2015-06-05 12:07:00

Papa Françesku takon anëtarët e POM: mos u shndërroni në "ojq"


Menjëherë pas dehonianëve, në orën 12.30, Papa Françesku takoi anëtarët e Asamblesë së Përgjithshme të Veprave Papnore Misionare (POM), në Sallën Klementine në Vatikan, shoqëruar nga Prefketi i Kongregatës për Ungjillëzimin e Popujve, kardinali Fernando Filoni. Sa do të doja të gjeja për ju fjalë, që inkurajojnë një sezon ungjillëzimi më të flaktë, më të gëzueshëm, më bujar, më të guximshëm, plot me dashuri deri në fund e me jetë-shembull për të tjerët, u tha Ati i Shenjtë, duke cituar Enciklikën “Evangelii gaudium”. Duke pasur parasysh vendet, në të cilat shpesh ndërhyn Kongregata, vende të varfëra e me probleme të mëdha, si persekutimi i të krishterëve, Ati i Shenjtë këshilloi:“Në ato periferi njerëzore, Kisha është e thirrur të dalë në rrugë e të takojë vëllezërit e motrat tona të shumta, që jetojnë pa forcën, dritën dhe ngushëllimin e Jezu Krishtit, pa një bashkësi fetare që i mirëpret, pa një horizont jete”.

Veprat Misionare Papnore, nënvizoi më tej Ati i Shenjtë, janë mjete komunikimi ndërmjet Kishave, kanë për detyrë të realizojnë takimin ndërmjet njerëzve dhe ndarjen e burimeve ekonomike. Mbështesin seminaristët, meshtarët dhe rregulltarët e Kishave të reja në territoret e misionit. E kjo punë e bukur bëhet me fe e me dashurinë e Krishtit, me lutje e me guxim ungjillor, duke dëshmuar lumnitë e Ungjillit: “Ju lutem, kini kujdes të mos bini në tundimin e shndërrimit në ojq (organizatë jo qeveritare), në zyrë shpërndarje për doracakë të zakonshëm apo të jashtëzakonshëm. Paratë ndihmojnë, por mund të kthehen edhe në shkatërrim për Misionin. Funksionalizmi, kur vendoset në qendër, ose zë hapësirën më të madhe, si të ishte gjëja më e rëndësishme, mund t’ju çojë drejt shkatërrimit; sepse mënyra e parë për të vdekur është ta konsiderosh të mirëqënë ‘burimin’, pra Atë, që e frymëzon Misionin. Ju lutem, mes kaq e aq planesh e programesh, mos e lini jashtë Jezu Krishtin nga Vepra Misionare, që është vepër e Tij. Kisha, që reduktohet në efiçentizmin e aparateve të një partie është e vdekur, edhe sikur strukturat e programet në favor të klerikëve e të laikëve “të vetë-punësuar” të zgjateshin me shekuj”.

Ungjillëzimi nuk është i mundur - përfundoi Papa, para se t’ua besonte të pranishmit shën Marisë Virgjër e para se t’u jepte bekimin apostolik - përveçse me energjinë shenjtëruese të Shpirtit Shenjt, i vetmi, i aftë ta risojë, ta shkundë, ta nxisë Kishën të dalë me guxim jashtë, për të ungjillëzuar popujt.








All the contents on this site are copyrighted ©.