2015-06-10 11:37:00

Papa, katekizmi: familja e sëmundja, shkolla e solidariteti


“Familja ka qenë gjithnjë spitali më i afërt”. Këtë vërejti Papa Françesku duke vijuar ciklin e katekizmit mbi familjen, kushtuar sot situatave të vështira, kur njeriu sëmuret a vuan për shkaqe nga më të ndryshmet. E kjo na kujton, shtoi Papa, brishtësinë e jetës së secilit nga ne që, në fillim, jetojmë në familje e pastaj, kur vjen ora e  vonë e lodhja e moshës na kapit,  e ndjejmë edhe më fort nevojën e pranisë së saj.

Papa nënvizoi se edhe sot e kësaj dite, në të katër anët e botës, spitalet janë shpesh herë privilegj për pak njerëz e, nganjëherë, edhe tepër larg.  E janë prindërit, vëllezërit e motrat, ata që e mjekojnë të sëmurin dhe e ndihmojnë të shërohet sa më shpejt. Prej këndej, thirrja e Papës për të mos e lënë familjen vetëm në orën e vështirë të sëmundjes së ndonjërit nga anëtarët e saj. Aq më tepër kur mendon se në rrethin familjar, të sëmurët që i duam,  e ndjejnë shumë më pak vuajtjen e ankthin. Shumë herë një atë a një nënë  e ka më të vështirë ta mbartë dhimbjen e birit a të bijës, sesa dhimbjen, që e ka në trup të vet. Prej këndej, nënvizimi se familja është spitali më i afërt e më i frytshëm, ku njeriu mund ta durojë më lehtë çdo situatë të vështirë.








All the contents on this site are copyrighted ©.