2015-06-12 19:07:00

Liturgjia e Fjalës Hyjnore e dielës së 11-të gjatë vitit kishtar 'B'


Ja përsëri në takimin tonë javor me Fjalën e Zotit të së dielës. Kësaj radhe do të dëgjojmë e meditojmë së bashku leximet biblike të liturgjisë së Fjalës Hyjnore të dielës së 11-të gjatë vitit kishtar, ciklit të dytë, sipas kalendarit liturgjik.

Jezusi i korrigjon pritjet mesianike të bashkëkohësve të vet me imazhe marrë nga natyra (Ungjilli). Pjesa e Ungjillit të kësaj së diele nga Marku na paraqet shëmbëlltyrën e farës e të kokrrës së senapit për të na bërë të kuptojmë zhvillimin e papritur të Mbretërisë së Hyjit, të cilën Jezusi e predikon mes shumë vështirësish, pengesash e refuzimesh.

Në shëmbëlltyrën e parë të Ungjillit, Jezusi na tregon se si Mbretëria e Hyjit nuk është fryt i fuqisë njerëzore, por është vepër e Hyjit: rritet në saje të natyrës së vet, vetvetiu  si fara e mbjell në tokën e bujkut të durueshëm. Në shëmbëlltyrën e dytë, Jezusi sqaron se pamja e saj është e përvujtë, e thjeshtë, gati gati e paperceptueshme: në fillim nuk ka asgjë të veçantë, asgjë të rëndësishme e të dukshme, por pastaj rritet, si një pemë e madhe që shpërthen nga fara e vogël.

Leximi profetik i Ezekiliet (Leximi I) na ofron një anticipim të këtij stili të Hyjit, i cili megjithëse e dënon mëkatin nuk heq dorë nga mëshira e tij: për këtë arsye duhet të kemi përgjithmonë besim të plotë edhe kur duhet të dalim para gjyqit të Hyjit. Ne jemi porsi shpezët (zogjtë) që strehohen në degët me gjethe të pemës së madhe që është Jezu Krishti: i cili u shfaq porsi një farë, por pastaj doli fitimtar mbi vdekjen.

Nga shëmbëlltyrat ungjillore mund t’i nxjerrim tre mësime të vlefshëm për ekzistencën tonë. I pari është spontaniteti: në procesin e rritjes së farës ekziston një mekanizëm automatik që nuk varet nga veprimi i bujkut: fara rritet pandalshëm, si kur ai fle ose nuk është aty, si kur kontrollon rritjen e saj. Fara e Mbretërisë zotëron në vetvete një energji jetësore për tu rritur. I dyti lidhet me rritjen e saj që ndodh e zhvillohet pa ndërhyrjen tonë, pra nuk varet nga forca njerëzore, sepse është në natyrën e farës të rritet. Mësimi i tretë është ai i kontrastit: fara jep gjithmonë diçka që është më e madhe e më e ushqyeshme se vetë ajo. Mbretëria e Hyjit i dhuron njeriut Hyjin. Nuk duhet të dyshojmë në veprimin e Hyjit në botë e në zemrat tona, edhe pse i madh është rreziku për ta humbur durimin e guximin.

Me shëmbëlltyrat e ungjillit të liturgjisë së kësaj së diele, nga Ungjilli i Markut, Jezu Krishti e përshkuan dhe paraqet cakun e Mbretërisë Qiellore, e këndej, cakun e asaj që ne, nxënësit e tij, besojmë, kumtojmë e synojmë në jetën tonë njerëzore. Mesazhi i leximeve biblike të kësaj së diele është një thirrje të kemi besim në forcën e Fjalës së Zotit, të mbjell me begati në brazdat e historisë, në zemrat tona njerëzore, të bindur se përkundra të gjitha kundërshtimeve, refuzimeve, Fjala e Zotit gjithmonë jep frytet e veta, që janë drejtësia, liria, dashuria, paqja dhe shpresa e Mbretërisë së Zotit. Mbretëria e Hyjit në botë nuk lulëzon e nuk rritet me forcën e vetëmjaftueshme të njeriut, por me besimin e patundur në fuqinë e heshtur të Hyjit.

                                                                     Liturgjia e Fjalës së Zotit

Leximi i parë Ez 17, 22-24

Nga dinastia e Davidit janë eliminuar në mënyrë tragjike pasardhësit e fundit. Me këtë Hyji nuk mohon besëlidhjen e tij, por vendos të ripërtërijë gjithçka. Dega më e brishtë e cedrit të vjetër (Izraeli), mbjellë nga Hyji me dashuri, do të prodhojë një pemë të re. Një degë e tillë do të jetë Jezusi i Nazaretit . Me të do të zhduket ëndrra e madhështisë së Izraelit të vjetër e do të lindë një Kishë e përvuajtur që do të bashkojë të vegjlit dhe të varfrit.

Lexim prej Librit të Ezekielit profet

Kështu thotë Zoti Hyj: “Edhe unë do ta marr prej majës së cedrit të madh prej majës së gemave të tij do ta këpus një gemëz e do ta mbjell mbi një mal të lartë e të madhërishëm. Do ta mbjell në mal të lartë të Izraelit: do të shpërthejë në pinjollë e do të bëjë fruta: cedër do të jetë i madhërueshëm. Nën të do të banojnë të gjithë shpendët, çdo shpend nën hijen e gemave të tij çerdhen do ta bëjë. Të gjitha lëndët e fushës do ta dinë se unë jam Zoti që e zvogëlon lëndën e madhe dhe e lartëson të voglën, e thaj lëndën e njomë dhe e bëj të bulëzojë të thatën. Unë Zoti thashë dhe do të bëj ashtu.” Fjala e Zotit. Falënderojmë Hyjin!

Psalmi 91,2-3;13-14;15-16

Bëj të rritet në ne, o Zot, fara e fjalës sate

Është punë e mirë të shpallim dashurinë

në mëngjes e gjatë natës besnikërinë tënde,

se ti, o Zot, më gëzove me veprat e tua,

kënaqem për veprat e duarve të tua.

 

I drejti lulëzon si palma,

rritet porsi cedri i Libanit.

Të mbjellë në shtëpinë e Jakobit

lulëzojnë në banesat e Hyjit tonë.

 

Japin fruta edhe në pleqëri,

janë të kërthndeztë e plot shëndet,

për të shpallur se Zoti është i drejtë:

Qeta ime, në të cilin nuk ka të meta

Leximi i dytë 2 Kor 5,6-10

Pas persekutimit e dështimit, Pali është i lodhur për të luftuar, e ëndërron pushimin përfundimtar. Do të ishte më e thjeshtë të vdiste, sidomos kur është i sigurt që të vdesë domethënë të jetojë përgjithmonë me Krishtin. Por kupton se Krishti e thërret për të jetuar e për të vazhduar luftën për të marrë shpërblimin për të mirën e kryer.

Lexim prej Letrës së dytë të shën Palit apostull drejtuar Korintianëve

Vëllezër, jemi gjithmonë plot shpresë edhe pse e dimë se deri sa të banojmë në këtë trup, jemi të mërguar, larg Zotit; sepse jetojmë në fe e jo në pamje të Zotit. Për këtë arsye edhe jemi plot shpresë e më fort dëshirojmë ta lëshojmë banesën e këtij trupi për të banuar te Zoti. Prandaj, edhe mundohemi me gjithë shpirt t’i pëlqejmë Zotit, qoftë duke qëndruar në banesën tone, qoftë edhe duke e lëshuar atë, sepse të gjithëve na duhet të dalim në gjyq para Krishtit, që secili të marrë shpërblimin për veprat që ka bërë gjatë jetës së vet në trup, qoftë për të mira, qoftë për të këqija. Fjala e Zotit. Falënderojmë Hyjin!

Aleluja, Aleluja

Hape, o Zot, zemrën tone, që t’i pranojmë fjalët e Birit tënd.

Aleluja, Aleluja

Ungjilli Mk 4, 26-34

Mbretëria e Hyjit shpesh përparon aty ku nuk kemi punuar e ne mendonim se nuk mund të lulëzonte asgjë. Fjala e Hyjit është gjithmonë në veprim në m mënyrë të fuqishme e krijuese. Hyji na beson këtë fjalë si një farë të vogël: nëse e lëmë të rritet është e aftë të shndërrojë botën. Nuk është dëshira jonë e fuqisë dhe e suksesit që bën të triumfojë ungjilli, por më tepër varfëria dhe dobësia jonë.

Leximi i Ungjillit shenjt sipas Markut

Në atë kohë, Jezusi i tha turmës: “Mbretëria e Hyjit është porsi kur njeriu e qet farën në dhe. Si të flejë si të rrijë zgjuar, natë e ditë, fara mbin, rritet, pa ditur ai sesi. Toka vetvetiu qet bimën; më parë kërcellin, pastaj kallirin, e në fund kallirin plot kokrra. E posa fryti piqet, i vë draprin, sepse është koha e korrjes.” Dhe thoshte: “Me çka ta krahasojmë Mbretërinë e Hyjit? Ose me çfarë krahasimi ta paraqesim? Ajo i përngjet kokrrës së sinapit që është më e vogla ndër farëra kur qitet në dhe; por, kur mbillet, rritet e bëhet më e madhe se të gjitha perimet: lëshon degë të mëdha, aq sa zogjtë e malit banojnë nën hijen e saj.” Me shumë shëmbëlltyra si këto ua shpallte fjalën, ashtu si ishin të zotët ta kuptojnë; por pa shëmbëlltyra atyre nuk u fliste asgjë, kurse nxënësve ua shtjellonte veçmas të gjithaFjala e Zotit. Lavdi të qoftë ty, o Krisht.

Më shumë mbi programin tonë kushtuar Liturgjisë së Fjalës Hyjnore të dielës së 11-të gjatë vitit kishtar, ciklit të dytë, mund të dëgjoni këtu...








All the contents on this site are copyrighted ©.