Një mendim mbi vizitën e frytshme e intensive të Papa Françeskut në Sarajevë, hapi
takimin kushtuar Feve e dialogut në Strasburg, pranë Këshillit të Evropës, presidencën
e radhës të së cilës e ka Bosnja e Hercegovina. Nisma është promovuar nga misioni
i përhershëm i Selisë së Shenjtë pranë vet Këshillit evropian, si etapë reflektimi
në kuadrin e seminarit që do të mbahet pikërisht në Sarajevë më 8 e 9 shtator të ardhshëm.
Qëllimi i përbashkët i ndërtimit të shoqërisë që përfshinë e mirëpret. Mbi
këtë flet, për Selinë e Shenjtë, sekretari për Marrëdhëniet me Shtetet, imzot Paul
Gallagher
Unë besoj në bazën e lirisë fetare si një e drejtë themelore. Ne mund të krijojmë
një hapësirë të dialogut, që mund të na krijojë kushtet e nevojshme për një shoqëri
që nuk refuzon e përjashton, por mirëpret e përfshinë.
E si mund të luftohen radikalizmat e fundamentalizmat?
Besoj se duhet pasur një vëmendje të veçantë ndaj zanafillës, të themi, duhet të shkojnë
deri te rrënjët e shqetësimeve që ka shoqëria jonë. E pastaj, në nivelin fetar, duhet
luftuar injoranca, duhet ripohuar edhe një interpretim i feve – asaj të krishterë,
të islamit apo të hebraizmit – nevojitet pra një interpretim autentik i besimit tonë.
Në takimin e përmendur doli në pah rreziku i një laiciteti që i përjashton
fetë: a është akoma kështu apo është rizbuluar vlera e përmasës fetare në dialogun
ndërkulturor?
Rreziku ekziston përherë. Mirëpo, edhe në bazë të asaj që u tha këtu, më duket se
edhe përfaqësuesi i qeverisë franceze tha se është një gjë e mundur sot të kemi një
vizion pozitiv të laicitetit të Shtetit, të Kushtetutës, që e lejon lirinë fetare,
besimet fetare dhe një dialog ndërmjet tyre. Në këtë kuptim, Shteti laik mund të ketë
një vlerë e një rol shumë të rëndësishëm.
Cili është kontributi i vizitës së Papa Françeskut në Sarajevë për tërë këtë
që pohuat?
Vizita e Atit të Shenjtë në Sarajevë, të shtunën e kaluar, ka qenë vërtetë një udhëtim
shumë pozitiv: shihej në fytyra të njerëzve që ishin atje. Shihet qartë se Papa ka
dashur të shkonte për t’ inkurajuar këto komunitete të ndryshme të kulturave të ndryshme,
të feve të ndryshme, për të punuar së bashku për krijimin e një Vendi e një shoqërie
të bashkuar. Sidomos, Papa inkurajoi të shkohet përpara, të kërkohet pajtimi, të ripohohet
vlera e vëllazërimi dhe e dashurisë për Vendin e tyre e për të gjitha komponentët
e shoqërisë së tyre.
All the contents on this site are copyrighted ©. |