2015-06-12 11:32:00

Dita e Selisë së Shenjtë në Expo: të globalizohet solidariteti


 Histori, vështrime, fytyra: është  vala e humanitetit në lëvizje e në kërkim, që e pret vizitorin, sapo hyn në Pavijonin e Selisë së Shenjtë, në Expo. E që dje iu dëgjua fort zëri. Dy, çastet më domethënëse të kësaj Dite Kombëtare (National Day) të Selisë së Shenjtë në Milano: kuvëndimi me temë “Jo vetëm me bukë”, dje paradite, në Auditorium, ku e morën fjalën kardinali Gianfranco Ravasi, komisar i përgjithshëm i Pavijonit dhe kryetar i Këshillit Papnor të Kulturës; imzot Angelo Becciu, Zëvendës i Sekretarisë së Shtetit; kardinali Bagnasco, kryetar i  Konferencës ipeshkvnore italiane dhe kardinali Scola, kryeipeshkëv i Milanos. Pasdite, takimi i dytë me temë “Fytyrat e tokës”.

Luftërat, korrupsioni, ndarja e pabarabartë e pasurive ngrejnë zërin e kërkojnë përgjigje:  ngrejnë zërin mijëra njerëz, që vuajnë në botë nga uria. Kërkojnë gjithashtu përgjigje. Ndjehet fort uria. Materiale dhe shpirtërore. Tema e takimit të parë të djeshëm mund të përmblidhet në shprehjen; “Jo vetëm me bukë”. Në sallë, për të ndjekur diskutimet, ishin të pranishëm 60 ambasadorë pranë Selisë së Shenjtë. Në fjalimin e hapjes, kardinali Ravasi, duke folur për praninë e Kishës në këtë ngjarje të madhe, e quajti  “ferrë nëpër këmbë”: ne, theksoi, duam t’i zgjojmë ndërgjegjet. Fjalët “bukën tonë të përditshme na e jep sot” nuk mund të mos i nxisin njerëzit të reflektojnë për urinë e për shpërdorimin e tokës dhe të ushqimit. Ashtu si shprehja tjetër “jo vetëm me bukë”, që plotëson mesazhin, përmban gjithë vlerën simbolike të ushqimit: ndarjen e përbashkët, festën e përbashkët. Jezusi, pohoi prelati i lartë, nuk e përbuz kënaqësinë, që të fal sofra e shtruar. E sofra është në krye të vendit në të gjitha kishat katolike; mbi të shugurohet Eukaristia, mbi të  vjen mes nesh vetë Krishti.

Gatishmëria e prodhimi i ushqimit kërkojnë parime etike

Por sigurimi i ushqimit, prodhimi ushqimor, nuk janë çështje që kërkojnë vetëm zgjidhje teknike, politike, ekonomike: kërkojnë, në radhë të parë, parime etike, mbi të cilat të bazohen rrugëzgjidhjet. Në të vërtetë,  kujtoi në fjalën e tij imzot Becciu:

“Nëse akoma sot më se dy miliardë njerëz vuajnë nga mungesa e ushqimit, e shumë prej tyre, nga uria kronike, pavarësisht nga vendimet e programet që, sipas bashkësisë ndërkombëtare, janë më se të sakta e në gjendje për t’u dhënë përgjigje njerëzve, familjeve, fëmijëve, shkaku duhet kërkuar  kryesisht në mungesën e vullnetit për t’i ndarë së bashku pasuritë e tokës”.

Të shmangen shpërdorimet e ushqimeve

Eshtë e nevojshme, atëherë, përfundoi, të shkunden ndërgjegjet, për të ndikuar mbi rrugëzgjidhjet racionale e teknike për të mirën e të gjithëve, duke respektuar larmitë e kulturave të ndryshme ushqimore e duke rishikuar edhe mënyrën e konsumit të ushqimit, për të shmangur shpërdorimin dhe shkapërderdhjen e ushqimeve. Imzot Becciu kujtoi, më pas, figurën e ushqimit, si dhuratë, që tradita e krishterë e simbolizon në bukën e verën e që ka kuptimin e ndarjes së përbashkët, mikpritjes, dhuratës reciproke të njerëzve për njëri-tjetrin.

Kardinali Bagnasco: Expo, rast për dëgjimin e vuajtjeve, që i ndajnë popujt

Kardinali Bagnasco kujtoi se Zoti e shujtoi popullin e vet në shkretëtirë me manë, për të treguar se njeriu nuk jeton vetëm me bukë, duke pohuar, më pas, se sa herë që njeriu i vë mbi gjithçka të mirat materiale, e humbet vetveten. Materializmi e individualizmi shkojnë krah për krah. Kur njeriu e kërkon bukën vetëm për vete, natyrisht që do t’i mungojë. Ushqimi nuk është çështje private: ka të bëjë me Zotin, me të afërmin e me gjithësinë. Duhet atëherë, qortoi,  që logjika e tregut të shikohet me syrin e ngulur edhe drejt së ardhmes. Në përfundim uroi që Expo të jetë rast i përshtatshëm për dëgjimin e njerëzve të vuajtur e edhe për rishkimin e lëvizjeve, që përçajnë popujt. Së fundi, ceku edhe angazhimin e Kishës në luftën kundër urisë, që niset nga kumti i Ungjillit, i cili zbulon fytyrën e vërtetë të njeriut dhe shenjtërinë e jetës së tij. Kujtoi, më pas, mijëra nismat në zhvillim e sipër, jo të tipit asistencialist, por që vlerësojnë dinjitetin e çdo njeriu.

Kardinali Scola për temën e Expo-së: “Të ushqehet planeti”

Së fundi fjalët e kardinalit Scola: “Gëzimet dhe shpresat e njerëzve të sotëm, e sidomos të të varfërve, janë gëzime e shpresa të dishepujve të Krishtit. Kisha e ka marrë seriozisht temën e Expo-së: “Të ushqehet Planeti” e, me praninë e saj këtu, synon të interpretojë thirrjen e  Papës për globalizimin e solidaritetit.








All the contents on this site are copyrighted ©.