2015-06-08 12:50:00

Nuk keni të drejtë ta harroni historinë tuaj


“Duhet të reflektoni mbi atë që ju ngjau gjatë disa dhjetëvjeçarëve të shekullit XX! Është e drejtë të shikosh përpara për të rindërtuar një ardhmëri të lirë, me fytyrë njerëzore, por përvoja e kaluar nuk duhet harruar, për të shmangur përsëritjen e të njëjtave gabime të një periudhe shumë të mjerueshme… të paparë në rrjedhën e historisë…. Nuk duhet harruar… nuk duhet…”. Dëgjojmë jehonën e zërit të një Shenjti, që shkeli në trojet tona. Që puthi tokën tonë. Zërin e Shën Gjon Palit II, gjatë shtegtimit të tij në Shqipëri.

E tani një zë tjetër i fuqishëm e autoritar e përsërit këtë thirrje, jo më në Shqipëri, por fare pranë saj, në Ballkan, në Sarajevë. Të duket sikur na drejtohet ne, shqiptarëve. Për të mos i harruar kohët, që i jetuam, që i vuajtëm, që na e dogjën një pjesë të mirë të jetës sonë e të fëmijëve tanë. Sepse kujtesa po na zbehet, e ne nuk e kemi këtë të drejtë!

Na e rikujton Françesku nga Sarajeva, duke u folur, prej kryeqytetit të Bosnjë-Hercegovinës, mbarë popujve të Ballkanit e të botës, që vuajtën nën thundrën njerëzve shumëfaqesh, me fjalë humanitare në gojë e mizori në zemër. Popujve, që jetuan mbi dhe e nën dhe, duke duruar tiraninë. Bij vendesh ku fatkeqësia shkon e vjen, si drita e terri. E ku jeta mes njerëzve pa shpirt, rrezikon ende sot ta bëjë njeriun shpirt i mizorisë. 

“Nuk kemi të drejtë të harrojmë, nuk kemi të drejtë!”.

E jo për të marrë hak, por për të bërë paqe. Jo për t’i shikuar vitet që kaluam si një kohë të çuditshme e të tmerrshme, pa dashuri, por për të dashur, ashtu si deshën ata, që derdhën gjakun në atë kohë, e cila nuk duhet harruar.

“Në gjakun e tuaj, në thirrjen tuaj, është thirrja, është gjaku i martirëve”, vijon të na kujtojë Françesku. E është edhe thirrja e gjaku i shumë e shumë rregulltarëve, i shumë priftërinjve, i shumë seminaristëve…”.

Nuk duhet harruar! Nuk keni të drejtë!

Shën Pali Apostull, në Letrën drejtuar Hebrenjve, na kujton: “Ju lutem, mos i harroni etërit tuaj, ata që jua dhuruan fenë. Mos e harroni Jezu Krishtin! Martirin e parë, që vdiq duke falur! Ecni  në gjurmët e Tij”.

E këtë nuk kemi asnjë të drejtë ta harrojmë!

Rikujtojeni gjithçka, na bëri thirrje Françesku nga Sarajeva, nëse doni të jetoni në paqe. Përsëriteni pambarimisht fjalën “Falje!”. Kush nuk di të falë, nuk i duhet gjë kujt! Të falësh një mik, që të tha një fjalë të ndyrë, në grindje e sipër, ose një motër a vëlla që të ka zili, nuk është aspak e vështirë. Por të falësh atë, që të rrahu, të torturoi, të shkeli nën thembër, të kërcënoi me pushkë për të të vrarë, të vrau, në mos trupin, rininë, ardhmërinë… Kjo nuk është aspak e lehtë

Nuk keni të drejtë ta harroni, prandaj! Por e keni për detyrë të krishterë ta falni.

E shumë nga ju e bënë këtë, e vijojnë ta predikojnë këtë falje.

Nuk keni të drejtë të harroni! Nuk keni të drejtë ta harroni historinë tuaj, por e keni për detyrë të krishterë- e njerëzore - të falni!

(Mbështetur mbi bisedën e Papës me njerëzit e Kishës, gjatë shtegtimit në Sarajevë, 06. 06. 2015)








All the contents on this site are copyrighted ©.