2015-06-10 14:37:00

Dita e shenjtërimit meshtarak, nesër në Fshatin e Paqes në Shkodër


Konferenca Ipeshkëvnore Katolike e Shqipërisë njofton se nesër, më 11 qershor, pranë ‘Fshatit të Paqes’ në Shkodër,  në vigjilje të festës së Zemrës së Shenjtë Jezu Krishtit, shembull e ideal i çdo zemra meshtarake e rregulltare, i fton të gjithë meshtarët e rregulltarët të marrin pjesë në Ditën e Shenjtërimit Meshtarak.

Në program të kësaj dite shpirtërore, që nis në ora 9.30, do të jetë meditimi mbi “shenjtërimin e meshtarisë” sipas Papës Françeskut. Takimi do të vijojë me dialogun vëllazëror e shkëmbimin e përvojave e të dëshmive, për të përfunduar me bashkëkremtimin e Eukaristisë, të cilin do të kryesojë Presidenti i Konferencës Ipeshkëvnore Katolike të Shqipërisë, imzot Massafra. Takimi do të mbyllet me tryezën vëllazërore, gjithnjë pranë qendrës së kryedioqezës së Shkodrës “Fshati i Paqes”.

Kështu, ipeshkvijtë e Shqipërisë i ftojnë të gjithë meshtarët e rregulltarët për t’u ndalur bashku në kundrim të Zemrës së shporuar të Jezu Krishtit të Kryqëzuar. Shën Pali në Letrën drejtuar Efezianëve, pohon se “Hyji, i pasur me mëshirë, në saje të dashurisë së madhe me të cilën na deshi, ne që ishim të vdekur për shkak të fajeve, na bëri të rijetojmë bashkë me Krishtin… dhe, bashkë me të na ngjalli dhe na bëri të rrimë në qiell, në Krishtin Jezus” (Ef. 2,4-6). Në zemrën e Krishtit, pra, shprehet thelbi i krishterimit. Në Krishtin na u dëftua e na u dhurua gjithë risia revolucionare e Ungjillit: dashuria, që na shpëton e na bën të jetojmë tashmë në amshimin e Hyjit. Shkruan Shën Gjoni ungjilltar: “Vërtetë, Hyji aq fort e deshi botën, sa që e dha një të Vetmin Birin e vet, kështu që secili që beson në të, të mos humbasë, por të ketë jetën e pasosur” (3,16). Zemra e Tij hyjnore e thërret atëherë zemrën tonë njerëzore e posaçërisht atë meshtarake, të dalin nga vetvetja, t’i lënë mënjanë siguritë njerëzore, për t’u lëshuar në duart e Tij e, duke ndjekur gjurmët e Tij, ta bëjnë vetveten dhuratë dashurie pa asnjë kusht, në shërbim të njeriut, zemrën e të cilin Hyji ka banesën e vet.








All the contents on this site are copyrighted ©.