2015-06-07 15:06:00

Françesku në Engjëllin e Tënzot: isha në Sarajevë, për të inkurajuar paqen


“Shkova në Sarajevë për të inkurajuar bashkëjetesën paqësore ndërmjet popullsive të ndryshme”: Papa Françesku, në lutjen e Engjëllit të Tënzot,  u kujtoi besimtarëve, mbledhur me shumicë, si zakonisht, në Sheshin e Shën Pjetrit, domethënien e shtegtimit të tij në Bosnjë-Hercegovinë. Më pas, reflektoi për solemnitetin e sotëm të Corpus Domini. Eukaristia, theksoi, për Kishën, është shkolla e dashurisë së krishterë dhe e solidaritetit.

Tema kryesore e reflektimit të Françeskut ishte ajo e solemnitetit të Korpit dhe Gjakut të Krishtit, Corpus Domini, që u kremtua sot në shumë vende. Në Darkën e së Enjtes së Madhe, Jezusi vë në jetë atë, që e kishte parafolur, kur pati thënë: “Unë jam buka e jetës e zbritur nga qielli. Nëse ndokush ha nga kjo bukë, do të jetojë në amshim…”. Një bukë, shpjegoi Papa, që ka funksion ta bëjë të pranishme Vetjen e Jezusit në mes të bashkësisë së besimtarëve. E jo vetëm kaq. Është sintezë e një jete të dhuruar për shëlbimin e njerëzimit dhe ftesë për të marrë pjesë në jetën e Zotit:

“Kur e marrim dhe e hamë këtë Bukë, bëjmë pjesë në jetën e Jezusit, hyjmë në bashkim me Të, angazhohemi për ta jetuar bashkimin ndërmjet nesh, për ta shndërruar jetën tonë në dhuratë, posaçërisht për më të varfërit”.

Festa e sotme, vijoi Papa, është ftesë për të bërë kthesë, për të shërbyer e për të falur:

“Krishti, që na ushqen nën dukjen e lëndëve të shuguruara të bukës e të verës, vjen të na takojë në ngjarjet e jetës së përditshme; Ai është në të varfërin, që shtrin dorën për lëmoshë; në të vuajturin, që lyp ndihmë; në vëllaun, që kërkon gatishmërinë tonë e që pret dorën tonë. E është në fëmijën, që nuk di asgjë për Jezusin, për shëlbimin, që nuk ka fe; është në çdo qenie njerëzore, edhe në njeriun më të vogël, më të pambrojtur”.

Eukaristia, pohoi me forcë Papa, është gurrë dashurie për jetën e Kishës e kush ushqehet me Bukën e Krishtit, nuk mund të qëndrojë indiferent përballë atyre, të cilëve u mungon buka e përditshme, problem, ky, gjithnjë më i rëndë.

Takimi i së dielës i krijoi Papës mundësinë të kujtonte edhe shtegtimin  në Sarajevë, ditën e djeshme, të ngarkuar me mbresa, që e jetoi në këtë qytet, në shekuj vend bashkëjetese ndërmjet popujve e feve, aq sa të quhej “Jeruzalem i perëndimit”. Ndërsa në  të kaluarën e afërt, kujtoi Papa, u bë simbol i rrënojave të luftës:

“Tani vijon një proces i bukur pajtimi, e posaçërisht për këtë shkova: për ta inkurajuar këtë udhë bashkëjetese paqësore ndërmjet popullsive të ndryshme; udhë e lodhshme, e vështirë, por që mund të bëhet. E po bëhet mirë!”.

Françesku i falënderoi edhe një herë të gjithë për mikpritjen: bashkësinë katolike e mbarë besimtarët: myslimanët, ortodoksët, hebrenjtë si dhe pakicat e tjera fetare:

“E vlerësova angazhimin e bashkëpunimit e të solidaritetit ndërmjet këtyre njerëzve, që u përkasin feve të ndryshme, duke i nxitur të gjithë ta çojnë përpara veprën e ndërtimit shpirtëror e moral të shoqërisë. Punojnë  bashkë, si vëllezër. Zoti e bekoftë Sarajevën dhe Bosnjën e Hercegovinën!”.

Së fundi, mendimi i Papës shkoi tek vuajtjet e shumë e shumë fëmijëve, duke kujtuar se të premten e ardhshme, në solemnitetin e Zemrës së Krishtit, Zemër plot me dashuri, do të kremtohet Dita Botërore kundër punës së të miturve:

“Shumë fëmijë në botë nuk kanë liri të luajnë, të shkojnë në shkollë e përfundojnë të shfrytëzuar në punët e dorës. Uroj që bashkësia ndërkombëtare të angazhohet vazhdimisht  për promovimin e njohjes  reale të të drejtave të fëmijëve”.








All the contents on this site are copyrighted ©.