2015-06-06 18:47:00

Tri dëshmi dramatike në takimin e Papës me klerin, në Sarajevë


Një murgeshë nga Travnik, rrëmbyer, abuzuar e rrahur nga milicët islamikë arabë, që morën pjesë në luftën e Ballkanit; një meshtar i sekuestruar në Knin të Kroacisë nga ushtarë, që e torturuan derisa i ra të fikët; një frat françeskan i Posavinës, i internuar nga policët serbë në një kamp përqendrimi, rrahur e kërcënuar se do ta rrjepnin të gjallë, pastaj i ndihmuar nga një grua myslimane, para se të lirohej pas katër muajsh, të cilat iu dukën pa fund. Këto ishin dëshmitë dramatike, që dëgjoi Papa Françesku në takimin e parë të pasdites, me meshtarët, rregulltarët e seminaristët në katedralen e Sarajevës. Tri dëshmi të gjalla të luftës në Bosnjë-Hercegovinë (1992-1995), që e bënë Atin e Shenjtë të përkulej para meshtarit e t’i puthte duart duke i kërkuar bekimin, si edhe të përqafonte fort fratin e murgeshën. Papa e la mënjanë fjalën e përgatitur e foli pa letër:

“Dëshmitë flasin vetë. Kjo është kujtesa e popullit tuaj. E një popull, që harron, nuk ka të ardhme. Kjo është kujtesa e etërve dhe e nënave tuaja në fe: folën vetëm tre, por pas tyre, ka shumë burra e gra, që kanë vuajtur njëlloj… Nuk keni të drejtë ta harroni historinë tuaj. Jo për t’u hakmarrë, por për të arritur paqen. Jo për ta parë si diçka të çuditshme, por për të dashur, siç deshën këta. Në gjakun tuaj, në thirrjen tuaj, është thirrja, është gjaku i këtyre tre martirëve. E është gjaku e vokacioni i sa e sa murgeshave, sa e sa meshtarëve, sa e sa seminaristëve”.

Këta ju kanë transmetuar fenë, vijoi Papa, i cili vuri në dukje se fjala, që u përsërit më shumë gjatë dëshmive ishte “falje”. Nuk është e lehtë të falësh atë, që të torturon, të rreh, të shkel, të kërcënon, të lë për 120 ditë në kampin e përqëndrimit, siç i ndodhi fratit françeskan. E ky numër – element tjetër, që i mbeti në mend Atit të Shenjtë – nuk është thjesht numër ditësh, por minutash e sekondash, sepse janë minuta e sekonda torture, orë, në të cilat të gjithë të internuarit jetojnë së bashku të palarë, të pangrënë, pa ujë, në të ftohtë e në të nxehtë, për shumë e shumë kohë:

“E ne, që ankohemi kur na dhemb ndonjë dhëmb, që duam televizionin në dhomën e rehatshme, që bëjmë thashetheme për eproren ose eprorin, kur nuk na pëlqen gjella… Murgesha, meshtarë, ipeshkvij, seminaristë me mendësinë e kësaj bote…janë karikaturë: nuk duhen gjë. Nuk i kujtojnë martirët. E kanë humbur kujtesën e Jezusit të Kryqëzuar, e vetmja kujtesë e jona”.

Duke përmendur episode nga dëshmitë, Papa Françesku vuri në dukje dy gjeste: atë të milicit që i dha murgeshës një dardhë e, atë të gruas myslimane që i çoi katolikut për të ngrënë. Jemi të gjithë vëllezër, nënvizoi:

“Edhe ai njeri mizor mendoi… unë nuk e di ç’mendoi, por ndjeu Shpirtin Shenjt në zemrën e vet e ndoshta, mendoi për të ëmën e tha: ‘Merre këtë dardhë e mos bëj zë!”. E ajo grua myslimane i kapërceu ndryshimet fetare: deshi me gjithë shpirt. Besonte në Zot e bënte mirë”.

Të gjithë kanë në vetvete farën e së mirës, theksoi Papa Françesku, për të kujtuar se këta tre dëshmitarë janë bij e bija nënash, kanë jetuar në familje, prej saj janë edukuar e kanë marrë guximin për jetën. Por tani, tha Papa, kopshti i jetës, familja, nuk lulëzon më si më parë. Ati i Shenjtë u kërkoi të gjithëve të luten për familjet, që të lindin shumë fëmijë e prej tyre, të shtohen thirrjet për t’ia kushtuar jetën Zotit. Së fundi, i tha klerit boshnjak se lufta, që kanë përjetuar, është histori mizorish, njësoj siç janë konfliktet e sotme nëpër botë. Dhe këshilloi:

“Bëni gjithnjë të kundërtën e mizorisë. Silluni me ëmbëlsi, vëllazëri e falje. E mbarteni Kryqin e Jezu Krishtit. Kisha, e Shenjtja Kishë Nënë, ju do kështu: të vegjël, martirë të vegjël, para këtyre martirëve të vegjël, dëshmitarë të vegjël të Kryqit të Krishtit”. 








All the contents on this site are copyrighted ©.