2015-06-13 18:16:00

Revista “Zani i Shna Ndout” në gjuhën shqipe


Revista “Zani i Shna Ndout” është një nga më të vjetrat e më të përhapurat në botë. Nga faqet e saj Shenjti flet në gjuhët kryesore të botës. E flet prej më se njëqind vjetësh, edhe në gjuhën shqipe.

Revista zëmadhe  doli në shqip në tri periudha

Fillimisht ndërmjet viteve 1913-1944, në Shkodër, nën drejtimin e rregulltarëve  françeskanë e shkrimtarëve të mirënjohur atë Vinçenc Prennushi, atë Anton Harapi, atë Gjergj Fishta, atë Jak Marlekaj, atë Benedikt Dema e shumë të tjerë; pastaj revista u mbyll, bashkë me kuvendin. Zani i Shna Ndout nuk u dëgjua më nga faqet e saj, por nuk reshti s’u foluri shqiptarëve në shpirt, në fshehtësi, gjatë viteve të errëta, kur kishin më shumë nevojë se kurrë për Shenjtin, që të ndërmjetësonte për ta. Bashkë me revistën, u rrënua edhe shenjtërorja. Po mbeti në këmbë krepi i Laçit,  ku lutja drejtuar Shna Ndout u shndërrua në provë  besimi të patundur, deri në flijim.

25 vjet heshtje

Deri në vitin 1970.  Kur Zani i Shna Ndout, që kishte heshtur në Shkodër, nisi përsëri  të flasë shqip, si dikur, nga Tuzi i Malit të Zi. Revista rifilloi të botohej në kuadrin e Misionit Françeskan në Tuz, në ciklostil, nën redaktimin e P. Gjergj Marstjepaj. Për disa vjet mbeti e kufizuar në qarqet kishtare. E kjo ishte periudha e dytë.

Kurse në periudhën e tretë, nga viti 2000 e këndej, nisi të dalë nën redaktimin e Atë Pashko Gojçajt. Botim i denjë për atë zë, që u flet besimtarëve nga faqet e saj. Aktualisht revista i ofrohet një publiku të gjerë brenda dhe jashtë vendit (nga Italia, në SHBA). Sipas kryeredaktorit, Atë Pashko Gojçaj, sot shumica e bashkëpunëtorëve janë laikë, që punojnë falas për Shna Nduen. E po sipas Atë Gojçaj-t, ndoshta, tashmë janë krijuar kushtet që selia e revistës të kthehet përsëri atje ku lindi, para një shekulli. Në Shkodër.

Përveç materialeve të shumta nga fushën e teologjisë dhe ngjarjeve kishtare, revista “Zani i Shna Ndout” sjell kontribute edhe nga kultura, historia, reportazhe nga jeta e përditshme etj. Veçori e revistës është se ajo gjatë gjithë këtyre viteve, edhe sot e kësaj dite, botohet pothuajse krejtësisht në gegënishten letrare, por pa asnjë lloj imponimi gjuhësor për bashkëpunëtorët e saj.  E vetmja, që sjell një kontribut të tillë,  sa për të vijuar traditën, aq edhe për t’u kuptuar më mirë nga lexuesit e saj, shumica e të cilëve flasin ashtu si  vijon të flasë Shna Ndou në faqet  e revistës!








All the contents on this site are copyrighted ©.