2015-06-08 13:38:00

Atë Lombardi: edhe në Sarajevë, Françesku nxiti kulturën e takimit


 Vizitë njëditore intensive e herë pas here, mallëngjyese. Dy ditë pas udhëtimit të Papës Françesku në Sarajevë, i kërkuam një koment drejtorit të Sallës së Shtypit të Vatikanit, atë Federiko Lombardi:

         Të pesë çastet e Sarajevës qenë jashtëzakonisht të rëndësishme, megjithëse është e qartë se nga pikpamja emotive, takimi në katedrale me klerin dhe, takimi me të rinjtë në mbrëmje, bënë më shumë përshtypje. Vërtet, siç mund edhe të parashikohej njëfarësoj, Papa la mënjanë fjalimin e përgatitur për të folur spontanisht, pa letër, me shprehje, që tregonin përjetimin e çastit. Por kjo nuk duhet të na bëjë të harrojmë rëndësinë e jashtëzakonshme të ngjarjeve të tjera. Prandaj, për mua është e vështirë të them cila ishte më e rëndësishmja. Për ne katolikët, pa dyshim, kremtimi i Eukaristisë, me krejt bashkësinë katolike të Sarajevës, është sigurisht çasti qendror i një dite të këtij lloji. Por, të kemi parasysh edhe takimin ndërfetar, me nivel shumë të lartë, jo vetëm si përfaqësues, por edhe si cilësi e fjalëve që thanë. Kush ishte i pranishëm, e kuptonte se puna e Komisionit ndërfetar, që përfaqësohej prej këtyre krerëve, së bashku me Papën, është jashtëzakonisht e rëndësishme, afatgjatë, me perspektivë e u hyn në thellësi çështjeve. Synohet arritja e kontaktit të thellë të zemrës, duke pasur për bazë fenë, besimin fetar e, jo interesa politike dhe ekonomike. Prandaj, dua të nënvizoj se gjithçka ishte jashtëzakonisht e rëndësishme e gjithçka ishte konceptuar si një gjë e vetme, sepse Papa shkoi në Bosnjë si shtegtar i paqes dhe i dialogut: vërtet e interpretoi këtë shtegtim në forma e me njerëz të ndryshëm, por me të njëjtin mesazh, që ua transmetoi njëlloj si përgjegjësve politikë, ashtu edhe atyre fetarë, si bashkësisë katolike, ashtu edhe rinisë.

         Pas luftës, plagët e së cilës nuk janë mbyllur akoma, Papa Françesku propozoi një Sarajevë-model bashkëjetese. Dialogu bëhet kështu një nga çelësat e interpretimit të kësaj papnie…

         Po. Vërtet, Papa është njeri që mallëngjen me praninë e Tij, përveçse me fjalët, me kulturën e takimit. Edhe pardje, përtej formulave e përmbajtjes së fjalimeve, bënte përshtypje prania e tij, personaliteti i tij si një kryetar fetar e njerëzor i besueshëm, i respektuar nga të gjithë… nga të gjithë popujt e botës sot, sepse inkurajon për hapa përpara në situata të vështira, u jep guxim të rinjve për të ardhmen. Fjalët e Papës ishin mbrujtur me shpresë. U tha rregulltarëve se duhet të bëjnë një baritori shprese; u tha të rinjve se duhet të jenë shpresa e vendit, që sheh drejt së ardhmes, pas luftës; u tha të jenë brezi, që e lë luftën pas shpine për të ndërtuar së bashku të ardhmen në harmoni. E vërtet, e ndjeje veten të gëzuar kur kaloje nëpër qytet, i cili e ka përtërirë ndjeshëm fytyrën pas shkatërrimeve të luftës, por ishte edhe më bukur ta përjetoje si qytet, që duhet të jetë simbol rindëtimi në bashkim, në larmi, në bashkëjetesën paqësore e të harmonishme ndërmjet grupeve të ndryshme. E kjo, ndërsa në kujtesën tonë, ai është akoma simbol ndarjeje e lufte.








All the contents on this site are copyrighted ©.