2015-06-06 15:54:00

Papa: Takimi me njerëzit e Kishës: fryti i shërbimit varet nga feja


Pas drekës, kaluar në nunciaturë, me gjashtë ipeshkvijtë e Bosnjë-Hercegovinës, takimi i parë i pasdites, në orën 16.20, ishte ai me priftërinjtë rregulltarët, rregulltaret, seminaristët e laikët, në katedralen e qytetit. 

Katedralja kushtuar Zemrës së Krishtit, u ndërtua në vitet 1884-1889 sipas projektit të Josip Vancas, arkitekt i ndikuar nga elementet arkitektonike habsburgase në Sarajevë. Ndërtesa, në stil neo-gotik, me elemente të arkitekturës romanike, ka një rozon të madh mbi portën qëndrore  dhe dy këmbanare të larta binjake. E ndërtuar në qendrën historike të qytetit, katedralja bie fort në sy ndërmjet ndërtesave, që e rrethojnë. Në treme është vendosur një shtatore e Gjon Palit II, për kujtim të takimit me klerin, më 12 prill 1997, në kuadrin e shtegtimit të tij apostolik (12-13 prill). Ndërtesa, e dëmtuar gjatë rrethimit të Sarajevës, e restauruar më pas, zë rreth 250 vetë

Këtu, në gjurmët e Shën Gjon Palit II, u mbajt takimi i Françeskut me priftërinjtë, rregulltarët, rregulltaret e seminaristët.

Në fjalimin dorëzuar kishtarëve, Papa i falënderon për shërbimin  ndaj Ungjillit e Kishës, edhe në çastet e vështira të historisë së bashkësive të krishtera në rajon, pasojë e pranisë së pakët numerike të Kishës katolike në këto troje. Por fryti i fesë nuk varet nga numrat, varet nga fryma e vëllazërisë, që të ndihmon e të gjallëron:

“Përkushtimi ndaj popullit besnik të Zotit, afërsia me njerëzit e varfër e të thjeshtë na bën t’i përngjasim gjithnjë më shumë Krishtit e na ndihmon ta pasurojmë njëri-tjetrin”.

Këtë kujton Papa në fjalimin e dorëzuar e pastaj vë theksin mbi realitetin e veçantë të këtij vendi, ku u morën aq shumë nëpër këmbë shpresat e u ngatërruan udhët e drejta të jetës:

“Në rrethanat e Bosnjë-Hercegovinës, t’i shërbesh grigjës së Zotit do të thotë të vësh në jetë baritorinë e shpresës, të dalësh nga vetvetja e të shkosh drejt njerëzve, që presin Lajmin e Mirë, por nuk mund ta gjejnë a ta rigjejnë vetë udhën që çon te Krishti”.

Do të thotë, vijon Papa, të shkosh drejt atyre, që lypin ndihmë, e edhe drejt atyre, që u vjen turp ta lypin, ndonëse kanë shumë nevojë.

Françesku kujton, më pas, rëndësinë e formimit të laikëve, duke kërkuar të jenë protagonistë të misionit ungjillëzues të Kishës.

Së fundi, Ati i Shenjtë vë theksin mbi rëndësinë e angazhimit baritor, duke tërhequr vëmendjen për të ndenjur gjithnjë zgjuar, në përgjim, e për t’ia prerë rrugën rrezikut të rënies në atmosferën e një elite të mbyllur në vetvete.

Jo mbyllje, pra, është theksimi i Françeskut, por hapje e dalje drejt njerëzve, për ta çuar kudo fjalën, gjithnjë të re e shëlbuese të Ungjillit të Krishtit, që ter lotët e  shëron plagët.  








All the contents on this site are copyrighted ©.