2015-06-10 19:40:00

Papa-Putin: kriza në Ukrainë dhe reagimet ndërkombëtare kundër Rusisë


 Papa Françesku u takua sot me presidentin rus Vladimir Putin, që shoqërohej nga një delegacion prej dhjetra personalitetesh, ndërmjet të cilëve, edhe ministri i Punëve të Jashtme, Sergej Lavrov si dhe ambasadori rus pranë Selisë së Shenjtë, Alexander Ardeev. Në qendër të vëmendjes gjatë bisedës, kriza në Ukrainë dhe reagimet ndërkombëtare kundër Rusisë, që u ndjenë fuqimisht në takimin e fundit G7. Nuk është hera e parë që Putin shkel në Vatikan. Është e pesta: vizita e parë ishte ajo e vitit 2000, kur u takua me Gjon Palin II; më pas, një takim tjetër me Karol Wojtyla-n, në vitin 2003; e më 2007 presidenti rus u prit nga Benedikti XVI.

Më 25 nëntor 2013 u takua për herë të parë me Papën Françesku, në Vatikan. Asokohe në qendër të vëmendjes ishte kriza siriane dhe përpjekja për t’i ndaluar bombardimet, që përgatiteshin nga aleatët. 

Në takimin e sotëm, në plan të parë, Ukraina, ku jeton një bashkësi e madhe greko-katolike, e cila pret më shumë solidaritet ndaj qeverisë së Kievit nga Selia e Shenjtë, mjaft e matur në këtë drejtim.

Kujtojmë se në vizitën e mëparshme Vladimir Putin arriti  në Vatikan me 50 minuta vonesë e më pas bisedoi me Papën, në bibliotekën private papnore, për rreth 35 minuta. Me vonesë arriti përsëri, pas një vonese tjetër, asaj në vizitën e Expo-së së Milanos; e këtë herë, me më se 70 minuta.

Si asokohe, edhe sot, presidenti rus dhe personalitetet, që e shoqëronin, u pritën në oborrin e Shën Damasit nga prefekti i Shtëpisë Papnore, imzot George Gaenswein dhe nga disa nga fisnikët papnorë.

Kujtojmë se në vizitën e mëparshme Putin arrinte në Vatikan pikërisht natën e lutjes e të agjërimit, shpallur nga Papa për paqen në Siri, shoqëruar me thirrjen drejtuar të mëdhenjve të tokës të gjenin një rrugëzgjidhje, për t’i dhënë fund masakrës që vijonte, e ndjekur me indiferencë nga bota. E thirrja e Papës nuk mbeti pa përgjigje: falë saj,  ndërhyrja e armatosur, që përgatitej, me dëshirën e Obamës, pas qëndrimit të Asadit, që hoqi dorë nga arsenali kimik, u bllokua.

Gjatë audiences në Vatikan, Vladimir Putin u takua edhe me Sekretarin për Marrëdhëniet me Shtetet, imzot Paul Gallagher, me që sekretari i Shtetit të Shenjtërisë së Tij, kardinali Pietro Parolin, nesër e pasnesër do të jetë në Abu Dhabi për kremtimin e shugurimit të kishës së dytë, kushtuar Shën Palit.








All the contents on this site are copyrighted ©.