2015-06-10 15:08:00

Përfundoi mbledhja X e Këshillit të kardinajve me Papën


Përfundoi mbledhja X e Këshillit të kardinajve, që u mblodhën më datën 8 qershor në Shtëpinë e Shën Martës, në Vatikan, së bashku me Papën Françesku. Dita e parë iu kushtua shqyrtimit të hyrjes së Kushtetutës së re, e cila do të rishikohet më tej. Të rëndësishme, vendimet e marra, që përfshijnë disa fusha të veprimit të Selisë së Shenjtë.

Reforma në fushën ekonomiko-financiare

Qe Prefekti i Sekretarisë për Ekonominë, kardinali George Pell, ai, që informoi mbi të rejat e fundit në fushën ekonomiko-financiare, në të cilën Vatikani u është përshtatur normativave ndërkombëtare. Kohët e fundit, është emëruar Revizori i ri i Përgjithshëm, është miratuar Statuti i Fondit të Pensioneve dhe është plotësuar lista e enteve, që duhen pasur parasysh nga Autoriteti i kontrollit dhe i vigjëlimit të Këshillit për Ekonominë. Gjithashtu, ky Këshill ka ndërmarrë tri nisma, duke krijuar tri grupe pune për analizën e hyrjeve dhe të investimeve, për administrimin e personelit dhe për studimin e sistemeve informatike.

Kujdesi për të miturit

Një nga temat më të “nxehta” të diskutimeve në Këshillin e kardinajve, ose më mirë të themi, një nga temat, që bën më shumë bujë jashtë Vatikanit, është qëndrimi i Selisë së Shenjtë ndaj rasteve të abuzimit me të miturit. Këshilli Papnor për Mbrojtjen e të Miturve, krijuar nga Ati i Shenjtë, propozoi rrugën e denoncimit si përsa u përket shpërdorimeve në detyrën ipeshkvnore, ku përfshihen edhe rastet e ipeshkvijve që mbulojnë krimet e meshtarëve të tyre, ashtu edhe përsa u përket abuzimeve të klerit. Sipas pesë propozimeve, që iu paraqitën Papës Françesku, kompetencat për marrjen e denoncimeve duhet t’i kenë Kongregata për Ipeshkvijtë, ajo për Ungjillëzimin e Popujve dhe ajo për Kishat Lindore, sipas zonës së veprimit. Ati i Shenjtë duhet t’i japë mandat Kongregatës për Doktrinën e Fesë të gjykojë ipeshkvijtë në rastet e shpërdorimit të detyrës. Gjithashtu duhet të autorizojë krijimin e një Seksioni Gjyqësor në këtë Kongregatë, personeli i së cilës duhet të punojë për Gjykatën Apostolike. Papës iu këshillua të emërojë një Sekretar për ta ndihmuar Prefektin në çështjet e Gjykatës. Ky person duhet të jetë në krye të Seksionit Gjyqësor të propozuar. Iu kërkua Atit të Shenjtë të caktojë një periudhë pesëvjeçare për të parë zhvillimet dhe për të vlerësuar efikasitetin e këtyre propozimeve. Papa Françesku miratoi propozimet dhe dha autorizimet e nevojshme.

Mediat e Selisë së Shenjtë

Paraditen e djeshme, Këshilli i kardinajve dëgjoi rezultat e punës së disa komisioneve, krijuar për vlerësimin e mediave të Vatikanit. Kreu i Komisionit të fundit, drejtori i Qendrës Televizive të Vatikanit, imzot Dario Viganò, paraqiti një projekt reforme, për t’u zbatuar gjatë katër vjetëve, që parashikon të mos pushojë asnjë person nga puna, por edhe të integrojë gradualisht institucionet e ndryshme mediatike të Vatikanit, që janë: Këshilli Papnor për Komunikimet Shoqërore, Salla e Shtypit e Selisë së Shenjtë, Radio Vatikani, Qendra Televizive e Vatikanit, gazeta “L’Osservatore Romano”, Shërbimi Fotografik, Shtëpia Botuese e Vatikanit, Tipografia Vatikanase, Shërbimi Internet i Vatikanit. Muajt e ardhshëm do të krijohet dikasteri përkatës për fillimin e këtij procesi, pavarësisht se puna e Komisionit vazhdon e akoma duhet të plotësohet.

Argumente të tjera

Një nga argumentet e rëndësishme, që diskutoi Këshilli i kardinajve, është Enciklika e re e Papës Françesku për ambientin. Me dëshirën e Atit të Shenjtë, ipeshkvijve të gjithë botës, u është dërguar një letër, ku jepen mendime e sugjerime për mënyrën e komentimit dhe të shpjegimit të enciklikës, në mënyrë që ajo, jo vetëm të përjetohet si çast i rëndësishëm në jetën e Kishës, por edhe të kuptohet si duhet nga të gjithë.

Mbledhja e ardhshme e Këshillit të nëntëshes do të mbahet nga 14 deri më 16 shtator. 








All the contents on this site are copyrighted ©.