2015-06-08 13:36:00

Françesku priti presidenten e Argjentinës Kirchner


Ati i Shenjtë priti dje pasdite në audiencë private, zonjën Cristina Fernández de Kirchner, presidente e Republikës së Argjentinës. Biseda e përzemërt zgjati një orë e gjysëm dhe u zhvillua në Studion e Papës pranë Sallës  Pali VI. Presidentja deshi t’i shprehë edhe një herë Papës dashurinë dhe afërsinë e popullit argjentinas dhe të kërkojë bekimin e tij për mbarë bashkatdhetarët. Në përfundim të bisedimeve, në Sallën e Vogël  aty pranë, Papa përshëndeti delegacionin, që shoqëron presidenten në këtë udhëtim, të cilin zonja de Kirchner e vijoi sot me pjesëmarrjen në Konferencën e Faos, takimin me autoritetet italiane e, pastaj, me vizitën e Expo-së së Milanos.

Zonja Fernández de Kirchner i bëri Papës shumë dhurata domethënëse: mbi të gjitha, një kuadër të madh të Ipeshkvit të Lum Martir Oscar Arnulfo Romero, vepër artistit argjentinas Eugenio Cuttica; një libër të Alberto Methol-Ferré, autor shumë i vlerësuar nga Françesku (“Los estados continetales y el Mercosur”); një botim të poemës së famshme kombëtare “Martin Fierro”, cituar shumë herë nga Papa në fjalimet e tij; dy basorelieve për njerëzit, që kanë humbur shikimin, me titullin  e shkruar sipas sistemit  Braille, me shkronja në reliev: njëri, i Virgjërës së Lujanit, tjetri, portreti i Papës. Së fundi, edhe një shportë me prodhime ushqimore tipike argjentinase dhe një vëllim të rëndësishëm kushtuar trashëgimisë arkitektonike argjentinase, botuar me rastin e Dyqindvjetorit.

Papa, nga ana e tij, i dhuroi presidentes riprodhimin e një ikone të famshme ruse të Zojës së Dhimbsurisë.

Ishte hera e pestë, duke nisur nga fillimi i Papnisë së Françeskut, që presidentja e Argjentinës takohej me Atin e Shenjtë.    








All the contents on this site are copyrighted ©.