2015-06-12 17:26:00

Patriarku Sako: të krishterëve irakianë u ka mbetur vetëm feja


Presidenca e Konferencës ipeshkvnore italiane vendosi të dërgojë në ndihmë të refugjatëve të krishterë të Irakut, më se një milion  euro, nga fondi tetë për mijë. Një vit më parë refugjatët e sotëm u detyruan nga Shteti i vetëshpallur Islamik, të braktisinin  shtëpitë e tyre në Mosul e në Rrafshin e Ninives. Ndihma do të përdoret për strehime, puse dhe për ndërtimin një shkolle në kampin e Erbilit, ndërsa Karitasi italian ka caktuar një milion dollarë për të shuar urinë e më se 13 mijë familjeve në muajin gusht. Për të kujtuar tragjedinë e të krishterëve të Irakut dhe të gjithë Lindjes së Mesme, Patriarku i Babilonisë së Kaldejve, Louis Raphael Sako botoi këto ditë librin  “Më të fortë se terrori”.

Vëllimi, që pa dritën e shtypit në Shtëpinë Botuese Misionare italiane, u shkrua nga Patriarku, në bashkëpunim me gazetaren franceze Laurence Desjoyaux (Dezhojo), me parathënie të Domenico Quirico. Për  ta njohur më hollësisht gjendjen e refugjatëve irakianë, u lidhëm telefonikisht me autorin e vëllimit, patriarkun Sako:

Përgjigje: - Në qytetin e Mosulit dhe në Rrafshin e Ninives nuk ka mbetur më asnjë i krishterë: të gjithë kanë ikur! Tashmë jetojnë si refugjatë në Kurdistan; por edhe në Jordani, në Liban, në Turqi... Jetojnë i thënçin: e papërshkrueshme, tragjedia e jetës së tyre, si psikologjikisht, ashtu edhe moralisht. Njerëz që humbën gjithçka! Që Kisha mundohet t’i ndihmojë me të gjitha mënyrat, e jo vetëm Kisha vendase, por edhe konferencat ipeshkvnore të Italisë, Francës, Gjermanisë. Ndihma vjen nga pak prej të katër anëve...Duan të kthehen në trojet e veta, por kjo sot për sot duket tepër e vështirë, sepse nuk ekziston një strategji ndërkombëtare për ta mundur IS e për ta çliruar qytetin e Mosulit dhe fshatrat e Rrafshit të Ninives.

Pyetje: - Këto ditë Shteti Islamik dërgoi një video me kremtimet e fitores mbi Mosulin: video plot me vrasje, ekzekutime, kisha të rrënurara... ç’ka mbetur e krishterë në Mosul?

Përgjigje: - Është e turpshme gjithçka kanë bërë! E tërë historia po shlyhet: historia e Irakut dhe historia e mbarë njerëzimit. Këto grupe rrënojnë gjithçka: s’ lënë gur mbi gur. Djegin dorëshkrimet. E i vrasin njerëzit, që nuk u shkojnë për shtat.

Pyetje: - Ju lidheni vazhdimisht me të ikurit nga Mosuli. A mund të na thoni si jetojnë, e jo vetëm fizikisht, por edhe, e sidomos, shpirtërisht. Si e jetojnë fenë, për hir të së cilës braktisen gjithçka, në këto kushte kaq të vështira?

Përgjigje: - Jam shumë pranë tyre, shpesh shkoj në Erbil! Kam shkuar edhe në Jordani, dy herë në Liban e edhe në Turqi... S’u ka mbetur gjë prej gjëje! E humbën gjithçka, kur ikën, duke marrë me vete vetëm fenë... E papërfytyrueshme, gjendja e tyre: në një dhomë banojnë dhjetë vetë, e gjithë familja... Presin ndihma nga Kisha e edhe nga agjencitë e organizmat humanitare, që u japin të hanë e edhe i mjekojnë. Unë kam dy motra të ikura nga Mosuli, që jetojnë në ankth të përditshëm...

Pyetje: - Në planet e Is, me sa duket, nuk ka vend për të krishterë në Lindjen e Mesme....

Përgjigje:- Jo, jo, nuk ka! Nuk ka vend për të krishterët, e as për shiitët:  nuk ka për asnjë njeri, që nuk  e pranon “fenë” e tyre. Nuk ka! Kanë mbytur më shumë myslimanë, sunnitë e shiitë, sesa të krishterë: i kanë dëbuar nga shtëpitë e tyre, ua kanë zaptuar pronat, ua kanë përvetësuar paratë, ua kanë zhdukur dokumentet.... Gjithçka. Ata që nuk deshën ta ndërrojnë fenë, ikën vetëm me petka në shtat. Duke lënë gjithçka në dorën e tyre...

Pyetje: - Bashkësia ndërkombëtare po përpiqet t’i kundërvihet Is: është e mjaftueshme kjo përpjekje?

Përgjigje: - Jo! Nuk është e mjaftueshme! Madje, është çkurajuese, sepse vijojnë të flasin për 4-5 vjet. E kjo është punë e keqe! Kërkojnë rrugëzgjidhje politike: por kur nuk gjindet, ç’duhet bërë? Ata fitojnë gjithnjë më shumë xhihadistë e gjithnjë më shumë terren! E njerëzit kanë shumë frikë. E pak shpresë....








All the contents on this site are copyrighted ©.