2015-06-11 12:50:00

Papa: të krishterët të shërbejnë falas, të mos mashtrohen nga pasuria


“Të krishterët të shërbejnë falas”: është kjo këshilla e Papës Françesku në meshën e mëngjesit, që kremtoi sot në Shtëpinë e Shën Martës, në Vatikan. Duke komentuar leximet e ditës, Ati i Shenjtë vuri në dukje tri aspekte të ftesës, që Jezusi u drejton dishepujve të vet, kur i dërgon të shpallin Lajmin e Mirë: udha, shërbimi e puna pa interes.

Shpallja e Lajmit të Mirë përmes një procesi shpirtëror

         Jezusi, theksoi Papa, nuk i fton dishepujt të bëjnë shëtitje, por të shkojnë për të kumtuar Ungjillin, për t’u çuar njerëzve Shëlbimin. Pra, i nis misionarë, i nxit të dalin e t’u çojnë diçka të mirë të tjerëve:

         “Udha e dishepullit të Jezusit është të shkojë për të çuar Lajmin e Mirë. Por ka edhe një udhë tjetër, që duhet të bëjë dishepulli: është udha e brendshme, shpirtërore, udha e dishepullit, që e kërkon Zotin çdo ditë, në lutje e në meditim. E kjo është udhë që duhet bërë, pasi nëse dishepulli nuk e kërkon Zotin, Ungjilli që u çon të tjerëve do të jetë i dobët, i holluar me ujë, pa forcë”.

Dishepulli që nuk shërben, nuk është i krishterë

         Pastaj, Papa Françesku u ndal tek fjala e dytë: shërbimi. Dishepulli, që nuk u shërben të tjerëve, nënvizoi, nuk është i krishterë. Ai duhet të veprojë duke ndjekur predikimin e Jezusit, i cili, me fjalët e Tij, ka ngritur dy shtylla të krishterimit: Lumnitë dhe “protokollin” (e quajti Papa) sipas të cilit do të gjykohemi. Mjafton të lexojmë kapitullin e 25-të të Ungjillit sipas Mateut. Këto dy shtylla përbëjnë kornizën e shërbimit ungjillor, nënvizoi Ati i Shenjtë:

         “Nëse dishepulli nuk ecën për të shërbyer nuk i shërben udhës. Nëse jeta e tij nuk i kushtohet shërbimit, nuk është për gjë jeta e tij si i krishterë. E pikërisht aty tundohet nga egoizmi: ‘Po, unë jam i krishterë, jam në paqe, rrëfehem, shkoj në meshë, zbatoj Urdhërimet’. Po shërbimi për të tjerët! …shërbimi për Jezusin në të sëmurin, në të burgosurin, në të uriturin, në të zhveshurin. Atë që na ka thënë Jezusi të bëjmë, sepse Ai është në ta! Shërbimi për Krishtin në të tjerët”.

Të shërbejmë falas, të mos mashtrohemi nga pasuria

         Fjala e tretë, që përdori sot Papa Françesku në Shtëpinë e Shën Martës ishte “falas”. “Falas keni marrë, falas jepni”, na këshillon Jezusi. Ne, nënvizoi Ati i Shenjtë, e kemi marrë falas shëlbimin, askush nuk e ka blerë, askush nuk e ka merituar. Është hir i Atit nëpër Jezu Krishtin, përmes flijimit të Birit të Tij të vetëm:

         “Të kap trishtimi, kur sheh të krishterë, që e harrojnë këtë fjalë të Jezusit: ‘Falas keni marrë, falas jepni’. Të kap trishtimi kur gjen bashkësi të krishtera, famulli, kongregata fetare, dioqeza, që e harrojnë shërbimin falas, sepse pas këtij qëndrimi fshihet mashtrimi se shëlbimi vjen nga pasuria, nga pushteti njerëzor”.

         Tri fjalë, sintetizoi Papa: udha, si ftesë për të kumtuar; shërbimi, sepse jeta e të krishterit nuk është për vetveten, por për të tjerët, si ajo e Krishtit; falas, sepse shpresa jonë është në Krishtin, që nuk zhgënjen kurrë, por kur shpresojmë se rehatia, pasuria, siguritë e vogla të kësaj bote, do të na shpëtojnë, gjithçka shembet. Vetë Zoti e bën të shembet.








All the contents on this site are copyrighted ©.