2015-06-10 17:04:00

Irak: patriarku Sako, një vit pas rënies së Mosulit


Në kryevjetorin e asaj, që tashmë njihet nga gjithë bota si “tragjedia e Mosulit”, kur xhihadistët e Shtetit Islamik (Is) pushtuan metropolin e dytë të Irakut, Patriarku i Babilonisë së kaldejve, Louis Raphael Sako, u drejtoi një mesazh prekës refugjatëve, që u detyruan të ikin nga qytetet e tyre, për t’u shprehur afërsinë në lutje, njëherësh me shpresën se do të mund të rikthehen në shtëpitë e tyre, në trojet e etërve të tyre.

Politikanët irakianë të punojnë për reformën dhe pajtimin

Pikërisht një vit më parë,  natën ndërmjet  9 e 10 qershorit 2014, përballë sulmit të milicive të Is, të pajisura me bomba lotsjellëse e mitraloza, montuar mbi fuoristradat e tyre, trupat e ushtrisë së rregullt iknin të tmerruara, duke i lënë në duart e xhihadistëve edhe bazat ushtarake, përplot me armë të të gjitha llojeve.

Në mesazhin e tij, rimarrë nga agjencia Fides, Patriarku u bën përsëri thirrje politikanëve irakianë të punojnë sinqerisht për reformën e, sidomos, për pajtimin. Vetëm perspektiva e pajtimit kombëtar, kujton primati i Kishës kaldease, mund t’i japë fund tragjedisë së një populli të tërë, duke krijuar kushtet që irakianët të mos kenë më nevojë të shkrehin armë për të vrarë njëri- tjetrin, për t’i përligjur, pastaj, vrasjet me motive fetare; e fëmijët të mos vijojnë më të vdesin nga uria, nga etja, nga mungesa e ilaçve dhe e afërsisë së prindërve, të humbur pa nam e pa nishan në udhët  e ndeshjeve gjakatare.

Kisha do të vijojë t’i ndihmojë refugjatët

Patriarku pohon se Kisha do të bëjë të gjitha përpjekjet e mundshme për t’i mbështetur materialisht e shpirtërisht turmat pa fund të refugjatëve të shkapërndarë sa në trojet kombëtare, aq edhe në viset fqinje, duke vijuar edhe të lutet që Zoti t’u japë të gjithëve dhuratën e paqes e me të, edhe të rikthimit në vatrat e tyre, gjë që Patriarku e ka tepër për zemër.








All the contents on this site are copyrighted ©.