2015-06-05 13:56:00

Të varfërit para Sindonës, në sajë të Papës Françesku


“E panë e u panë nga Sindona”: shprehet kështu don Pablo Castiglia, zëvendës-famullitar i Kishës romake të Shën Luçisë, që shoqëroi 40 të varfër në shtegtim, dje e sot, në Torino. Ishte një shtegtim i dhuruar nga Papa Françesku, që do të përsëritet më 21 qershor për të varfërit e Bazilikës së Shën Eustakut. Zëvendës-famulliatri i Shën Luçisë, don Pablo Castiglia, e rrëfen kështu paraditen e jetuar në shtegtim:

“Drekë në Cottolengo, vend që, në Torino është sinonim me mikpritjen e një mori njerëzish të sëmurë, vend gjithnjë me krahë hapur për këdo ka nevojë. Kjo ndalesë, që bëmë sot paradite, na i përgatiti zemrat për vizitën tek Sindona. Më pas, në këmbë, shkuam në katedrale e hymë brenda. E unë besoj se këto dy ditë shtegtimi na ndihmuan ta prekim me dorë e ta jetojmë me zemër sigurinë e një të vërtete të madhe: dashuria shpëton. Dashuria e Zotit, që e pamë aty, në simbolin e Sindonës, të shpëton. Ashtu si dashuria e njerëzve, që krijuan mundësitë për këtë shtegtim. Edhe mikpritja që patëm në Torino është shprehje e kësaj dashurie, e cila ndjehet aq shumë, kur gjunjëzohesh para Sindonës. E kjo u perceptua, u jetua nga ne të gjithë”.

Para se të zinin vendet në autobus, për t’u nisur drejt Torinos, në oborrin e famullisë së Shën Luçisë, të varfërit morën edhe një “ledhatim” të lehtë nga Papa Françesku, siç e quajti Lëmoshtari papnor, imzot  Konrad Krajewski. Të dëgjojmë përsëri don Pablon:

“Dje paradite, në nisje e  sipër, erdhi Lëmoshtari për të na përshëndetur,  për të na sjellë përshëndetjen plot dashuri të Papës, e, konkrektisht, i la një “ledhatim” të lehtë secilit nga ne, që të mund të blinim të paktën një kapuçin, një kafe, gjatë këtyre dy ditëve. E të gjithë e perceptuan drejtpërdrejt sa i do Papa , sa i mbështet, sa krenar është për ta”.

Shtegtim me një mori çastesh të paharrueshme, që i jep hov të ri misionit baritor, e quan këtë vizitë don Pablo:

“Misioni im ndryshon, sepse gjeta në bashkudhtarët, një aspekt që ndoshta nuk e kisha kapur si duhet. Ne i takojmë të varfërit në famulli, sepse vijnë çdo ditë për drekë, prej këndej, ndoshta koha e njohjes ka qenë e pakët, më shumë asistencializëm, ndërsa në këtë shtegtim patëm mundësi t’i shikojmë të varfërit tanë me syrin e asaj Figure, që pamë të vulosur mbi Sindonë, e edhe me syrin e  Papës. Patëm rastin të jetojmë bashkë”.








All the contents on this site are copyrighted ©.