikëve të njohur me emrin “latinët”, nga ortodoksët(viti 1054). E dyta, në gjirin e vetë e katolicizmit perëndimor (viti 1571). Lidhje mbi lidhje, për caktimin e një date të vetme    Pashkësh: me skizmat, me hënën e plotë,  me ekuinoksin pranveror (21 mars), me kalendarët. Një palë i kremton me kalendarin julian, tjera me atë gregorian....

Por, në përpjekjen për bashkimin e të krishterëve, Kisha katolike është gati ta ndryshojë datën e Pashkëve nga datë e lëvizshme, në datë fikse, në mënyrë që të kremtohet në të njëjtën ditë nga katolikët, protestantët e ortodoksët. E rikujtoi Papa Françesku në Bazilikën e Shën Gjonit në Lateran, të shtunën e kaluar. Duke i dhënë përgjigje një pyetjeje për ekumenizmin dhe marrëdhëniet e Kishës katolike me atë ortodokse, si të Kostandinopojës, ashtu edhe të Moskës, Françesku njoftoi se Kisha katolike është e gatshme të heqë dorë nga caktimi i së kremtes së Pashkëve duke u nisur nga hëna e parë e plotë pas ekuinoksit të pranverës.

Marrëveshja ndërmjet ortodoksëve mund të jetë edhe më e vështirë se marrëveshja e tyre me katolikët, shpjegoi Papa, por, në tre kryeqytetet simbolike: Roma, Kostandinopoja e Moska (tri Romat) janë tre të mëdhenjtë: Patriku Ekumenik Bartolomeu, Patriku Kirill e Papa i Romës. Me Patrikun Bartolomeu jemi takuar disa herë, flasim për të njëjtën fe e sillemi me njëri-tjetrin si vëllezër, madje e ftova për paraqitjen e Enciklikës mbi ambientin, më 18 qershor. Nuk mund të vijë, por do të dërgojë teologun më të mirë kristian, kryepeshkopin e Pergamos, Zizioulas, pohoi Françesku në takimin me meshtarët. Në mënyrë që Krishti i ngjallur të vijë mes nesh, besimtarët në Të e në ngjalljen e Tij, në të njëjtën ditë!”.

Kujtojmë se datat e Pashkëve janë përcaktuar, sipas kritereve të lartpërmendura, si për katolikët, ashtu edhe për ortodoksët, deri në vitin 2100. Prej këndej, nëse pas njëqind vjetësh punët vijojnë të shkojnë, siç kanë shkuar, kush e ka në mend të jetojë gjatë,  nëse i kremton Pashkët me kalendarin gregorian, do të jetë në festë më 28 mars 2100 - nëse me atë julian, festën do ta ketë më 19 prill 2100???!!!

Por ne besojmë se caktimi i datës së përbashkët të kremtimit të Pashkëve për të gjithë besimtarët në Krishtin, nuk duhet të jetë i largët. Datë me a pa hënë të plotë, por sigurisht me shumë dëshirë për bashkimin e plotë. Na e siguron  këtë një peshkop ortodoks, i cili gjatë një takimi, pati bërtitur: “Kur do ta kuptojnë krerët tanë se duhet t’i kremtojmë Pashkët në të njëjtën ditë?”.

E sidomos, Papa Françesku!








All the contents on this site are copyrighted ©.