Devocioni ndaj këtij shenjti të madh është i shtrirë jo vetëm në Kishën katolike
por edhe më gjerë. Shën Antoni ka zgjuar interesim përpos tek katolikët edhe ndër
ortodoks, budistë e mysliman. Me plotë të drejtë quhet shenjt universal – shenjti
i botës. Ishte njeri i palodhshëm në vreshtin e Zotit. Jeta e tij ishte shërbim ndaj
vëllait njeri pa dallim, prandaj ishte i pranuar dhe i dashur nga të gjithë.
Jeta e tij
Shën Antoni ka lindur në Lisbon të Portugalisë në vitin 1195. E pagëzojnë
me emrin Fernando Martins. Deri sa i mbushi pesëmbëdhjetë vjet ndoqi shkollën e katedrales.
Dallohet si nxënës i talentuar dhe deri sa mësonte mbi të vërtetat e fesë Fernando
do të përfitoj edhe në lëmi tjera si në gramatikë, retorikë, muzikë dhe aritmetikë.
Si pesëmbëdhjetë vjeçar hyn në kuvendin e Shën Vinçencit (murgj të rregulltë të shën
Augustinit) pak kilometra larg Lisabonit. Ishte kjo mundësia e vetme të thellohej
në studime por edhe rast i mirë për ta zbuluar bukurinë e jetës fetare sipas Rregullës
augustiniane: “jeta në bashkësi sipas shembullit të bashkësisë së parë të krishterë,
ku murgjit duan të jenë një zemër e një shpirt i vetëm, e pastaj me këtë shpirt dalin
jashtë kuvendit për të ndërtuar Kishën e Krishtit”. Fernando kishte mësues të shkëlqyeshëm,
dhe gjatë studimeve të afërmit e tij shkonin shpesh për ta vizituar. Kjo gjë fillon
ta pengoj sepse shqetësohej në studime, dhe mu për këtë, kërkon të transferohet në
kuvendin Santa Croce në Coimbra, 175 kilometra larg Lisabonit. Përndryshe, ky kuvend
augustinian ishte i dalluar dhe shumë i njohur si për shenjtëri ashtu për shkencë.
Këtu Fernando u dedikohet krejtësisht studimeve dhe lutjes. Mirëpo, për fat të keq
kishte kohë që kjo bashkësi në këtë kuvend ishte ndarë në një pjesë e cila ishte besnike
ndaj papëve ndërsa pjesa tjetër mbështetej prej mbretit të Portugalisë. Pas përfundimit
të studimeve shugurohet meshtar.
Në këto rrethana të dhimbshme Fernando do të njihet me fretërit e Shën Françeskut
të cilët banonin në kuvendin e shën Antonit të Ullinjve afër kuvendit të tij. Gjëja
e parë që i bie në sy murgut augustinian (Fernandos) tek vëllezërit françeskan është
veshja e tyre e thjeshtë por edhe mënyra e predikimit të fjalës së Zotit. Edhe më
tepër do ti bëj përshtypje kur dëgjon për kthimin në Coimbra të pesë trupave të pajetë
të françeskanëve të martirizuar prej myslimanëve në Maroko.
Pas disa këshillimeve me eprorët e vet Fernando e merr lejen dhe kërkon të bëhet françeskan.
Kalimi te françeskanët dhe veshja e zhgunit do të bëhet në verën e vitit 1220.
Tashmë, frati i ri, kishte përqafuar karizmën e shën Françeskut. Kushtet e tyre: Varfëria,
pastërtia dhe dëgjesa por edhe jeta në bashkësi ishin një dritë e re për të që të
qoj në vend edhe ëndrrën ungjillore të shën Augustinit: “Të jenë vërtet një shpirtë
i vetëm”.
Në këtë periudhë dëshira e shën Françeskut ishte të ungjillëzoj tokat ku jetonin myslimanët,
e kështu, edhe p. Antoni i ri përgatitet të niset për Maroko. Niset në vjeshtë apo
pranverë të vitit të ardhshëm, por aty nuk do të qëndroj gjatë sepse sëmurët rëndë
dhe e nisin për në vendlindjen e tij.
Anija e cila në pamundësi te lundroj drejt Portugalisë prej stuhive të mëdha do të
hasë në brigjet e Sicilisë. Shën Antoni niset drejt Asizit, vendit ku shën Françesku
ishte duke bërë përgatitjet e mbajtjes së Kapitullit duke i bashkuar rreth vehtes
fretnit, dhe këtu do të jetë takimi i parë i tyre. Ky do të jetë rasti i mirë që të
takohen dy fytyrat e mëdha të Rregullit Françeskan: Shën Antonit dhe themeluesit të
françeskanëve - shën Franceskut të Asizit.
Jeta e shën Antonit kalonte në heshtje deri sa në një rast i´u lutën të mbajë një
fjalim para bashkësisë françeskane dhe dominikane të bashkuar në një kuvend në Forlì.
Këtu zbulohet talenti i tij si orator. Më pas jetën i’a kushton predikimit të fjalës
së Zotit, dhe në të njëjtën kohë emërohet profesor i teologjisë. Më vonë në një letër
të cilën shën Antoni e merr prej Shën Françeskut shkruan: “Atë Antonit, ipeshkvit
tim, Atë Françesku, përshëndetje. Dëshiroj që t’iu mësosh teologjinë shenjte fretërve...”
Fra Antoni i mësonte vëllezërit teologjinë që kishte mësuar vet. Ishte ajo teologjia
biblike e cila privilegjonte meditimin e Fjalës së Zotit duke e pasuruar me komentet
e etërve të Kishës.
Sipas mësimit të fra Antonit, jo vetëm jeta e fratit, por edhe jeta e secilit të krishterë
duhej të kishte për model ligjin trinitar të dashurisë edhe atë në dy drejtime: Ndaj
Zotit dhe ndaj të afërmit. Ai ishte mbrojtës i të varfërve dhe shërbestar i tyre sipas
shembullit të Krishtit.
Përndryshe, ishte i lartë, kishte nje zë të mrekullueshëm, saqë, predikimet e tij
bënin që kishat të jenë të vogla për të gjithë të interesuarit që vinin ta dëgjojnë.
Edhe mëkatarët vinin tek ai, dhe në gjunjë e dëshmonin se ky njeri i madh e meriton
shenjterinë.
Në një rast, Papa Gregori IX e dërgon në Kapitullin gjeneral të vitit 1226 që të jep
përgjigje në disa ndryshime të mundshme të Rregullit, dhe e quan “Arka e Besëlidhjes”
per shkak të njohjes së mirë të Shkrimit Shenjt. Edhe më vonë e shofim si predikatar
në Francë ku themelon një kuvend në Brive-la-Gaillarde. Aty është një shpellë për
të cilën thuhet se ka banuar shna Ndou. Më pas vendoset në Padovë.
Më 1231 ndihet paksa i lodhur dhe për pak kohë tërhiqet në Camposampiero, në një vend
malor për ushtrime shpirtërore për tu kthyer përsëri në Padovë. Vdes në Padovë më
13 qershor 1231 në moshën 36 vjeçare.
Papa Gregori i IX e shpall shenjtë një vit pas vdekjës së tij. Në vitin 1263 shën
Bonaventura pas një verifikimi në trupin e tij të vdekur, e gjen gjuhën e shenjtit
të paprishur. Më 1946 Piu i XII e shpall mësues i Kishës – Doctor evangelicus.
Trupin e tij padovasit e mbajnë si një thesar të çmueshëm para të cilit vijnë dhe
përkulen njerëz të të gjithë popujve.
Që nga shekulli i XV, e jo më parë, paraqitet truporja e tij me Krishtin Fëmi në dorë.
Sipas një legjende, një mysafir i tij, fshehurazi përmes dritares e kishte parë shenjtin
në atë pozitë (me Krishtin ne dorë). Monumentet e para ikonografike e paraqesin me
libër në dorë ose me një zambak, për të shënuar se sa mirë e njihte Shkrimin Shenjt.
Shumë herë e prezantojnë edhe me një mushk, në kujtim të një legjende tjetër sipas
së cilës, për t’i bindur disa heretik mbi praninë reale të Krishtit në të Shenjtërueshmin
Sakramend, edhe mushku mrekullisht përkulet para Hostjes Shenjte.
Shën Antoni është pajtorë i të varfërve. Në mbarë botën mblidhen lëmoshë – e ashtuquajtura
“Buka e shëna Ndout”. Përndryshe askush nuk e ka shpjeguar ndërmjetësinë e këtij shenjti
për gjësendet e humbura. Në Cronica XXIV Generalium, nr. 21 bëhet një referim se si
një seminarist ia merr librin e lutjeve shenjtit. Pas lutjes së këtij shenjti qe ti
kthehet ky libër kthehet seminaristi duke ia sjell librin aq të dashur.
Edhe në popullin tonë shën Antoni gëzon nderim të madh. Mirëpo, e rëndësishme është
që të merret si shembull jeta e tij. Të jemi të përkushtuar ndaj Fjalës së Zotit e
cila është burim dhe ushqim shpirtëror, e pastaj, të shtimë në veprim mësimin e tij
mbi ligjin trinitarë që është dashuria. Dashuria ndaj Zotit dhe të afërmit. Mbi të
gjitha kujdesi për të varfërit dhe përkrahja e të gjithëve që janë në kujdes ndaj
tyre.
SHNA NDOU I PADOVËS
Në lypë, o nieri mrekulli
si n’idhnim si në zor, si në dekë,
të kqijat zhduken gjith unji
i shndoshtë kjosh a fill tue hjekë.
(kthesa) O i mrekullueshmi Shejti Shna Ndue,
ty qielli e toka asht tue të nderue.
Na nder kambë tua sod të kemi ra
dhe na po të lut’mi ndihmë me na u bâ.
Djalli rrebtë me shumë duhi,
E gërbula në shum ezgjet,
zhduken shpejt, emnin tue ndî
e Shna Ndout kur kush e thrret. (kthesa).
Fashitë deti me tallaze,
Zgidhen robët në robní shtërngue:
paqja bje, s’rri mâ në maraze
njeri jet kryekput i gëzue. (kthesa)
Gja në të pasët hupë për ta gjetë ké,
e burrë në kjosh a plak a i ri:
zor, rrezik, çka të keshë mbi dhé
me u zhdukë ka, veç n’ emën të ti. (kthesa).
Padovanët pa prâ diftojnë
gjith kto punë që bajnë vaki,
nji mbas tjetrit i kallzojnë
nderim shejtit tue i përtrî. (kthesa).
Atit të madh i kjoftë lumni,
që me Birin bashkë sundoftë,
e me Shpirtin gjith Shejtní
të treve bashkë lumni u kjoftë. (kthesa).
Marrë nga “Mësim i kshtenë”, Dom Frano Illia
Shëna Ndout të Padovës
O i lumi e i mrekullueshmi shenjti shna Ndue,
ndër këmbë të tua po biejmë,
e me gjithë fuqi të zemrës sonë
po të lutemi të na nxjerrësh prej Tenzot
hir e forcë që të ndjekim në përvujtëri shenjtë,
ça është aq e këndshme para Zotit,
e aq e dobishme për shpirt.
O shenjti i bardhë,
ti që je i mëshirshëm e dorëdhenë me gjithkënd,
dëgjo lutjen tonë e na plotëso dëshirën e zemrave tona.
Bën o Hyj, që e kremtja e kushtuar shna Ndout,
Dëshmitarit tënd e Dijetarit,
të gëzojë Kishën tënde,
kështuqë kjo, e forcuar prej hirit tënd shpirtëror,
të meritojë e të kapet në gëzime të pambaruara. Amen
Shën Antonit të Padovës
O Zot ki mëshirë!
O Krisht, ki mëshirë!
O Zot, ki mëshirë!
O Krisht ndijena ne!
O Krisht, dëgjona ne!
O Hyj Atë në Qiell, ki mëshirë për ne!
Hyj Bir, Shëlbuesi i botës,
Hyj Shprit Shenjt,
Trini e Shenjtë, një Hyj i vetëm.
ose
Ati prej qiellit Zot, ki mëshirë për ne!
Biri, shpërblyesi i botës, Zot,
Shpirti Shenjt, Zot,
Shenjta Trini, një i vetmi Zot.
Shën Antoni I Padovës, lutu për ne!
Ti nxënës besnik i shën Françeskut,
Ti stoli e Rendit të vëllezërve të Vegjël,
Ti dritë dhe shtyllë e Kishës,
Ti i fejuari I shenjtëi i varfërisë,
Ti shëmbëlltyrë e përvujtërisë,
Ti shembull i durimit,
Ti shëmbëlltyrë e dëgjesës,
Ti lilaku më i bukur i paprishur i çiltërisë,
Ti që u denjove të bartësh Jezusin Fëmijë
në duart e tua të shenjta,
Ti që Hyjin tënd me krejt zemër e deshe,
Ti pasqyrë e shenjtërisë së lartë,
Ti shembull i përshpirtërisë së vërtetë,
Ti që më hirin e Hyjit qe mbushur,
Ti kumtuesi i zellshëm i Ungjillit të shenjtë,
Ti mësues dashuriplotë i fesë,
Ti udhëzues i saktë i të lajthiturve,
Ti kundërshtar i forte i gabimeve dhe mëkateve,
Ti ngushëllim i të mjeruarve,
Ti streha e të braktisurve,
Ti ndihmëtari i nevojtarëve,
Ti rigjetësi i sendeve të humbura,
Ti mrekullibërësi i forte,
Ti ndërmjetës lavdishumë i Padovës.
Jezu Krisht, ki mëshirë!
Përmes meritave të shërbëtorit tend të shenjtë, ki meshire per ne!
Përmes durimit dhe mirësisë së tij,
Përmes varfërisë së tij të vetëzgjedhur,
Përmes pendesës dhe rojës së tij,
Përmes vetmohimit të tij të madh,
Përmes punës së tij të madhe për nderin Tënd,
Pëmes predikimeve të tij apostolike dhe mësimeve,
Përmes zellit të flaktë të përshpirtërisë së tij,
Përmes dashurisë së tij të madhe kundrejt të afërmit,
Përmes bashkëdhimbjes dhe mëshirës së tij,
Përmes gjakimit për kurorën e martirizimit,
Përmes të gjitha vështirësive që duroj për shkakun Tënd,
Përmes të gjitha shërbimeve të tij kushtuar Ty,
Përmes dashurisë fëmijërore të tij ndaj teje,
Përmes dashurisë, me të cilën Ti e ke pranuar në qiell.
Ne mëkatarët e shkretë, po të lutemi na dëgjo!
Që të na mëshirosh,
Që perms meritave të Shen Antonit prej çdo njolle të na ruash,
Që në vuajtjet tona të na japësh qëndresën,
Që të denjohesh që në mjerimet tona ndihmen e Shen Antonit ta sprovojmë,
Që sipas dëshirës së tij nga vdekja të na mbrosh,
Që në Mbretërinë tënde të amshuar të na pranosh.
Shpagues hyjnor, pot ë lutem na dëgjo!
O Qengji i Hyjit, që shlyen mëkatet e botës, na fal ne o Zot.
O Qengji i Hyjit, që shlyen mëkatet e botës, dëgjona ne o Zot.
O Qengji i Hyjit, që shlyen mëkatet e botës, ki mëshirë për ne.
O Krisht, ndjena ne!
O Krisht, dëgjona ne!
V. Lutu për ne o Shën Anton,
R. që të bëhemi të denjë për premtimet e Jezu Krishtit.
Të lutem!
O Hyj, Ti që shërbëtorin tënd, Shën Antonin, e zgjodhe për shërimin e botës, dhe përmes
shembullit të shenjtë të tij dhe predikimeve të zellshme, të cilat i hoqën doresh
dhunës së Satanit shpirtrat, bëj që përmes lutjeve të forta të tij dhe shikimit tënd
kah shërbëtori yt të fitojmë hirin hyjnor dhe të kemi pjesë në gëzimin e amshuar.
Nëpër Krishtin, Zotin tone. Amen.
All the contents on this site are copyrighted ©. |